1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PASQYRA E SHTYPIT GJERMAN

2 Nëntor 2004
https://p.dw.com/p/Ary0
Rekrutë të Bundesverit
Rekrutë të BundesveritFotografi: AP


Vendimi i ministrit gjerman të mbrojtjes, Peter Shtruk për të mbyllur më shumë se 100 kazerma të ushtrisë gjermane dhe reformimi i Komisionit Evropian nga i ngarkuari me detyrën e presidentit të tij, Hoze Manuel Baroso janë temat kryesore të gazetave gjermane të së mërkurës.

Për mënyrën si po vepron Baroso gazeta MÄRKISCHE ALLGEMEINE shkruan:

"Kryeministri me pozicion më të lartë në Evropë vepron dhe fiton me presionin e Parlamentit Evropian në shpinë formatin e tij. Ndryshe nga ajo që është thënë shpeshherë, presidenti i komisionit Baroso doli padyshim më i fortë nga përplasja me përfaqësuesit e popullit në Strasburg. Në fund të fundit nuk ishte ai që i kishte zgjedhur kandidatët nga vendet e ndryshme, por i gjeti ata përpara vetes nga 25 shtetet anëtare të BE. Dhe që qeveritë dërguese të të tjerëve që mbetën në klasë:Hollandës, Danimarkës dhe Hungarisë janë ende të pavendosur për t'i tërhequr anëtarët e tyre tregon një gjë qartë: se praktika për t'i dërguar në Bruksel elementë të politikës së brendshme që do t'i heqësh qafe ose kandidatët më të shkathët, po bëhet e rrezikshme për të ardhmen."


Ndërsa BERLINER ZEITUNG mendon:

"Hoze Manuel Baroso po vë më në fund rregull. Ekipi i tij, Komisioni i caktuar Evropian deri tani përmbante një sërë figurash të diskutueshme deri të dyshimta. Me letonezen Ingrida Udre, presidenti i ri ndoshta shpëtoi prej rrezikut më të madh. Për shkak të aritmetikës partiake, këtë duhet ta besojë edhe një socialist nga ekipi i tij, ndoshta hungarezi i ardhur gabim, Laslo Kovac. Pas kësaj të gjithë duhet të rrinë urtë, sipas Barosos. Në një lojë të pavendosur të gjerë nuk mund të ketë interes askush në Evropë."


Gazeta SÜDDEUTSCHE ZEITUNG vëren për kandidaten letoneze:

"Pedagogët e njohin këtë fenomen: si një nxënës shembullor, Letonia ka dëgjuar me vite të tëra udhëzimet nga Brukseli, për të hyrë në klubin e preferuar të shteteve evropiane- por ende pa e futur në xhep dëftesën, shteti i vogël balltik u bë kokëfortë, me humor të lëkundur, mendjemadh. Që qeveria e Rigës pas paralajmërimit nga kryemësuesi Baroso e tërhoqi emërimin e komisares Ingrida Udre dhe prezantoi një kandidat tjetër, ishte me rëndësi. Por puna nuk duhej të kish ardhur deri në këtë pikë."

Me mbylljen e disa kazermave të Bundesverit, ushtrisë gjermane, merret gazeta STUTTGARTER NACHRICHTEN:

"Të gjithë ankohen se forcat e armatosura marrin më pak para se u duhen. Por pasoja të kushtueshme askush nuk dëshiron të ketë. Ta bëjmë shtetin elegant-sipas kësaj devize në vende të tjera janë mbyllur hidrocentrale, zyra kadastre dhe administrata të ndërtimit të rrugëve. E parë në këtë këndvështrim, Bundesveri është adresa e gabuar, kur dëgjojmë që me largimin e kazermave do të shkretohen bashki të tëra, dhe do të dëmtohen rajone. Ushtria nuk është përgjegjëse për sigurimin e vendeve të punës dhe për infrastrukturën. E thënë në vija të trasha, ushtria është përgjegjëse për sigurinë.Për këtë edhe paguhet, dhe paguhet sic u tha shpesh jo mjaftueshëm."

Ngjashëm shprehet edhe BADISCHE NEUESTE NACHRICHTEN që botohet në Karlsruhe:

"Bundesveri nuk është qëllim në vetvete, për të zbrazur në sa më shumë rajone të republikës trasta me para dhe për të lumtuar me para nga taksat komunat. Bundsveri ka përkundrazi një detyrë tjetër të qartë: ai kujdeset për sigurinë e Gjermanisë në një botë që ndryshon në mënyrë fundamentale."


Këtë e sheh krejt ndryshe gazeta NORDSEE-ZEITUNG nga Bremerhafeni:

"Le të thotë sa të dojë ministri i mbrojtjes se ka mirëkuptim për shqetësimet- kryetarët e bashkive të vendeve ku do të mbyllen kazermat dhe vendqëndrimet kjo nuk i ndihmon aspak. Atyre do t'u duhet të luftojnë me pasojat e një qethjeje kare. Nëse nga 500 kazermat dhe vendqendrimet do të mbyllen 105, nuk mund të flasësh më për raste të vecuara. Ky hap radikal prek shumë komuna dhe federata nuk mund të bëjë sikur kjo nuk ka të bëjë më të dhe t'i vidhet përgjegjësisë."


Dhe gazeta e Berlinit NEUES DEUTSCHLAND kërkon ndihma shtetërore:

"Megjithëse për planet reformuese flitet prej vitesh, deri tani nuk u bë fjalë për konversion përkatës. Kjo në një kohë kur federata dhe landet kanë të dyja detyrime - por nuk i zbatojnë ato dhe ndiejnë pasojat. Në formën e papunësisë dhe të uljes së fuqisë blerëse."