1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

3 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/AryJ
Pamje nga ceremonia festive me rastin e 3 tetorit
Pamje nga ceremonia festive me rastin e 3 tetoritFotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman trajton gjërë e gjatë festimet me rastin e 3 tetorit, ditës së ribashkimit të Gjermanisë. Tema tjera që preokupojnë komentatorët janë anëtarësimi i Turqisë në BE, problemet në radhët e partive gjermane në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet si dhe problemi i ngritjes së çmimit në naftës. Ne do të ndalemi vetëm në dy tema: festimet me rastin e ribashkimit të Gjermanisë dhe ngritjen e çmimit të naftës.

Fillimisht citojmë nga gazeta "Märkische Zeitung" që e vë theksin tek ndryshimet mes Lindjes dhe Perëndimit 15 vjet pas bashkimit të vendit:

"Sigurisht që edhe 15 vjet pas bashkimit ka dallime të qarta mes Lindjes dhe Perëndimit. Në Lindje pagat janë më të ulta, papunësia dyfish më e lartë se në Perëndim, produktiviteti është vetëm 75%. Kjo nuk mund të pranohet. Gjermania konceptohet si një tërësi dhe kjo tërësi ka të bëjë shumë më tepër se vetëm me njësinë shtetërore. Një gjë e tillë ka të bëjë pak me ëndërrat e vagëllyra për barazi, por shumë me pretendimin për drejtësi. Solidariteti i Perëndimit me Lindjen do të vazhdojë të jetë edhe për shumë kohë i domosdoshëm dhe askush që merret me politikë në vend dhe arsyeton me mend, nuk e mohon seriozisht një gjë të tillë."

Gazeta "Tagesspiegel am Sonntag" shkruan:

Një gjë ishte para 14 vjetësh ndryshe nga sot. Kur në vitin 1990 qindra e mjëra gjermanë festuan bashkimin e Gjermanisë nuk pati asnjë demonstrim pakënaqësie. Tani kjo ka ndryshuar. Gjermania nuk është më në qejf dhe është zhytur në krizë. Në vend zhvillohen protesta kundër reformave sociale dhe pasojave të globalizimit. Asnjëra prej këtyre nuk ka të bëjë me ribashkimin e vendit. Po shumica besojnë se reformat dhe rënia konjunkturale do të qenë më të lehta të përballoheshin po të mos ishte bara e peshës së shpenzimeve prej bashkimit të vendit. Kriza nuk u shkaktua prej bashkimit, prej tij vetëm se u acarua. Stilin tonë të jetës do të na duhej ta ndryshonim patjetër një ditë. Nuk është puna se Gjermania, vendi i mrekullive, ka marrë zjarr. Një vend i tillë s'ka egzistuar kurrë. Vetëm se ne na kishin vënë syze optimizmi. Ajo që kemi tani përpara është një vend, ku gjithësesi jetohet mirë, një vend i bashkuar. Pra parë në tërësi shumë më tepër se sa do të kishte guxuar të ëndërronte dikush para 20 vjetësh."


Gazetat "Berliner Zeitung" dhe "Die Welt" i referohen fjalës së presidentit gjerman në ceromoninë e ditës së bashkimit të vendit dhe ideve se çfarë duhet të ndryshojë në vend.

Fillimisht citojmë nga gazeta "Die Welt"

"Presidenti Köhler dëshiron t'u japë zemër gjermanëve. Ky qe synimi më i rëndësishëm i fjalimit të tij të mbajtur në Erfurt. Ai numëroi se çfarë është arritur gjatë 15 vjetëve të kaluara dhe theksoi me shumë të drejtë se kjo nuk është pak. Por edhe pse të gjitha ato që tha Këhleri ishin të drejta, fjalimit të tij i mungonte ngjyra. Ai ishte thuajse steril. Kur filloi nga detyra presidenti shquhej për një freski jokonvencionale dhe një buzëqeshje rinore. Tani në Erfurt, pas 100 ditësh në këtë post, nuk dukej më gjë prej tyre."


Kurse në gazetën "Berliner Zeitung" lexojmë:

"Se çfarë duhet të bëjmë tani, për këtë presidenti Köhler nuk tha ndonjë gjë të re, por disa gjëra të drejta. Të drejta janë të gjitha masat që krijojnë vende të reja pune. Burokracia e tepruar dhe ligjet që rregullojnë gjithçka deri në imtësinë më të vogël si në Lindjen dhe në Perëndimin e vendit janë pengesë për krijimin e vendeve të reja të punës, pra duhen hequr qafe. Dhe në rast se vendi nuk ka guxim ta bëjë këtë i gjithë së bashku, atëhere duhet ta lëmë Lindjen të ecë vetë përpara. Propozimi nuk është origjinal, por i mirë. Për fat të keq me të tilla propozime kanë dështuar edhe shumë njerëz të tjerë të mençur përpara presidentit. Pra edhe ky s'do të ketë fat tjetër. Në rastin më të mirë do të krijohet përsëri një komision për të ulur burokracinë. Ky do të ishte rreth i shtatëmbëdhjeti."

Ndërrojmë temë. Gazeta "Handesblatt" merret me problemin e ngritjes së çmimeve në tregun botëror të naftës që ka shkaktuar edhe në Gjermani një rritjen të madhe të çmimeve të naftës dhe derivateve të saj.

"Shtatë vendet më të industrializuara besojnë se në takimin e tyre në Uashington i gjetën fajtorët për gjendjen mizerabël: spekulantët, aksionerët e fondeve, që duke shfrytëzuar miliarda dollarë që vërtiten si pa zot, bënë që tregu i naftës të dalë nga ekuilibri. Kështu fondi Hedge ka shënuar që prej vitit 1998 një rritje si me katapultë prej 400 në 900 miliardë dollarë. Për shkak të këtyre zhvillimeve nuk të çudit fakti që FMN-ja kërkon më tepër transparencë. Po kontrrollet më të ashpra në Evropë dhe në SHBA nuk mund ta zgjidhin problemin. Sepse bankat që ofrojnë të tilla fonde do të vendoseshin në vende që konsiderohen si oaze për spekulantët. Nga ana tjetër për momentin rrezik përbën edhe një mendjelehtësi tjetër. Çdo investitor e di se fondet Hedge janë të rrezikshme. Po në rast se këto fonde marrin edhe bekimin e kontrrollit të shtetit, atëhere shumë njerëz nuk do të kenë më frikë prej rrezikut. Investitorët do t'i besonin së tepërmi kontrrollit nga ana e shtetit dhe do t'i nënvleftësonin rreziqet faktike."