1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjermanofon

AURON DODI5 Maj 2004

Komentatorët e gazetave të sotme gjermanofone përqendrohen në marrëdhëniet e Gjermanisë me Kinën, si dhe në akuzimin për vrasje ndaj ish-ministrit të brendshëm të Maqedonisë, Boshkovski. Tensionet e shtuara në Turqi pas zbulimit të atentatit të planifikuar kundër takimit të nivelit të lartë të Natos si dhe shkaqet e largimit të të Gjelbërve gjermanë nga bisedimet për një ligj emigracioni në Gjermani ndriçohen gjithashtu në shtypin gjermanofon.

https://p.dw.com/p/As0f
Fotografi: dpa zb

NOJE CYRHER CAJTUNG (NEUE ZÜRCHER ZEITUNG) një nga gazetat kryesore të Zvicrës informon sot për akuzimin nga prokuroria të ish-ministrit të brendshëm të Maqedonisë, Ljube Boshkovski për vrasjen e gjashtë emigrantëve pakistanezë dhë një indiani. "Parlamenti duhet të heqë tani imunitetin e deputetit aktual Boshkovski", shkruan NZZ dhe më tej:

"Boshkovski duhet të arrestohet për shkak të rrezikut për t'u arratisur.Ish-ministri i brendshëm,një aventurier nacionalist, i kundërshton të gjitha akuzat. Familjet e punëtorëve të vrarë duan ta padisin për dëmshpërblim në Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë qeverinë maqedonase.

Sipas informacioneve të ministrisë së brendshme maqedonase, në mars 2002 punëtorët emigrantë patën kaluar ilegalisht kufirin greko-maqedonas, me synim Evropën Perëndimore. Boshkovski i tërhoqi ata në kurth, me ndihmën e një biznesmeni dhe pesë policëve.Në një zonë vreshtarie në Rastanski Lozja, punëtorët pa e zgjatur i pushkatuan. Pastaj atyre iu vunë pistoleta në brez dhe iu veshën pjesë të uniformave të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare shqiptare. Boshkovski informoi atëherë se pas një aksioni 10 ditor ai kapi një komandë terroriste islamike, e cila qe përpjekur të sulmonte ambasadat e huaja në Shkup. Në përpjekje për t'i arrestuar, terroristët qenë mbrojtur dhe policët i patën vrarë në vetëmbrojtje.

Që atëherë mbeti e pakuptueshme, se pse nuk qenë informuar ambasadat e kërcënuara. Edhe përpjekja për të krijuar një lidhje midis El Kaidës dhe UCK-së shqiptare nuk ishte bindëse. Nacionalizmi shqiptar dhe islamizmi nuk kanë krijuar deri tani lidhje të qëndrueshme. Boshkovski, sipas shtypit maqedonas, u përpoq t'u paraqitej amerikanëve si aleat besnik në "luftën kundër terrorit". Një vit më parë ai qe kritikuar shpesh nga diplomatët amerikanë, kur u përpoq të shtypte me dorë të hekurt UCK-në. Ndërhyrjet e ashpra policore të tij ndikuan shumë në solidarizimin gradual të popullatës civile shqiptare me luftëtarët kryengritës, " shkruan ndër të tjera në numrin e sotëm gazeta NOJE CYRHER CAJTUNG.

Në gazetën austriake DI PRESE (DIE PRESSE) lexojmë për rritjen e nervozitetit në Turqi para takimit të nivelit të lartë të Natos:

"Islamistët donin ta sulmonin takimin e nivelit të lartë të Natos, sipas shtypit turk, madje edhe me avionë. Disa nga të arrestuarit patën marrë në Pakistan orë fluturimi në avionë që edhe lundrojnë në ujë, bëjnë të ditur gazetat turke. Vec kësaj qe planifikuar një sulm kundër një sinagoge në Bursa gjatë takimit të Natos si dhe sulme në banka për të siguruar para. Të dyshuarit besohet se bëjnë pjesë në grupin Ansar El Islam, që mban lidhje të ngushta me rrjetin terrorist të El Kaidës. Deri në luftën e Irakut, Ansar el Islam kishte një bazë pjesën kurde të Irakut, pranë kufirit me Iranin. Gjatë luftës, kjo bazë u godit nga trupat amerikane me raketa të telekomanduara dhe pastaj u sulmua nga luftëtarë kurdë të Peshmergas. Grupi prej disa qindra luftëtarësh arriti megjithatë të shpëtojë.

Në qarqet qeveritare në Ankara sidoqoftë nervozizmi është shtuar. Presidenti Bush do të udhëtojë dy ditë para takimit të nivelit të lartë në Ankara, duke marrë me vete 12 limuzina të blinduara. 60 ekspertë amerikanë kujdesen që tani për cështje të sigurisë për presidentin; deri në mbërritjen e tij do të bëhen 300.

Për terroristët, takimi i nivelit të lartë të Natos do ishte sigurisht një synim ideal: dyzina kryetarësh shtetesh dhe qeverish me Bushin dhe kryeministrin britanik Toni Bler do të qëndrojnë në Stamboll. Për më tepër, takimi i nivelit të lartë zhvillohet vetëm pak para dorëzimit të pjesshëm të përgjegjësisë qeveritare Irakut."

Kryeministri i Kinës, Ven Zhibao vizitoi Republikën Federale të Gjermanisë. Shkak i mjaftueshëm për gazetën HANDELSBLATT që del në Dyseldorf, për të vënën nën lupë politikën gjermane ndaj Kinës:

"Në politikën e brendshme, kancelarit i krijon frymëmarrje për përpjekjet e tij që BE ta anullojë embargon e armëve ndaj Kinës vetëm dështimi i shitjes së centralit gjerman atomik të Hanaut Kinës. Në politikën e jashtme, kërkimi i afërisë me Pekinin bën të nevojshme sakrifica, të cilat për demokratët janë të barabarta me tradhtinë e parimeve të veta: refuzimi i pavarësisë eventuale të Tajvanit, një shteti demokratik, dhe pranimi i aneksimit të Tibetit. Vetëm po të kujtonte kërcënimet për luftë, që Pekini lëshon në intervale të rregullta kohe në drejtim të Tajvanit, Berlini duhej ta kishte të qartë se Kina është vërtet një partner i rëndësishëm, por aspak demokratik. Përbindëshi kinez që po rritet paqësisht tani, dikur mund të vjellë edhe zjarr."

Edhe gazeta ZYDDOJCE CAJTUNG (SÜDDEUTSCHE ZEITUNG) e konsideron të diskutueshme politikën gjermane ndaj Kinës:

"Politikën e Gjermanisë ndaj Kinës nuk e bën ministri i jashtëm, atë e bën Shrëderi personalisht. Dhe tek Kina ai shef vetwmw një gjë: biznesin. Dhe pritej që me rritjen e Kinës të shtohet edhe makutëria - shpesh e verbër- për tregun përallor të Kinës. E megjithatë, të trishton të shikosh se sa pa dinjitet ndodh kjo: në rastin e Kinës, politika e jashtme gjermane ka dhënë dorëheqjen. Ajo është katandisur vetëm në nxitjen e tregtisë me botën e jashtme"

Pas largimit të të Gjelbërve nga negociatat për një ligj emigracioni në Gjermani, komentatorët gjermanë vazhdojnë diskutimin. Në gazetën KELNER EKSPRES (KÖLNER EXPRESS)shkruhet:

"Që prej tri vjetësh na duhet të vështrojmë këtë teatër të padenjë për ligj të ri emigracioni. Megjithëse prej fillimit u caktuan komisione mbipartiake, pikërisht për të na e kursyer këtë grindje të padenjë. Politikanët tanë janë verbuar kaq shumë nga taktikat partiake, sa që nuk janë në gjendje të gjejnë një konsens për të mirën e të gjithëve. Një dëshmi varfërie e të gjithë politikës gjermane."

Ndërsa gazeta NOJES DOJCLAND (NEUES DEUTSCHLAND) vëren:

"Përballë vlerës së kufizuar ku kishte përfunduar ligji pas ndryshimeve, varrosja e tij është një hap i vogël për Gjermaninë, por një hap i madh për Të Gjelbrit...Të Gjelbrit nuk duhet t'i duash, por je i detyruar t'i llogaritësh."