1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

6 Tetor 2004
https://p.dw.com/p/AryH
Edhe shtypi turk i kushton vëmendje rekomandimit të Komisionit të BE-së
Edhe shtypi turk i kushton vëmendje rekomandimit të Komisionit të BE-sëFotografi: AP

Temë qëndrore e shtypit të sotëm gjerman është drita e gjelbër që hapi Komisioni i BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE. Gazetat gjermane i kushtojnë rëndësi edhe çmimit Nobel për letërsinë që do të dorëzohet ditën e sotme, si dhe një avarie në dy laboratore të Indisë që pritet të kenë pasoja për përhapjen e sëmundjes së poliomelitit.

Qëndrojmë në temën e parë, vendimin e Komisionit të BE-së në lidhje me Turqinë. Për gazetën "Wetzlarer Neue Zeitung"

"Vendimi i Komisionit të BE-së është i drejtë. Pranimi i Turqisë nuk i ul shancet për Gjermaninë, Turqinë, Evropën dhe botën. Edhe rreziqet që lidhen me këtë janë të përballueshme. Por deri sa Turqia të anëtarësohet në BE do të kalojë shumë kohë. Një hap i tillë nuk pritet të ndodhë para vitit 2015. Dhe në rast se procesi i reformave në Turqi do të shënojë hapa prapa, bisedimet me të do të ndërpriten si ndodhi pas puçit ushtarak të vitit 1980."


Gazeta "Frankfurter Rundschau" gjykon sipas parimit më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot. Citojmë:

"Në rast se për arsye praktike me Turqinë do të lidhet vetëm një anëtarësi e klasit të dytë apo një partneritet i privilegjuar, ky status do të ishte gjithsesi më i mirë, se sa zgjerimi i BE-së të kryhej nën presionin e premtimeve dhe të shpresave, çka mund të çonte në një eksplozion të BE-së. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-se do t'i nënshtrohen në takimin e tyre të dhjetorit rekomandimit të Komisionit të BE-së. Po ata e kanë në dorë që bisedimet për anëtarësim t'i formësojnë në një mënyrë të tillë, që t'u përshtaten si pretendimeve dhe kushteve të Turqisë ashtu edhe atyre të BE-së."


Gazeta "Die Welt" vazhdon t'i bjerë edhe sot fyellit në të njëjtën vrimë si dje. Turqia nuk e ka arritur pjekurinë e nevojshme për anëtarësim në BE. Duke kritikuar rekomandimin e Komisionit të BE-së artikullshkruesi vëren:

"Komisioni i BE-së përpiqet të krijojë përshtypjen se e ka ngritur shumë lart masën e kërkesave në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE. Në rekomandim thuhet se bisedimet duhet të ndërpriten në rast se Turqia shkel parimet e demokracisë si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu thuhet që përfundimi i bisedimeve duhet lënë i hapur. Të gjitha këto janë fjalë të mëdha, por askush nuk mund të thotë nëse BE-ja është e aftë dhe ka dëshirë që t'i kthejë këto fjalë në vepra. Turqia nuk e ka arritur pjekurinë për anëtarësim në BE. Nuk është BE-ja që ka nevojë për Turqinë, por Turqisë i duhet BE-ja. Kërkesën për anëtarësi s'e ka bërë BE-ja, por Turqia. Dhe kjo duhet të dëshmojë se është e aftë për anëtarësim. Qeveria turke ka bërë shumë premtime plot fjalë të bukura, por ato egzistojnë vetëm në letër. Tani ajo ka për detyrë t'i realizojë këto detyra.

Kalojmë në një temë kulturore. Sot në Stokholm dorëzohet çmimi Nobel për letërsinë. Këtë vit duket se me këtë çmim do të nderohet një autore. Shancet më të mira i kanë kanadezja Margaret Atwood dhe amerikania Joyce Carol Oates. Në lidhje me këtë revista "Spiegel" shkruan:

"Kuzhina e thashethemeve është ndezur. Por edhe pse ekspertët dhe specialistët janë të mendimit se juria do të lexojë sivjet emrin e një gruaje, anëtarët e saj po mundohen të ruajnë fshehtësinë deri në minutën e fundit. "Ne nuk nisemi fare prej gjinisë, prejardhjes, apo zhanrit, por vetëm prej vlerave letrare", thotë Per Wästberg, një prej anëtarëve më më peshë në jurinë 18-vetëshe të Akademisë Suedeze të Shkencave. Gjithsesi ai pranoi se juria në Stokholm i studium me vëmendje kritikat letrare që botohen në medie. Po të nisemi prej kësaj atëhere me siguri anëtarëve të jurisë nuk do t'u kenë shpëtuar kërkesat masive të kritikëve dhe të medieve që në vlerësimet e tyre të marrin parasysh edhe shkrimtaret femra. Hera e fundit që një grua u nderua me këtë çmim ishte para tetë vjetësh. Shkrimtarja lirike polake Wislawa Szymborska, ishte femra e nëntë që u nderua me këtë çmim në historinë e tij që fillon nga viti 1901.

Mediet gjermane u referohen edhe njoftimeve më të fundit të gazetës "Times of India" sipas së cilës në dy laboratorë në Indi kanë ndodhur avari prej së cilave janë shpërndarë në ambient viruse të poliomelitit. Organizata Botërore e Shëndetsisë tërheq vëmendjen se nga kjo avari vihet në rrezik synimi që i kishte vënë vetes kjo organizatë për shfarosjen e sëmundjes së poliomelitit. Sipas të dhënave të UNICEF-it vitin e kaluar në botë janë regjistruar 667 raste të kësaj sëmundjeje.