1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

30 Shtator 2004
https://p.dw.com/p/AryN
Demonstratë proteste ndaj politikës së Putinit në Berlin
Demonstratë proteste ndaj politikës së Putinit në BerlinFotografi: AP

Komentet e gazetave gjermane merren sot me kritikat e politikanëve perendimorë ndaj presidentit rus Vladimir Putin, njerëzit e marrë peng në Irak, deficitin buxhetor të Gjermanisë që kap shumën e 43 miliardë eurove, si dhe me vendimin e partive të përfaqësuara në parlamentin gjerman për të mos krijuar një komision të posaçëm për shqyrtimin e trazirave të marsit në Kosovë.


Ndalemi fillimisht në letrën e disa politikanëve perendimorë, ndër ta edhe politikanë të partisë ekologjike gjermane, në të cilën ata kritikojnë presidentin rus Vladimir Putin. Në lidhje me këtë letër në gazetën "Handelsblatt" lexojmë:

"Putini është autokrat, por jo diktator. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe nënshkruesit e letrës, përpara se të fillojnë ta klasifikojnë gabim kreun e Kremlinit. Eshtë e drejtë dhe e domosdoshme që ndaj zhvillimeve në Rusi të mbahet qëndrim kritik. Por në këtë rast zelli i tepruar do të bënte që kritika të binte në vesh të shurdhër dhe të shndërrohej në polemikë boshe."


Në lidhje me gjendjen në Irak pas lirimit të dy italianeve gazeta "Lübecker Nachrichten" shkruan:

"Shpresat se lirimi i dy Simonave do të çojë në një mendësi të re në politikën ndaj Irakut, pra se si mund të rivendoset paqja dhe demokracia nën drejtimin e OKB-së, mbeten një herë për një herë ëndërra në diell. Një kthesë në këtë drejtim shpresojmë të ketë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA."


Gazeta "Landeszeitung" e Lüneburgut mendon se megjithë përgënjështrimet e qeverisë italiane, mes saj dhe pengmarrësve duhet të jetë arritur një marëveshje.

"Berluskonit i duhet të paguajë tani para për të vënë mend se ideja e tij që duke marrë pjesë simbolikisht në fushatën amerikane ndaj Irakut mund të bënte kollaj pikë tek miku i tij George Bush, ishte e gabuar. Në këtë mes qëndrimi i Tony Blairit që refuzon çdo bisedim me kriminelët të bën t'i tregosh respekt, sepse ai nuk po lejon që gabimi i marshimit në Irak të pasohet prej një tjetri, atij të dorëzimit. Por çmimin për qëndrimin e tij, Blairi po e paguan me gjënë më të shtrenjtë: jetën e njerëzve.


Kalojmë në temën tjetër, deficitin në buxhetin gjerman, i cili kap shumën e 43 miliardë eurove. Gazeta "Freie Presse" që botohet në Kemnic mendon:

"Po të rrish shtrembër dhe të flasësh drejt duhet të thuash që nuk është as faji i Ministrit aktual të Financave Eichel dhe as i partisë së tij që arkat e shtetit sot janë të zbrazura. Gjendja e sotme është pasojë e shumë gjërave që janë lënë pas dore prej vitesh, shumë përpara kohës së Shrëderit në pushtet."

Po për të njëjtën temë gazeta "Stuttgarter Zeitung" vëren:

"Ky është një rekord i ri i dhimbshëm. Reputacioni i dikurshëm që kishte Eicheli si një ministër financash të qëndrueshme ka marrë fund. Sigurisht që në favor të Eichelit flet fakti që rënia aktuale e ekonomisë gjermane nuk mund të parashikohej. Por duket se Eicheli nuk ka mësuar asgjë, sepse ai premton vazhdimisht gjëra që nuk mund t'i mbajë. Vitin tjetër do ta respektoj limitin financiar të përcaktuar në marrëveshjen e Mastrichtit. Të tilla gjëra Eichelit nuk ia beson më askush."

Kalojmë tani në vendimin e marrë në Bundestagun gjerman për të mos ngritur një komision të posaçëm për shqyrtimin e trazirave të marsit në Kosovë. Gjithsesi partia demokristiane dhe simotra e saj bavareze kërkuan krijimin e një "grupi raportuesish specialë për Kosovën". Lidhur me këtë në gazetën "Tageszeitung" që botohet në Berlin lexojmë:

"Sipas Ministrit gjerman të Mbrojtjes, Peter Struck, nuk ka asnjë shkak për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për shqyrtimin e trazirave të marsit, sepse prej gabimeve janë nxjerrë pasojat përkatëse dhe është përmirësuar komunikimi mes policisë së UNMIK-ut dhe trupave ushtarake të NATO-s si dhe pajisja dhe parapërgatitja e ushtarëve. Megjithatë sipas ekspertit të Partisë Demokristiane (CDU) për çështjet e mbrojtjes, Christian Schmidt, 'miti' se ushtarët gjermanë janë të pajisur dhe të përgatitur për ndërhyrjet jashtë vendit në mënyrë optimale pas këtyre ngjarjeve është shembur."