1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

16 Korrik 2004

Gazetat e sotme gjermane kanë në qendër të vëmendjes dënimin e Maks Strausit, djalit të Franc Jozef Strausit, i cili u dënua me tre vjet e gjysmë heqje lirie për shkak se nuk u ishte përgjigjur detyrimeve fiskale si dhe planet e komisionit qeveritar për reformimin e sistemit të sigurimeve shëndetsore në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArzN
Maks Strauß duke dëgjuar vendimin e trupit gjykues
Maks Strauß duke dëgjuar vendimin e trupit gjykuesFotografi: AP

Në lidhje me procesin ndaj djalit të Franc Jozef Strausit, gazeta Mittelbayerische Zeitung shkruan:

"Familja Strauß demonstron unitet. Si Georg Strauß edhe Monika Hohlmeier, janë përkrah vëllait të tyre. Një qëndrim ky sa njerëzor aq edhe simpatik. Po Monika Hohlmeier është edhe ministre në qeverinë e landit të Bavarisë, kryetare e degës së kësaj partie për Mynihur, si dhe një prej shpresave të partisë kristin-sociale. Si i bëhet hallit në këtë mes, çfarë është më e rëndësishme, politika apo familia? Mbiemri i vajzërisë Strauß, që i vjen gjithmonë në ndihmë, po i bëhet këto ditë barrë. Po edhe në këtë pikë partia mendon dhe vepron në mënyrë pragmatike. Në piedestalin e baba Straußit, nuk guxon njeri të bëjë as gërrvishtjen më të vogël, ndërkohë që me shkarjet e Strauß të ri, nuk do të ketë të bëjë njeri."

Në gazetën Berliner Zeitung për këtë temë lexojmë:

"Pa procesin kundër tregëtarit të armëve Schreiber, i cili i kishte dhënë një bakshish të majmë, në formë shpërblimi Straußit, rasti i këtij të fundit nuk do të ishte zbuluar. Po ashtu pa rastin e Schreiberit, opinioni nuk do të kishte marrë gjë vesh për donacionet ilegale që kishin rrjedhur në arkat e Partisë Demokristiane (CDU). Pa daljen në shesh të këtyre rasteve opinioni nuk do të ishte përballur as me shkeljet e ligjit nga ana e Helmut Kohlit dhe as me përbetimet e tij prej budalli se kishte dhënë fjalën e nderit. Pa këto afera në krye të CDU-së do të vazhdonte të ishte Wolfgang Schäuble dhe jo, ajo që është sot, Angela Merkel."

Temë tjetër që preokupon gazetat gjermane është reformimi i sistemit shëndetsor në Gjermani, për të cilin ka vite që partitë paraqesin plane pas planesh, dhe projekte pas projetesh. Së fundi qeveria gjermane krijoi edhe një komision të posaçëm për këtë çështje që mban emrin e drejtuesit të tij, Rürüp. Në lidhje planet e komisionit Rürüp në gazetën General Anzeiger lexojmë:

"Eshtë urgjentisht e domosdoshme që partitë e bashkimit demokristian të bien dakord për një formulë për zgjidhjen e problemit të lehtësimit të personave me të ardhura të pakta prej barrës së kuotës së sigurimeve shëndetsore. Në të ardhmen pritet që kjo shumë të jetë e njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga mosha, apo nga të ardhurat. Deri tani partia demokristiane e ka refuzuar përgjigjen për këtë propozim, sepse e di që në këtë rast duhet të luajë me letra të hapura dhe t'u thotë njerëzve të vërtetën. Në përmbajtjen e kësaj të vërtete bën pjesë edhe pranimi i faktit, se ideja e hedhur prej kësaj partie për pagimin e një kuote për shëndetsinë, nuk është mjet magjik për zgjidhjen e të gjitha problemeve që sjell me vete shtimi i shpenzimeve për sistemin shëndetsor."

Edhe gazeta Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung mendon se planet e komisionit Rürüp janë të drejta.

"Zoti Rürüp nuk është magjistar, por ekonomist dhe edhe për të 2 + 2 bëjnë 4. Pra lehtësimet në drejtim të sigurimeve shëndetsore në njërën anë duhet të përballohen prej ngritjes së taksave nga ana tjetër. Sigurimi shëndetsor nuk duhet të përjashtohet prej spektrit të përgjithshëm ekonomiko-shoqëror për shkak të shpenzimeve të tij larta. Ky është edhe gabimi kryesor i modelit zviceran, me sistemin e sigurmit për qytetarët. Edhe pse për pika të caktuara të modelit të komisionit Rürüp mund të ketë diksutime, ai duhet parapëlqyer në lidhje me të tjerët, sepse ky merr para sysh edhe problemet në tregun e punës."