1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Pandeli Pani11 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/As2N
Shtypi gjerman trajton sot çështjen e ndalimit të simboleve fetare në shkollat franceze, si dhe propozimin e Komisionit të BE për një rritje të ndjeshme të buxhetit të përbashkët të BE-së pavarësisht prej problemeve financiare me të cilat ndeshen vendet e ndryshme anëtare.

Fillimisht një pjesë nga komenti i Noje Rur/Noje Rain Cajtung:

"Parlamenti francez veproi me shpejtësi dhe rigorizitet. Franca dëshiron t'i tregojë kufirin islamizimit dhe jo fesë mulsimane. Por në këtë mes del në pah një dobësi individuale. Ideja e madhe që gjithkush mund të bëhet një qytetar me të drejta të plota pavarësisht prej besimit të tij, ka kohë që është zbehur në getot në periferitë e qyteteve. Dhe pikërisht aty ku të rinjtë kanë humbur çdo shpresë për një të ardhme pa papunësi dhe kriminalitet, islamistët përpiqen të gjejnë pasues të rinj. Pra problemi themelor nuk ka karakter fetar por karakter social.

Kurse gazeta Noje Zyrher Cajtung shkruan:

"Shumëkush ka frikë se ndalimi i shamive të kokës për femrat muslimane mund të çojë në helmimin e gjendjes, në provokime nëpër shkolla, apo në një miniluftë të panevojshme për një copë leckë. Me këtë nuk nxiten më tej integrimi dhe njësia apo kohezioni, por përkundrazi separacioni dhe margjinalizimi shoqëror. Pra ka rrezik që lufta kundër ferexheve të ketë një efekt krejt të kundërt nga ç'ka synon. Vendimi i parlamentit nuk ishte oportunist. Shumë më tepër asambleja kombëtare bëri të qartë se vlerat e republikës kanë prioritet kundrejt pretendimeve të individëve apo grupeve të caktuara individësh. Ky është një sinjal pasojat e të cilit do t'i kapërcejnë kufijtë e shkollave. Rregullat dhe zakonet e shumicës autoktone të vendit duhet të kenë prioritet kundrejt zakoneve dhe dokeve të minoriteteve të emigrantëve."

Në komentin e DW për këtë temë ndër të tjera thuhet:

"Pas Turqisë, Franca është në Evropë vendi me numrin më të madh të muslimanëve, gjithsej 5 milionë. Nga ana tjetër duke pasur një ndarje të rreptë mes shtetit dhe fesë, parimi francez është që të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë dhe të mos ketë të drejta të posaçme për këtë apo atë grup. Megjithatë ligji për shamitë e kokës është ose pa asnjë lloj vlere, ose kontraproduktiv e madje i rrezikshëm. Vetë autorët e ligjit janë të ndërgjegjshëm se kreativiteti i të rinjve, apo moda do të gjejë ndonjë mënyrë për ta anashkaluar ndalimin e shamive të kokës. Shumë mësues kanë tërhequr vëmendjen, duke thënë se shkolla duhet të jetë një laborator i tolerancës dhe i dialogut. Shtypja apo ndalimi përmes ligjit nuk është një metodë e favorshme për t'u mësuar të rinjve rregullat e demokracisë.

Kalojmë tani në një temë tjetër: pretendimet e Komisionit Evropian për shtimin e buxhetit të përbashkët të BE-së pavarësisht prej gjëndjes së vështirë ekonomike të vendeve anëtare. Në lidhje me këtë gazeta Nojë Osnabryker Cajtung shkruan:

"Megjithëse të gjithëve u duhet të kursejnë presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi dhe shumica e kolegëve të tij besojnë se mund të grumbullojnë dhe të shpërndajnë edhe më shumë para se deri tani. Një qëndrim i tillë është sa zhgënjyes edhe kontradiktor. Jo vetëm Gjermania dhe Franca, por edhe Britania e Madhe, Holanda apo Italia pritet të dënohen prej Komisionit të BE-së për shkak të borxheve të tyre. Nga ana tjetër ky komision kërkon shtimin e kontributeve të çdo vendi anëtar për financimin e buxhetit të përbashkët të BE-së. Po si mund të arrihet në një përfundim të tillë? Shpjegimi është i thjeshtë. Komisionerët zgjodhën rrugën më të thjeshtë duke mbledhur thjesht shumat që u nevojiten. Pra në rast se BE do të marrë përsipër detyra të reja për shkak të zgjerimit të tij drejt lindjes, atëhere duhen më shumë para për përballimin e tyre. Komisionerët nuk u morën me çështjen e përcaktimit të përparësive të reja, edhe pse me zgjerimin territorial BE po arrin kufijtë dhe limitet e veta financiare. Në këtë kuadër BE-ja duhet të përcaktojë qartë se ç'kërkon. Vërtet që duhet që vendet e reja anëtare të ndihmohen për të vepruar më ashpër kundër emigracionit ilegal, për të përfaqësuar më fuqishëm në arenën ndërkombëtare etj. Por ana ana tjetër kjo do të thotë se duhen bërë kursime në sektorë të tjerë. Kjo do të thotë p.sh. më pak ndihma dhe subvencioneme për bujqësinë, apo ndihma strukturore për zonat e prapambetura të BE-së. Sqarimi i të gjitha këtyre çështjeve varet prej 25 kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare, ata duhet të tregojnë se janë në gjendje t'i mendojnë gjërat më mirë se sa Komisioni në Bruksel. BE-ja gjendet përpara një rruge tepër të vështirë, sikurse është edhe ajo e Kushtetutës.