1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Annamaria Sigrist26 Korrik 2004

Të përditshmet gjermane sot mirren kryesisht me gjendjen në Izrael. Atje po shtohen protestat kundër planeve të kryeministrit Ariel Sharon për largimin e ngulimeve hebreje nga Rripi i Gazës. Gjithashtu vëmendje e veçantë i kushtohet edhe propozimit të ministrit të brendshëm gjerman Otto Shili për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Afrikën e Veriut.

https://p.dw.com/p/ArzE

Lidhur me situatën në Izrael gazeta RHEINPFALZ e cila botohet në Ludvigshafen shkruan:

"Shenjat e rrezikshme për sulmet e planifikuara të fanatikëve hebrej nacionalistë kundër Malit të shenjtë shtohen njëjtë sikurse paralajmërimet për mundësinë e një atentati kundër kryeministrit Ariel Sharon. Edhe pse shërbimet e fshehta nuk disponojnë me informata specifike për ndonjë atetator potencial prapëseprapë vërehet se ekzistojnë qëllimet për kryerjen e një akti të tillë. Një sulm ndaj Malit të shenjtë do të shkaktonte një reagim ekstrem të botës arabe islamike sa që vëzhguesit frikësohen se një akt i tillë do t`i fuste flakën tërë Lindjes së Mesme dhe Izraelin do të implikonte në një luftë fetare me qindra milionë myslimanë", vëren gazeta Rheinpfalz.

Ndërkaq e përditshmja NEUE OSNABRÜCKER ZEITUNG shton:

"Se çfarë fuqie shpërthyese përmban tërheqja e planifikuar e ngulimeve hebreje nga Rripi i Gazës po bëhet gjithnjë e më e qartë: në mesin e grupeve palestineze po zien lufta për pushtet dhe njëkohësisht ekstremistët hebrenj planifikojnë sulme të rrezikshme kundër Sharonit dhe siç duket edhe kundër Malit të shenjtë. Pa marrë parasysh se ku do të shpërthente dhuna ajo do të pasohej nga një reagim i përmasave të paparashikuara zingjirë me rrethana edhe më kaotike dhe një gjë e tillë duhet të mënjanohet", mendon Neue Osnabrücker Zeitung.

Ndërkohë edhe propozimit të ministrit të brendshëm gjerman Oto Shili për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Afrikën e Veriut sot i kushtohet vëmendje e veçantë nga shtypi gjerman. Në STUTTGARTER ZEITUNG thuhet:

"Nëse autoritetet evropiane të azilimit duan të ngrejnë në të vërtetë qendra të jashtme në Afrikën e Veriut atëherë një lloj gjase do të kenë edhe më të dobëtit e më të varfërit. Fati i tyre nuk do të varet më nga kontrabanduesit e njerëzve si deri tash për udhëtimet në Evropë. Kusht me siguri do të ishte nëse Shili mendon seriozisht se parametrat atje nuk do të ishin tjerë prej një shqyrtimi të rastit këtu, para së gjithash për faktin që nëse dikush me të vërtetë plotëson kushtet për të drejtën e azilit atëherë të guxoj të vij këtu", lexojmë në Stuttgarter Zeitung.


Ndërkaq e përditshmja tjetër MÄRKISCHE ODERZEITUNG nga Frankfurti dyshon në jetësimin e propozimit të ministrit Shili:

"Gjermanët duhet të jenë më të kujdesshëm me propozimet e tyre. Përveç kësaj regjimet jostabile në Afrikën e Veriut nuk do të jenë të gatshme të deportojnë problemet e zezakëve afrikanë në vend. Dhe vet refugjatët duan të jenë të lirë, të sigurtë dhe të gëzojnë mirëqenje diku në Evropë e jo prapa telave gjemborë diku në shtete arabe. Ata edhe më tej do të rrezikojnë jetën e tyre. Jo, diçka e tillë nuk mund të funksionoj as edhe nën vëzhgimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara", konkludon Märkische Oderzeitung.