1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Herbert Peckmann17 Mars 2004

Tema qendore në gazetat gjermane këtë të mërkurë janë pasojat politike të sulmeve të fundit terroriste në Spanjë dhe vendimi i Gjykatës së Lartë kushtetuese gjermane sipas të cilit ligjet federale kundër qenëve të racës luftarake janë pjesërisht antikushtetuese

https://p.dw.com/p/As1k


Lidhur me kërkesën e ushtruesit të detyrës së kryeministrit spanjoll Zapatero për një Rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara për Irakun FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan:

"Tërheqja e mundshme e trupave spanjolle nga Iraku në mungesë të një mandati të qartë të Kombeve të Bashkuara nuk do të thotë nënshtrim përballë bombave. Megjithatë kjo mund të festohet nga terrositët si fitore. Kush e konsideron si të pashmangshme këtë dilemë tragjike, atëherë do të thotë se nuk e ka dëgjuar me vëmendje Rodrigez Zapateron, fituesin e zgjedhjeve në Spanjë. Së pari, ai ka shpallur luftën kundër terrorizmit me prioritet për punën e tij. Së dyti, ai ka treguar rrugën se si mund të pengohet çdo triumf indirekt i El Kaidës: me një Rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara për Irakun. Vrasjet në Irak së fundi edhe e një inxhinieri gjerman qesin në pah edhe më shumë gjendjen e rrezikshme. Një Rezolutë e re për Irakun për të cilën ka javë që po flitet në Nju Jork mund të jetë një rast i mirë për një fillim të ri", lexojmë në Frankfurter Rundschau.

I ngjashëm është edhe komenti i gazetës berlineze DIE WELT. Në të lexojmë:

"Në prapaskenë si qeveritë e Evropës së moçme ashtu edhe asaj të re bëjnë presion tek kryeministri i ardhshëm Hose Zapatero që të mos ndryshoj kursin politik të paraardhësit të tij, të paktën edhe për disa muaj. Ajo çka Aznar nuk arriti ta bëj sa ishte në pushtet ia doli mbanë tash pas daljes nga pallati qeveritar: ish-kryeministri konservator nuk po bashkon në linjën e tij vetëm kontinentin por afron me njëri-tjetrin edhe amerikanët me evropianët. Shkaku për këtë dihet. Kush i bashkohet një ndryshimi të tillë të kursit politik pas një sulmi të përmasave të tillë të El-Kaidës, do të thotë se i nënshtrohet terrorizmit", nënvizon Die Welt.

Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG lidhur me këtë mendon:

"Nëse qeveria e Bushit përpiqet me të vërtetë për një Rezolutë të Kombeve të Bashkuara për t`i dhënë trupava të huaja në Irak një bazë më të fortë të së drejtës ndërkombëtare dhe për të mos humbur Spanjën në këtë mes atëherë është e drejtë, Uashingtoni këtë ka mundur ta bëj edhe më herët. Fakti që presidenti francez Zhak Shirak dhe kancelari gjerman Gerhard Shrëder tani duan që me të gjitha mjetet, policore, shërbimeve të fshehta, ushtarake dhe civile të evropianizojnë luftimin e terrorizmit është i arsyeshëm. Siç duket kancelari gjerman ka të drejtë kur thotë se terrorizmi do të na shoqëroj për një kohë të gjatë", thekson Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Dukë ndërruar temë kalojmë në gazetën MANNHEIMER MORGEN e cila sot komenton vendimin e Gjykatës së Lartë Kushtetuese për qentë e racës luftarake.

"Një shumicë e madhe i sheh qentë luftarak si rrezik që duhet evituar patjetër. Disa pronarë të kësaj race e shohin ngjitjen e rripit qenëve të tyre qafëshkurëtër si krimin më të rëndë të kohës sonë. Shumë pronarë të qenëve të racave shumë të buta nxjerrin qentë e tyre në shetitje me rrip", nënvizon Mannheimer Morgen.

Ky aspekt trajtohet edhe nga gazeta BERLINER KURIER. Aty thuhet:

"Eshtë me vend që Berlini tash përfundimisht dëshiron të ndaloj rritjen dhe Gjykata kushtetuese ka konfirmuar ndalim importin për kafshët e tilla. Nëse respektohen ligjet atëherë ky problem do të jetë zgjidhur brenda disa vitesh", shkruan Berliner Kurier.

Ndërkaq në Weser-Kurier të Bremenit thuhet:

"Debati për qentë e racës luftarake i është shmangur problemit të vërtetë: ata nuk janë qentë por pronarët e tyre. Çdo mbajtës qeni me përvojë dhe në veçanti ata që miren me trajnimin e tyre e dinë shumë mirë se lehtë është që agresiv të bëhet edhe një qen shtëpiak", nënvizon Weser Kurier.