Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 03.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Deficiti dramatik buxhetor i SHBA, përhapja pa pengesë e gripit të zogjve dhe mosmarrëveshjet në koalicionin qeveritar në Gjermani për reformat sociale, këto janë sot temat kryesore të shtypit gjerman. Gazeta FRANKFURTER ALGEMAJNE CAJTUNG (FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG) e hedh vështrimin përtej Atlantikut - dhe vëren me preokupim borxhet e grumbulluara nga presidenti Xhorxh Bush: "Qeveria e Uashingtonit mbështetet thuajse tërësisht në forcën e konjukturës, për ta përgjysmuar deficitin në pesë vitet e ardhshme. Shkurtime te nevojshme për konsolidimin e qendrueshëm të buxhetit nuk janë parashikuar. Kjo ka të bëjë ndoshta me faktin që Bushi, në fillim të një viti kur dëshiron të rizgjidhet nuk do t'i lëndojë zgjedhësit e tij. Vendit dhe qytetarëve të tij ai sigurisht do t'u bënte një shërbim më të madh, po t'ua lehtësonte barrën e borxheve." Ndërojmë temë: gazeta SHTUTGARTER NAHRIHTEN (STUTTGARTER NACHRICHTEN) trajton temën e gripit të zogjve: "Në shumë elementë të kujtohet situata e vitit të kaluar. Atëherë ishte sëmundja e mushkërive SARS, rrezikun e së cilës shtetet e prekura - në radhë të parë Kina - ose nuk donin ta pranonin, ose donin ta fshihnin. Më në fund, mezi u arrit me forca të përbashkëta që epidemia e re të mbahet nën kontroll. Cfarë mësojmë nga kjo? Që politika e dhënies së informacioneve me tableta të vogla vetëm ushqen frikën.Që vetëm përpjekjet e përbashkëta të Bashkësisë Ndërkombëtare në rastin e sëmundjeve virale kërcënuese mund të jenë të suksesshme - fshati ynë global mund të mbrohet kundër mjeshtrave të mbijetesës si viruset vetëm po të bjerë dakord për masa të përbashkëta - masa që edhe t'i zbatojë." Ndërsa gazeta HESISHE/NIDERZEKSISCHE ALGEMAJNE (HESSISCHE/NIEDERSÄCHSISCHE ALLGEMEINE) tërheq vëmendjen: "Të gjithë përbërësit flasin për një skenar tmerri dhe rrënqethës. Sepse ku faktet lënë për të dëshiruar,atje lulëzojnë spekullimet; atje ku sundon pasiguria, atje ushqehet histeria. Në këtë situatë kërkohet një mendje e kthjellët. Dhe në këtë rast është mirë të kujtohet se autoritetet aziatike, ndryshe nga mënyra e veprimit në rastin e shpërthimit të epidemisë së Saars-it- luajnë këtë herë me letra të hapura; dhe që në Evropë që tani janë vendosur ndalime të importit për shpendë nga vendet e rrezikuara. Motoja pra është kujdes dhe parandalim- dhe jo histeri e përhapje paniku" Kalojmë në politikën e brendshme gjermane. Në lidhje me debatin për reformat në Gjermani, gazeta ESLINGER CAJTUNG (ESSLINGER ZEITUNG) vëren: "Ai që vështron debatin për ritmin e reformave në Gjermani, ose mund të tundë kokën pa marrë vesh gjë, ose të kërkojë me cinizëm një limit për ritmin e ecjes nga koalicioni kuq e gjelbër. Sepse, përballë shumë problemeve që presin për zgjidhje, cilado qeveri gjermane, pavarësisht nga ngjyra politike, duhej ta shkelte pedalin e gazit deri në fund" Gazeta MANHAJMER MORGEN (MANNHEIMER MORGEN) është e mendimit: "Natyrisht, frika e socialdemokratëve nga reformat e tjera nuk është e rastësishme. Vetëm me mundim arriti ta kalonte kancelari Shrëder (paketën e tij të reformave)"axhenda 2010" vitin e kaluar në dhomën e ulët dhe atë të landeve të parlamentit. Por në vend të lëvdatave, se u bë ajo që duhej për vendin, tani që qytetarët po ndiejnë pasojat e para të reformës, ka vetëm dru. Mllefi dhe zemërimi i njerëzve zbrazet krejtësisht tek qeveria dhe jo tek opozita, e cila tha "po"-në e saj, duke u bërë bashkëpërgjegjëse." Dhe gazeta e Dyseldorfit HANDELSBLAT (HANDELSBLATT) : "Shrëderi paraqiti për vitin reformator 2003 me axhendën e tij 2010 një masterplan, i cili e mbajti të bashkuar koalicionin kuq e gjelbër në kohë të vështira. Kjo fuqi drejtuese duket se po i humbet kancelarit socialdemokrat në vitin elektoral 2004 - asnjë masterplan- askund." Në gazetën LYBEKER NAHRIHTEN (LÜBECKER NACHRICHTEN) lexojmë: "Partia Socialdemokrate nuk kritikohet kaq shumë, sepse kërkon kaq shumë nga njerëzit.Jo, zgjedhësi është nevrikosur me PSD, sepse ajo vazhdon të mos jetë në gjendje t'i kryejë ndryshimet e nevojshme në atë mënyrë, që në radhë të parë të jenë të kuptueshme për qytetarin dhe së dyti t'i sajojë ato teknikisht në mënyrë solide." Ndërsa gazeta OFENBAH-POST (OFFENBACH-POST) hedh vështrimin pas tek reforma e kaluar- reforma e taksave: "Të gjitha si kanë qenë. Dhe qytetari i zakonshëm sërish tund kokën, i shqetësuar për atë që do të vijë ende dhe me zhgënjim të thellë për tringëllimën e dobët të monedhave në portofolin e tij, në një kohë kur reforma e taksave u shpall me potere të madhe dhe pritej t'u sillte qytetarëve para të tjera për të blerë. Fatura e parë për rrogën e vitit 2003 flet, nën emërues, një gjuhë tjetër." Përgatitur nga Auron Dodi
  • Data 03.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2Z
  • Data 03.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2Z