Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 21.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

default

Shanset për uljen e kontributeve që duhet t'u paguhen arkave të sigurimit shëndetësor janë në qendër të komenteve të gazetave gjermane. Disa gazeta merren më tej me konfliktin për kuotën e ardhshme të buxhetit të Bashkimit Evropian.

Në fillim ndalemi në buxhetin e Bashkimit Evropian. Vetëm pak pas fillimit të punës nga Komisioni i ri Evropian nën drejtimin e Hoze Manuel Barosos po përvijohet një grindje e re për kuotën e buxhetit të ardhshëm të BE. Për këtë temë, gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE CAJTUNG shkruan:

"Ashtu si paardhësi i tij në post, Baroso kërkon më shumë mjete për Bashkimin Evropian - por kundërshtimi nga Berlini erdhi shpejt. Nga ekipi i Barosos ende nuk mund të presësh përgjigje konkrete për pyetjet që shtrohen. Fjalët e bukura, që Baroso ka shqiptuar për atmosferën e mrekullueshme në ekipin e tij dhe për kolegialitetin e pakonkurueshëm do të vihen në provë kur ai të ndeshet me problemet konkrete."

Nga ana tjetër, gazeta DIE WELT që botohet në Berlin e përshëndet "jo"-në vendimtare të Berlinit:


"Gjermania, kontribuesi më i madh bruto i BE, të ardhurat për frymë të së cilës janë ulur nën mesataren e BE, nuk mund të çojë para të tjera në Bruksel, në një kohë kur brenda vendit, qeveria po zbaton reforma, të cilat shihen si mizore nga populli. Kështu që qëndrimi i Berlinit drejtohet nga ai egoizëm nacional, për kapërcimin e të cilit në mbarë Evropën lufton koalicioni Kuq e Gjelbër. Por ky egoizëm është i dobishëm për BE, sepse në grindje mund të arrihet një reformë e financave të BE."


Ndërrojmë temë: për gjendjen e arkave të shërbimeve shëndetësore në Gjermani, gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan:

"Më në fund dicka pozitive: kontributet për arkat e sigurimit shëndetësor po ulen, më ngadalë se ishte shpresuar, por sidoqoftë po ulen. Këtë qeveria mund ta shënojë si pikë plus për të, në fund të fundit asaj iu desh të duronte shumë dru për reformën shëndetësore. Dhe megjithatë, ana tjetër e medalies me mesazhet e arkave AOK dhe Barmer nuk është zhdukur: kursime të vërteta, koalicioni i madh nuk arriti të bëjë vitin e kaluar. Me shumë bujari e trajtoi ai kartelin e ofruesve - rreth koncerneve farmaceutike, mjekëve dhe donatorëve të spitaleve. Vërtet që shpenzimet e arkave të sigurimit shëndetësor do të ulen. Por gati çdo euro rëndon në xhepat e pacientëve"


Në mënyrë më kritike e sheh zhvillimin gazeta OSTSEE-ZEITUNG:

"Arkat e sigurimeve shëndetësore po shënojnë sërish pluse.Pikë plus për ministren e shëndetësisë, Ula Shmidt. Por kjo pikë asaj i duhet hequr menjëherë. Sepse, nga premtimi i saj, për ta ulur kontributin mesatar këtë vit në 13,6 %, arkat e sigurimeve shëndetësore janë me milje larg. Në fakt, tani përballemi ende me 14,2 %. Vetëm 0,1 % më pak se reforma! Edhe nëse arkat e mëdha të sigurimeve shëndetësore do t'i ulin në vitin 2005 kontributet e qytetarëve, kjo do të ndodhë më ngadalë, se sa kishte deklaruar qeveria. Gjendja financiare e shumë arkave të sigurimit shëndetësor ishte shumë më e dëshpëruar se sa mendohej."


Skeptike tregohet edhe gazeta WETZLARER NEUE ZEITUNG edhe nëse për shkaqe të tjera:

"Ministrja e shëndetësisë, Ula Shmidt mund të brohorasë e gëzuar. Por ajo ka fituar vetëm një etapë, e cila tani duhet festuar. Nuk është fare e sigurtë, nëse tepricat në gjysmën e parë të vitit pas reformës shëndetësore dot të pasohen nga të tjera në gjysmën e dytë të vitit. Kështu, shumë të sëmurëve kronikë, iu desh që të paguanin nga xhepi për medikamentet në muajt e parë të vitit, të paguanin taksat për klinikat private dhe të tundin portofolin edhe për shpenzimet e udhëtimit. Por nëse ata e kanë arritur kufirin e ngarkesës, për pjesën që mbetet të vitit ata nuk duhet të paguajnë më. Në një rast të tillë, fatura për arkat e sigurimit shëndetësor do të ishte krejt tjetër."

Gazeta TAGESZEITUNG që del në Berlin ndricon një drejtim tjetër dhe tërheq vëmendjen:

"Pas të gjitha atyre që kërkohen prej të siguruarve në arkat shëndetësore, është dicka e vetëkuptueshme që arkat e sigurimeve shëndetësore t'i materializojnë në ulje kontributi për të siguruarit tepricat e tyre. Por rituali i uljes së shpallur të kontributeve për qeverinë luan edhe një rol tjetër: së shpejti do të fillojë diskutimi se si mund të financohet më mirë sigurimi shëndetësor shtesë për zëvendësimin e dhëmbëve. Kësaj do t'i shtohet edhe cështja, se si do të zbatohet në reformën për sigurimin përkujdesës rëndimi financiar i cifteve pafëmijë, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese Gjermane, pa shkaktuar një kryengritje popullore. Për të dyja manovrat, Ula Shmidt ka nevojë për bashkëpunimin e arkave të sigurimit shëndetësor dhe përkujdesës.

  • Data 21.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryo
  • Data 21.08.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryo