Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 18.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Hapja e rrugës për bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Turqinë dhe dështimi përfundimisht në Gjermani i negociatave midis federatës dhe landeve mbi reformimin rrënjësor të sistemit federativ janë temat e përzgjedhura për këtë pasqyrë shtypi.

default

Në lidhje me takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, gjatë të cilit mbizotëroi çështja e anëtarësimit të Turqisë, gazeta "Die Welt" shkruan:

Kryetarët e qeverive të Evropës duan ta zgjerojnë pushtetin e Bashkimit Evropian deri në Evropën Lindore dhe në Lindjen e Afërme, por ata po minojnë bazat e ushtrimit të pushtetit të tyre: këmbënguljen për identitetin e vet ndërkombëtar dhe vendosjen e shtetit ligjor demokratik. Në mënyrë që ta zgjerojnë me shpejtësi Bashkimin Evropian krerët e shteteve dhe të qeverive tregojnë mirëkuptim për çdo dëshirë të qeverisë turke. Dhe kështu kjo, krejt krenare, ia del madje që të zbusë parakushtin për çdo bisedim për anëtarësim, atë që i riu të njohë pa kushte të gjithë anëtarët e deritanishëm të bashkësisë. Në vend që ta njohjë anëtarin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, Qipron, me anë të nënshkrimit të protokollit për bashkimin doganor, asaj i lejohet që të japë angazhime se këtë hap do ta ndërmarrë më vonë.

Çfarë bashkësie është kjo, që lejon të kihen rezerva ndaj anëtarëve të vjetër në mënyrë që të pranojë anëtarë të rinj? Ekspansioni i nxituar vazhdon. Kriteret e shtetit ligjor demokratik po interpretohen me zemërgjerësi edhe ndaj Rumanisë. Në Kroaci zgjohen shpresa për afate negociatash për anëtarësim ende pa bashkëpunuar ky vend me Tribunalin Ndërkombëtar në atë mënyrë që të ketë të drejtë të shpresojë për këtë. Në të gjitha këto raste Bashkimi Evropian po i hollon standartet e veta, fantazitë boshe për hapësira gjigande zëvendësojnë fuqinë që mbështetet në respektimin e parimeve. Evropianët kërkojnë më shumë pushtet dhe sa vjen e bëhen më të dobët.

Ndërsa gazeta "Neues Deutschland" komenton:

Edhe për motive gjeostrategjike Bashkimi Evropian vendosi për një avantazh të konsiderueshëm besimi kundrejt Turqisë. Por përparimet e kandidatit mund të maten vetëm me kriteret e pranimit të Kopenhagenit, dhe këtu ka ende defiçite të konsiderueshme, jo vetëm për sa i përket ishullit të ndarë mesdhetar të Qipros. Të drejtat e njeriut, këtu përfshihen edhe ato shoqërore, dhe shteti ligjor janë më tepër sesa vetëm paragrafë në ligje të saposhpallura. Si edhe çështja e Qipros para së gjithash problemi kurd pret ende që të zgjidhet. E kjo zgjidhje do të vijë më shpejt, sa më seriozisht e sa më në mënyrë konsekuente t'i zhvillojë bisedimet Bashkimi Evropian.

I drejtohemi një teme të brendshme gjermane. Negociatat midis federatës dhe landeve mbi reformimin rrënjësor të sistemit federativ dështuan dje përfundimisht. Aktualisht landet përfshihen në vendimmarrje nëpërmjet dhomës së lartë të parlamentit në rreth 60 për qind të ligjeve të miratuara nga parlamenti. Federata nuk ishte e gatshme të pranonte kërkesat veçanërisht të landeve të drejtuara nga Partia Kristiandemokrate dhe ajo Kristiansociale për t'u kaluar atyre të gjitha kompetencat në politikën e arsimit. Të dyja palët ia hodhën fajin njëra-tjetrës për dështimin e bisedimeve.

Në lidhje me këtë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

Puna për reformën në organizimin e shtetit gjerman ka ecur shumë që të dështonte tani vetëm në një pikë. Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq pranë vendimi për rishpërndarje të arsyeshme të pushtetit midis federatës dhe landeve, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e liruar nyja e kompetencave. Kush e pengon tani reparimin e suksesshëm të sistemit politik në Gjermani, bën pothuajse sabotim antikushtetues. Keqbërësit mund të identifikohen lehtë. Në krye të tyre qëndron Roland Koch, kryeministri i landit të Hessenit. Për të kolegu nga Partia Kristiansociale Edmund Stoiber, i cili përfaqëson landet dhe së bashku me Franz Müntefering drejton komisionin e federalizmit, është i orientuar tepër nga konsensusi. Koch nuk do që të pengohet në paraqitjen e madhe në dhomën e lartë të parlamentit në Berlin; në të ardhmen, sikur reforma të ketë sukses, kjo tribunë do të bëhej mjaft më e vogël.

  • Data 18.12.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArxX
  • Data 18.12.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArxX