Pasqyra e shtypit ndërkombëtar të javës | Studimi në Gjermani | DW | 12.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar të javës

Pamje nga kontrrollet e policisë franceze

Pamje nga kontrrollet e policisë franceze

Temat që dominojnë shtypin e huaj të kësaj jave janë përfundimi i bisedimeve për koalicionin e madh në Gjermani si dhe shkaqet dhe pasojat e akteve të vandalizimit në Francë.

Në lidhje me arritjen e marrëveshjes për koalicion mes demokristianëve dhe socialdemokratëve në Gjermani gazeta italiane "Corriere della Sera" shkruan:

"Ky është një hap i madh historik për RFGJ-në, e cila në një nga fazat më të vështira të historisë së pasluftës gjen sërish forcën dhe arsyen për t'iu kundërvënë krizës ekonomike dhe sociale. Njëkohësisht Gjermania ka ndërmarrë edhe një revolucion të pashembullt, i cili simbolizohet përmes ardhjes së Angela Merkelit në postin e kancelarit."

Kurse në gazetën franceze "Le Figaro" lexojmë:

"Fqinja jonë e madhe arriti me një minimum turbullirash një transformim politik radikal, pasojat e së cilit do të shtrihen përtej politikës së buxhetit dhe të taksave. Në postet e rëndësishme ka ardhur brezi i ri, Angela Merkel në postin e kancelares dhe Matthias Platzeck në krye të SPD-së. Dhe ndërsa Franca, Britania e Madhe dhe Italia gjenden ende përpara këtij transformimi të vështirë dhe të dhimbshëm, Gjermania ia doli mbanë."

Gazeta "Luxemburger Wort" vlerëson gatishmërinë e të dy palëve për kompromise:

"Të dyja palët e koalicionit i bënë sakrificat e para. Me hir apo me pahir atyre iu desh të pranonin "anët e liga" të tjetrit dhe të hiqnin dorë prej bamirësive në favor të elektoratit të tyre. Fillimisht askush nuk e donte koalicionin e madh. Po ndoshta nga halli për të kapërcyer pozicione kontradiktore palët në koalicion do të arrijnë në fund një virtut politik."

Gazeta zvicerane "Tagesanzeiger" komenton me nota ironie reagimet në radhët e popullsisë gjermane pas arritjes së marrëveshjes për koalicion:

"Pa u miratuar ende qeveria e re, në Gjermani kanë filluar ankesat. Madje mund të thuash, kanë filluar sërish ankesat, sepse Gjermania nuk vuan vetëm nga papunësia, borxhet dhe mungesa e rritjes ekonomike, por edhe prej një gjendjeje shpirtërore të rënduar nga e cila është i përfshirë i gjithë vendi. Dëshira për të folur keq dhe për të sharë gjithçka shkatërron çdo lloj shprese, përpara se të merret vesh se çfarë do të dalë nga bima e mbjellë."

Kalojmë në temën tjetër. Aktet e vandalizimit në Francë, të cilat ende nuk janë vënë nën kontrroll. Ajo që i preokupon gazetarët janë shkaqet e këtyre vandalizmave si dhe pasojat në vendet e tjera të BE-së:

Fillimisht citojmë nga gazeta zvicerane "Tagesanzeiger" e cila shkruan:

"Modeli francez është në krizë. Brutaliteti i fëmijëve të lindur nga ky model shtron para Francës një çështje e cila nuk mund të zgjidhet me përbetimet republikane dhe duke shtruar pyetjen përse këta fëmijë nuk janë bërë qytetarë?"


Gazeta "Derniere Nouvelle D'Alsace" shkruan:

"Tani bashkë me trazirat në periferitë e qyteteve po shkatërrohet edhe veçori tjetër franceze, politika integruese. Megjithë disa zëra sarkastikë askush nuk gëzohet prej gjendjes së vështirë në të cilën gjendet vendi. Jo, sepse të tjerët kanë frikë se ajo që po ndodh në Francë mund të jetë si një sëmundje ngjitëse, por më tepër për shkak të një vakuumi të madh, i cili do të çojë në krijimin e një pabarazie në radhët e BE-së."

Gazeta britanike "Daily Telegraph" shkruan se velja nga politika mund të çojë në akte vandalizimi edhe në vende të tjera të BE-së:

"Franca karakterizohet prej dyluftimit mes Ministrit të Brendshëm Sarkozy dhe kryeministrit de Villepin. Gjermania kërcënohet prej një bunace politike si rrjedhojë e koalicionit të madh. Pozita e Silvio Berlusconit në Itali është më e keqe se kurrë. Dhe në Britaninë e Madhe elektoralit mezi po pret që Tony Blair të japë dorëheqjen. Në Evropën Perendimore mbretëron një ndjenjë e përgjithshme molepseje, dhe njerëzit po i shikojnë politikanët me mendje të kthjellët."

Gazeta e Bernës "Berner Zeitung" shprehet në mënyrë edhe më drastike:

"Ende në Francë nuk kemi një gjendje të tillë si në Afrikën e Jugut apo në Rripin e Gazës. Po këto raporte nuk janë aq absurde si besojnë shumica. Këtë gjë nuk e di askush tjetër aq mirë sa policët që veprojnë në zonat ku kryhen akte vandalizimi dhe të cilët nuk guxojnë të shkojnë në periferitë e disa qyteteve pa qenë të shoqëruar fuqishëm nga automjete të blinduara."

  • Data 12.11.2005
  • Autor Beatrice Hyder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arst
  • Data 12.11.2005
  • Autor Beatrice Hyder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arst