Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 20.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Tema mbizotëruese e komenteve të të përditshmeve gjermane është edhe sot reforma në tregun e punës. Gjithashtu komentohet gjendja në Irak si dhe situata në Izrael.

Gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan mbi diskutimin për reformën e ashtuquajtur Hartz IV:

"Reforma parimisht e drejtë e qeverisë federale në tregun e punës ka një mangësi vendimtare: Ajo nuk beson aq shumë në faktin që është tregu ai që krijon vendet e punës dhe jo shteti. Pikërisht ministri i ekonomisë, Wolfgang Clement, një përkrahës i ekonomisë së tregut, po i var çuditërisht shpresat tek ekonomia e planit. Ai synon të krijojë 600.000 vende pune me pagë të ulët, të paguara nga shteti. Kundrejt një pagese prej një deri në dy eurosh në orë ai kërkon t'i detyrojë ata që janë pa punë për kohë të gjatë që të mirëmbajnë parqe, të fshijnë trotuare ose të ndihmojnë në kopshtet e fëmijëve. Pra nga dera e pasme qeveria po rivë në punë ato shoqëri shtetërore punësimi të cilat donte t'i kufizonte.

Gazeta Pforzheimer Zeitung mendon kështu lidhur me temën:

"Përse sindikatat nuk e regjistrojnë faktin që programi reformues mund të prekë edhe sferën private të çdo shtetasi? Përse këmbëngulin përfaqësuesit e punëmarrësve që shteti të mos ta zgjerojë vullnetin e vet të kursimit edhe në fushën sociale? Një akuzë duhet ta pranojnë reformatorët. Ata nuk e kanë përcjellë me këmbëngulje tek njerëzit politikën e tyre. Kush synon të zbatojë një reformë kaq rrënjësore duhet të tregohet i shpejtë dhe brutal. Thënia e kancelarit "basta!" vjen me vonesë, prandaj sindikatave u është krijuar hapësirë e mjaftueshme për t'u ankuar. Por ankimi nuk do të ketë vlerë. Politika e deritashme sociale e rishpërndarjes së të ardhurave ka dështuar."

***

Ndërrojmë temë: Pavarësisht nga përfundimi i përleshjeve luftarake në Naxhaf të Irakut gazeta Ostthüringer Zeitung nga qyteti Gera merret me luftën për pushtet në Irak midis qeverisë kalimtare dhe dhe predikuesit shiit el Sadr:

"Kushdo që ta ketë këshilluar për këtë hjap, qeveria kalimtare po mat tani forcat me el Sadrin, e mbështetur në fuqinë ushtarake, para së gjithash në atë të trupave amerikane. Qeveria do t'iu japë një mësim të mirë rebelëve, kumtoi ministri irakian i mbrojtjes dhe me këtë vështirë se do t'i bëjë për vete dhe përkrahës të pushtetit të ri bashkëatdhetarët e tij. Gjendja ende e turbullt, në të cilën secili thur planet e veta, si dhe kundërshtitë e bëjnë të vështirë të besosh në fillimin e procesit të demokratizimit. Udhëheqësit radikalë që luftojnë për ndikim dhe për pushtet, që i nxisin masat kundër qeverisë kalimtare dhe kundër pushtuesve të padëshiruar, do të mbeten pengesa më e madhe."

Gazeta berlineze Tageszeitung shkruan:

"Funksioni i el Sadrit qëndronte deri tani në hedhjen në erë të planeve të Shteteve të Bashkuara dhe të qeverisë kalimtare irakiane. Në këtë funksion ai mori mbështetje nga forca të ndryshme irakiane dhe të huaja, që janë të interesuara për dështimin e amerikanëve në Irak. Në rast se ai e humb këtë funksion, atëherë nuk do t'ia fërshëllejë më asnjeri. Përballë kësaj perspektive el Sadrit i mbetet në fakt vetëm të vdesë si martir. Këto nuk janë kushte të mira për një zgjidhje diplomatike."

Me humbjen politike të kryeministrit izraelit brenda partisë së vet merret gazeta Frankfurter Allgemeine:

"Kjo nuk është humbja e parë brendapartiake e Sharonit në përpjekjet e tij për ta kufizuar në mënyrë pragmatike politikën ekspansioniste izraelite. Nga ana tjetër vështirësitë që ka Sharoni edhe me vetë planin e tërheqjes nga Gaza qartësojnë në mënyrë hidhëruese se sa e pamundur është në Izrael arritja e një marrëveshjeje të përgjithshme paqeje me palestinezët, që do të ishte së paku e pranueshme për shumicën e tyre."

Në përfundim gazeta e Bonit General-Anzeiger:

"Duke filluar nga tani Ariel Sharoni është kryeministër në largim e sipër. Kështu edhe plani i tij i tërheqjes nga Rripi i Gazës rrezikon të bëhet i pavlerë. Po ashtu si edhe për armikun e tij të betuar Jaser Arafatin, i cili një ditë më parë pranoi për të parën herë që ka probleme, por nuk paraqiti propozime për zgjidhje, as për Sharonin nuk po shquhet dalje nga rruga e verbër, ku ai e ka futur qeverinë, partinë dhe shtetin. Shumë tregues flasin për zgjedhje të parakohshme në Izrael. Kështu rrezikon të shuhet edhe thërrmija e shpresës për një tërheqje të shpejtë nga Rripi i Gazës."

  • Data 20.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryp
  • Data 20.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryp