1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Esat Ahmeti1 Mars 2004

Nga temat ndërkombëtare që në këtë fillimjavë dominojnë në të përditshmet gjermane është eskalimi i gjendjes në shtetin e Karaibeve Haiti, posaçërisht pas arratisjes në ekzil të presidentit Bertrand Aristide.

https://p.dw.com/p/As24
Trazirat në Haiti temë qendrore në gazetat gjermane
Trazirat në Haiti temë qendrore në gazetat gjermaneFotografi: AP

Gazeta DRESDNER NEUESTEN NACHRICHTEN vëren:

"Për një kohë mjaft të gjatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë injoruar që luftëtari i dikurshëm i lirisë ngadalë po kthehej në autokrat dhe po e fuste vendin në mjerim... Rebelët aktualisht para së gjithash tërheqin vëmendjen si mercenarë vrasës dhe plaçkitës. Ekipi i vjetër i sundimtarëve është diskualifikuar dhe opozita ende nuk i ka marrë këmbët si duhet", vlerëson DRESDNER NEUESTEN NACHRICHTEN në komentin e saj.

Ndërkaq e përditshmja HANDELSBLATT e cila botohet në Dyseldorf kërkon një ndërhyrje të gjithanshme ndërkombëtare:

"Vet fakti që rebelët ngadhnjimtarë duan të jenë sundimtarë të ri në Haiti është një paramendim që të fut tmerrin. Për aq sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca si ish-fuqi koloniale kanë kundruar si Haiti po shkonte drejt kaosit shtetëror për aq tani ato obligohen që të ndihmojnë vendin në rindërtimin e tij politik", komenton HANDELSBLATT.

Një temë tjetër që sot trajtohet si në gazetat gjermane ashtu dhe nga vet redaksia qendrore e Deutsche Velles është edhe takimi në mes të kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush. Lidhur me takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë në komentin e tij Bernd Rigert shkruan:

"Në njëfarë mënyre doli se ai kishte të drejtë sa i përket armëve të shkatërrimit në masë, Irakut dhe logjikës së luftës. Gerhard Shrëder vizitoi me një lloj lehtësimi të brendshëm Shtëpinë e Bardhë ndërkohë që nikoqiri i tij, presidenti amerikan Xhorxh Bush pas luftës në Irakut ndodhet nën presion.

Këtë ndjenjë natyrisht kancelari Shrëder nuk do ta shfaqte asnjëherë por me siguri në vete mund të qeshet pak. Bush ka lejuar sërish Shrëderin të futet në vendin e shenjtë të politikës botërore, në zyrën ovale, larg së cilës ndodhej për dy vjet me radhë. Ky nuk ishte një pajtim që u bë nga dëshira por thjesht një kalkulim politik i cili do të jetë i gjallë vetëm për aq kohë sa do të jetë i nevojshëm.

Të dy, Bush dhe Shrëder e dinë shumë mirë se mund të përfitojnë nga njëri-trjetri. Presidenti ka nevojë për aleatë që në fushatën parazgjedhore të mos mbetet si kauboj i vetmuar. Për të është shumë me rëndësi që tani ushtarët gjerman të Bundesvehrit ndihmojnë në Afganistan dhe Bosnjë të cilët në njëfarë mënyre nxjerrin për të gështenjat nga prushi. Poashtu në Uashington shihet me kënaqësi se si kancelari Shrëder angazhohet për antarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, gjë që kërkohet me ngulm nga amerikanët. Fakti që kancelari gjerman refuzon të dërgoj trupa në Irak pranohet nga presidenti Bush.

Nga ana tjetër kancelari i dobësuar në atdhe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t`ia paraqes elektoratit si sukses në politikën e jashtme: shikoni këtu, unë jam prapë dikushi. Fotografi të bukura nga Amerika. Deri në zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Shrëder nuk do të largohet nga kursi i tij politik për Irakun. Gjendja mund të ndryshoj pastaj vetëm nëse zgjedhjet fitohen nga demokrati Xhon Kerri.

Motoja nga lufta e Irakut, e shpallur atëherë nga këshilltarja e presidentit për siguri kombëtare Kondoleza Rajs sipas të cilës duhet të injorohet gjermanët, tani ka vdekur. Aktualisht punohet në afrimin e kundërshtarëve të luftës, natyrisht kur dihet se për ta ka nevojë. Një Evropë e përçarë nuk i shkon tash për shtati Amerikës.

Megjithatë edhe pse Bush ka filluar të lëshoj pe në raportet me palën gjermane nuk duhet harruar se burri nga Teksasi nuk harron lehtë. Ai me siguri se e din ende që një ministre e kabinetit të Shrëderit atë e pat krahasur me Hitlerin dhe ishte shkarkuar nga posti vetëm pas fitimit të zgjedhjeve.

Megjithatë në muajt e ardhshëm presidenti dhe kancelari do të kenë shumë mundësi që të afrohen edhe më shumë me njëri-tjetrin. Në radhë është festimi i 60 vjetorit të zbarkimit të trupave aleate në Normandi, samiti i G-tetës në Gjeorgji dhe samiti i Natos në Stamboll" lexojmë në komentin e Deutsche Velles lidhur me vizitën e kancelarit Shrëder në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.