1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Michael Wehling20 Prill 2004

Paralajmërimi i kryeministrit të ri spanjoll Hose Luiz Rodrigez Zapatero për tërheqjen e rreth 1300 ushtarëve të vendit të tij nga Iraku është temë qendrore në komentet e të përditshmeve gjermane këtë të martë

https://p.dw.com/p/As0u
Logo e gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung
Logo e gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung

Në një sondazh spontan të radiostacionit "Kadena Ser" mbi 90 për qind e spanjollëve të anketuar e përshëndetën kthimin e trupave të tyre nga Iraku. Qëndrimi refuzues ndaj politikës së mëparshme spanjolle për Irakun duket se është përsëri aq i fortë sa vitin e kaluar në fillim të luftës. Dhe aq i fortë sa më 14 mars për zgjedhjet parlamentare në vend kur socialisti Hosé Luiz Zapatero fitoi papritur.

Por ndryshe, me skeptike për vendimin shprehet gazeta "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG":

"Zapatero justifikon vendosmërinë e tij me faktin se një qeveri nuk guxon të veproj kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve. Ky është parimi konstituiv i demokracisë. Njëkohësisht qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike duhet të kujdesen që parimet e tilla mos të kuptohen nga armiqët e jashtëm si dobësi e madhe e kësaj forme shtetërore. Por Spanja është në rrugë që në librat e terrorizmit transnacional të shërbej si shembull si një qeveri largon me bomba trupat e saj nga një vend dhe një vend nga aleanca me amerikanët".

Qëndrim kritik ndaj vendimit të kryeministrit të ri Zapatero mban edhe gazeta "DIE WELT" e cila botohet në Berlin:

"Ende pa filluar mirë që kryeministri i ri spanjoll Zapatero të tërheq trupat e tij nga Iraku, prijësi i shiitëve Muktada El Sadr prezantohet si fitimtar... Edhe njëherë më shumë kjo tregon se sa kjo përthyerje para terroristëve dhe predikuesëve të dhunës u rrit atyre vlerën" lexojmë në Die Welt.

Ndërkohë zhvillimet e fundit ndryshe argumentohen nga gazeta "FRANKFURTER RUNDSCHAU":

"Tërheqja e Zapaetros nga Iraku nuk është aksion naiv i një qeverie të sapolindur por një porosi e qartë: angazhim në Irak po por angazhim që do të sillte paqe. Pushtimi amerikan, kaq kuptim për politikën reale duhet të ketë kryeministri i ri spanjoll, është duke dëshmuar të kundërtën", vlerëson Frankfurter Rundschau.

Ndërkaq në "FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND" thuhet:

"Natyrisht se po të mirret parasysh gjendja aktuale irakianët hapin e kryeministrit spanjoll do ta shohin si fitoren e tyre - pavarësisht intencave të Zapateros. Përveç kësaj veprimet e fundit vën nën presion edhe vendet aleate. Në Poloni dhe Japoni përshembull ka kritika të vazhdueshme për praninë e tyre në Irak. Ato mund ta shohin veten të detyruara që të ndjekin hapin e qeverisë spanjolle", nënvizon gazeta Financial Times Deutschland".

Tërheqja e trupave spanjolle nga Iraku sot komnetohet edhe nga komentatorët e "Dojçe Velles". Në komentin e Heinrich Bergstreeser ndër të tjera lexojmë:

"Vendimi i shpejt i Zapateros, pas analizës kritike të gjendjes plotësisht të ngatërruar aktuale në Irak si dhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është i guximshëm. Kjo për faktin se ai thekson besimin e tij në politikën e brendshme dhe bën të qartë se të gjitha opcionet për misionet e ardhshme të zgjidhjes së krizës në Irak duhet të kërkohen vetëm në kuadër ndërkombëtar. Por diçka tjetër është poaq e rëndësishme në këtë mes: Zapatero ka kthyer në vend sërish koordinatat e ndryshuara në mënyrë ekstreme nga paraardhësi i tij. Kjo për kaktin se Spanja ndodhet më afër Evropës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është pjesë përbërëse e Evropës si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik, kulturor dhe gjeografik. Shikuar nga ana strategjike ushtarake tërheqja e trupave spanjolle nuk ka pothuajse asnjë domethënje. Por nga ana simbolike për koalicionin e trupave pushtuese nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe është katastrofal. Spanja nuk do të jetë vendi i vetëm i këtij koalicioni që me kohë dhe me vetforcë do të largohet nga gropa e thellë me emrin Irak. Hondurasi është vendi i ardhshëm, vendet tjera janë në radhë" nënvizohet në komentin e Dojçe Velles lidhur me vendimin e kryeministrit të ri spanjoll Zapatero për tërheqjen e trupave spanjolle nga Iraku.