1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

8 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3d
Qëndrimi pa kompromis i qeverive gjermane dhe italiane në mosmarrëveshjet lidhur me kushtetutën e Bashkimit Evropian është në qendër të shumë komenteve të të përditshmeve gjermane. Temë tjetër janë akuzat e reja kundër drejtorit të Entit Federal të Punës në Gjermani Florian Gerster.

Mbi debatin për kushtetutën e Bashkimit Evropian lexojmë në Mannheimer Morgen:

"Çdo vend duhet të ketë një komisioner evropian të vetin. Mund ta kuptosh dëshirën e "të vegjëlve" si për shembull shtetet balltike për t'u përfaqësuar në Bruksel, aq më tepër që në të ardhmen ato do të dorëzojnë një pjesë të sovranitetit për të cilin luftuan gjatë. Megjithatë pa marrë parasysh faktin që marrëveshjet e Bashkimit Evropian nuk parashikojnë "përfaqësi vendesh", për Komisionin Evropian edhe kështu të fryrë kjo do të thoshte edhe më shumë personel, burokraci dhe mani për të përcaktuar gjithçka me anë të ligjeve."

Gazeta e qytetit të Essenit "Neue Ruhr" i kushtohet konfliktit për ndarjen e votave në Bashkimin Evropian:

"Varshavës dhe Madridit u duket sikur nuk përfaqësohen denjësisht për madhësinë e tyre në institucionet më të pushtetshme të Bashkimit Evropian. Kësaj i thonë t'i shohësh gjërat shtrembër. Gjermania për shembull ka më shumë banorë sesa këto dy vende të marra së bashku, dhe do të zotërojë vetëm dy vota më shumë sesa ato. Kaq për peshën e votave. Ose një qeveri është e bindur për idenë e integrimit të Evropës ose më mirë t'i heqë duart nga kjo punë. Evropa sipas menusë, ku kushdo mendon vetëm për menunë më të mirë që mund të kërkojë për veten, mbingarkon çdo kuzhinë kur bëhet fjalë për 25 anëtarë."

Edhe më skeptike shprehet për ndarjen e votave në Bashkimin Evropian gazeta "Wiesbadener Kurier":

"Këtu bëhet fjalë për një çështje parimore të përfaqësimit demokratik, i cili me të vërtetë nuk pranon kompromise. Nuk mund të jetë e mundur që 300.000 luksemburgas të kenë të njëjtën peshë në vendimet e Bashkimit Evropian si edhe 80 milionë gjermanët. Pyetja që shtrohet është se edhe për sa kohë duan ta mohojnë këtë ligjërim të bazës të çdo krijese federale Spanja dhe Polonia. Gjithsesi duhet të druhemi që kjo kushtetutë të mos miratohet më brenda këtij viti, por deri në zgjerimin e Bashkimit Evropian mbeten edhe pesë muaj. Ndoshta trysnia për të arritur në marrëveshje nuk është ende aq e madhe."

Ndërrojmë temë: Përballë akuzave të reja kundër drejtorit të Entit Federal të Punës në Gjermani, Florian Gerster, gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

"Në rast se Kontrolli i Lartë i Shtetit pohon zyrtarisht se prokurimi i drejtëpërdrejtë i një marrëveshjeje reklame me vlerë prej 1,3 milionë eurosh nuk është i rregullt, pra që duhet të ishte bërë me tender të hapur, atëherë Gersterit i ka ardhur radha. Kush gabon në këtë formë nuk ka mandat për të fajësuar në emër të kancelarit ata që punojnë në të zezë dhe ata që kërkojnë lëmoshën e shërbimeve shoqërore. Atëherë "bashkëpunëtori më i mirë" i Schröderit duhet të japë dorëheqjen dhe të vihet edhe vetë në kërkim të vendit të punës - në fakt. Por në "Rastin Gerster" nuk është fjala për moral, por për pushtet dhe ky ndjek një logjikë të tijën, e cila shpesh ndryshon nga ajo e zakonshme."


Lidhur me porositjen e 900 BMW-ve si automjete shërbimi nga ana e Entit të Punës gazeta Frankfurter Allgemeine shkruan:

"Së paku Enti i Punës i kundërvihet akuzës së ngritur për tipa të shtrenjtë automjetesh duke tërhequr vëmendjen tek kushtet e favorshme të marrëveshjes leasing, pra të huazimit të tyre. Në Nyremberg askush nuk është kujtuar se paraqitja me markën bavareze nobël mund të keqkuptohet - sipas motos: Me katër milionë të papunë Enti i Punës është në një gjendje aq të mirë saqë ndërmjetësuesit e tij ngasin automjete shërbimi edhe më sportive dhe prestigjioze. Me automjet shërbimi shërbehet, i shërbehet shtetit dhe shtetasve të tij."