1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

4 Nëntor 2004
https://p.dw.com/p/Arxz
Xhorxh dhe Laura Bush me bijat e tyre Jena dhe Barbara pas fitores në zgjedhjet presidenciale
Xhorxh dhe Laura Bush me bijat e tyre Jena dhe Barbara pas fitores në zgjedhjet presidencialeFotografi: AP


Rizgjedhja e presidentit amerikan Xhorxh Bush në postin e tij është sot tema mbizotëruese e komenteve të gazetave të përditshme gjermane.

Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan:


"Spektatorët në këtë anë të brigjeve amerikane në shumicën e tyre i patën uruar sfiduesit të Bushit suksese për kandidaturën e tij...Shumë vetë do të ndiejnë të paktën zhgënjim për rizgjedhjen e republikanit. Por jo së fundi ato qeveri në Evropë dhe kudo tjetër, që kanë qenë në grindje me Bushin nuk duhet të fshihen për të shprehur në vetmi hidhërimin e tyre. Ajo që atyre deri tani mund t'u jetë dukur si kërcënim, duket se po bëhet realitet. Dhe ky realitet kërkon përcaktim të ftohtë, me politikë realiste të interesave, të cliruar nga antibushizmi dhe antiamerikanizmi i trullosur: rruga duhet të kalojë përmes dialogut drejt një përbashkësie të re."

Në gazetën SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih lexojmë:

"Amerika është bërë e huaj për shumë evropianë. Zgjedhjet vetëm sa e përforcuan këtë përshtypje. Përkundër gjithë shpresave, Bushi nuk do të mbetet një episod i shkurtër në histori, ai përfaqëson shumicën e një vendi, që ndarjen politike e ka bërë koncept dhe luftën në fronte të ndryshme sport popullor. Botës nuk duhet t'i futen edhe më tej ethet nga kjo atmosferë e nxehur. Amerika është më shumë se sa presidenti i saj."

RHEIN -NECKAR ZEITUNG që del në Hajdelberg mendon:


"Me fjalë të thjeshta, edhe nëse të gabuara i bindi Xhorxh Bushi
amerikanët e tij: se Iraku ishte pasoja logjike e 11 shtatorit 2001. Dhe kështu ata e rizgjodhën, njeriun e fortë, kryekomandantin e forcave të armatosura, të cilin nuk mund ta shkarkosh në mes të luftës, përcuesin e sigurisë, vendosmërisë. Votoi edhe frika. Kerrit nuk ia blenë rolin e luftëtarit që mbron vendin e vetë Zotit. Dhe argumentimet e tij sociale dhe ekonomike të dukeshin akademike."


Ndërsa OSTSEE ZEITUNG vëren:

"Qoftë edhe për këtë shkak: dëshira e njeriut është perandoria e tij në qiell. Nëse shumica e amerikanëve mbështetet tek Xhorxh Bushi, natyrishgt që kjo duhet pranuar. Sic duhet pranuar edhe që pjesa më e madhe e gjermanëve me sa duket ka probleme me këtë politikë. Sepse sipas një anketimi të Infasit, 73% shpresonin për fitoren e Kerrit. Jo vetëm për evropianët do të jetë interesante si do të zhvillohen në katër vitet e ardhshme diferencat transatlantike. Sepse në kuptimin e aleancës sonë të qendrueshme dhe me rëndësi jetësore dobi mund të sjellë vetëm afrimi reciprok dhe respektimi i njeriut në të dyja anët e oqeanit. Një "kotele Bler, që nuk e ndërron të zotin"- siç thonë britanikët është njësoj i tepërt si të lehurat relativisht të vetmuara të protestës nga Berlini dhe Parisi."


Gazeta e Potsdamit MÄRKISCHE ALLGEMEINE shkruan:

"Në javët para zgjedhjeve amerikane, Gerhard Shrëderit nuk mund t'i shkëputje as në biseda pas perdeve ndonjë fjali që mund të kuptohej si përcaktim për Xhon Kerrin. Përballë rezultatit të votimit është mirë që ndodhi kështu. Sepse deklaratat si të llojit të zëvendëskryetarit të fraksionit socialdemokrat në Bundestag, Michael Müller se rizgjedhja e fundamentalistit Bush nuk është e mirë as për botën dhe as për Amerikën demokratike, nuk kontribuojnë për ctensionimin e raportit gjermano-amerikan. Gjërat janë sic janë, dhe politikisht duhet bërë më e mira. Këtu nuk është fjala për bashkëekzistencë paqësore, por për një përpjekje me durim për të gjetur rrugën e bashkëpunimit. Si ngushëllim për ata që shtrëngojnë grushtat në xhepa: ata vërtet nuk e donin Bushin, por pikërisht zgjedhja e tij e bën më të lehtë për të kundërshtuar atë që nuk donin- dërgimin e ushtarëve gjermanë në Irak."

Dhe së fundi WESTFALEN POST që botohet në Hagen:

"Reagani konsiderohej si luftënxihtës dhe që krijoi borxhe rekord. Pas periudhës së dytë në post, pasardhësi i tij trashëgoi megjithatë një Amerikë dinamike. Për këtë shpresohet edhe në rastin e Bushit. Ai nuk duhet të vërtetojë më asgjë dhe shpresojmë se do të arrijë të lidhë së shpejti vendosmërinë me tolerancën. Përshtypjen e parë për këtë do ta japë ekipi i ri qeveritar. Nëse ministri i jashtëm moderues, Colin Powell do të mbetet në bord dhe prej tij do të zhduket ultrakonservatori, ministri i mbrojtjes Ramsfeld, kjo do të ishte një shenjë e parë pozitive. Edhe vështrimi drejt Evropës duhet të ndryshojë"