Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 08.06.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Rezoluta e re per Irakun dhe rënia dakord e landeve dhe federatës për mbështetjen e universiteteve elitë preokupojnë ndër të tjera sot komentatorët e gazetave gjermane

default


Në lidhje me rezolutën për Irakun, gazeta e Berlinit NOJES DOJCLAND (NEUES DEUTSCHLAND) shkruan:

"Deri në fund, para së gjithash Franca dhe Rusia ngulën këmbë në debate për një tërheqje sa më të shpejtë të "Koalicionit të atyre që duan" dhe për të drejta më të mëdha kontrolli për Bagdadin. "Kancelari i fuqisë paqësore", Gerhard Shrëder ndërkohë e ka pakësuar shumë kritikën ndaj luftës dhe pushtimit të SHBA. Në bregun perëndimor të Atlantikut, ditët e ardhshme do të trumbetohet më shumë se një herë "partneriteti atlantik". Por përtej fjalive të bukura të D-Day dhe fjalimeve të G-8-ës mbeten të cara të mëdha. Pavarësisht se si quhen ato: luftë e Irakut, Gjykatë Penale Ndërkombëtare, Protkoll i Klimës, luftë preventive apo armatim në hapësirë."


Gazeta MERKISCHE ODERCAJTUNG (MÄRKISCHE ODERZEITUNG) nga Frankfurti mbi Oder është e mendimit:


"Sigurisht edhe një rezolutë e re e pranuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk është garanci për atë se spiralja e dhunës do të ndalet. Askush nuk mund të parashikojë nëse dorëzimi i pushtetit do të bëhet vërtet në planin e caktuar kohor. As irakianët vetë nuk besojnë se do të kenë në duart e tyre deri në fund të vitit 2005 struktura irakiane efektive. Mbetet e hapur nëse ky vend do të shpërbëhet në bazë të dallimeve të mëdha politike, etnike dhe fetare. Prandaj nuk ka asnjë shkak për rrahje shpatullash, kur ithtarët dhe kundërshtarët e luftës prej ditës së sotme do të tymosin në takimin e nivelit të lartë të G-8-ës llullën e paqes. Baruti në Irak nuk është tharë ende."


Rënia dakord e federatës dhe e landeve të Gjermanisë për ngritjen e universiteteve elitë komentohet nga gazeta LYBEKER NAHRIHTEN (LÜBECKER NACHRICHTEN):


"Federata dhe landet ranë dakord për nxitjen e qëllimshme të kërkimeve dhe doktrinave të shquara. Vetëm ky fakt mund të quhet sukses, po të kesh parasysh numrin e shteteve tona të vogla, që pikërisht në fushën e arsimit merr shpesh forma të çuditshme. Dhe kjo është një pranim, që ne duhet të bëhemi më të mirë. Ne kemi shumë shkencëtarë të zgjuar dhe të aftë. Ata kanë nevojë për hapësirë pune për të mundur të shpalosin aftësitë e tyre.

Në gazetën FRANKFURTER RUNDSHAU (FRANKFURTER RUNDSCHAU) për këtë temë lexojmë:

"Se kush do të bëjë pjesë në fund tek dhjetë të shkëlqyerit, kjo mund të llogaritet sipas parimit proporcional dhe pas vështrimit tek juria: universiteti Humboldt i Berlinit, Universiteti teknik i Mynihut, ndoshta edhe Hajdelbergu. Këshilli shkencor sapo dënoi shkurtimet drastike në ndërtimin e shkollave të larta në federatë dhe lande. Mungojnë 350 milionë euro. Pothuajse kaq para sa do t'u dhurohen universiteteve elitare.

Ndërsa gazeta MANHAJMER MORGEN (MANHEIMER MORGEN) deklaron në mënyrë lapidare:


"Një kompromis, i cili nuk mund të ishte më tipik: federata kërkoi një kulm më të lartë, landet që druhen se po u ikin nga duart kompetencat, një kulm më të gjerë, dhe ajo që rezultoi ishte ngritja e një kulmi me majë të këputur dhe me zgjerime të vogla rreth e rrotull."

  • Data 08.06.2004
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As04
  • Data 08.06.2004
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As04