1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

19 Dhjetor 2004
https://p.dw.com/p/ArxW
Pamje nga takimi i komisionit për federalizmin
Pamje nga takimi i komisionit për federalizminFotografi: AP

Një ditë pas dështimit të bisedimeve në lidhje me reformimin e sistemit federal në RFGJ shtypi gjerman i kushton vëmendje kësaj teme. Në këtë kuadër njoftohet se presidenti gjerman Horst Këhler, deklaroi se do të ndërmarrë një përpjekje për të ndërmjetësuar. Ai kërkoi që të gjitha partitë të mblidhen për të diskutuar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 për të planifikuar këtë reformë shtetërore.

Në lidhje me dështimin e bisedimeve për reformimin e sistemit federal në RFGJ në gazetën "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" lexojmë:

"Kryetarët e komisionit për modernizimin e sistemit shtetëror në Gjermani, Franc Myntefering dhe Edmund Stoiber, bënë gjithçka kishin në dorë që kriza në punimet e komisionit të mos shndërrohej në një krizë kushtetuese apo madje në një shkallë të parë të një krize besimi ndaj shtetit. Si kryeministri i landit të Bavarisë edhe kryetari i Partisë Social-demokrate janë të bindur se dispozitat kushtetuese që rregullojnë marrëdhëniet mes landeve dhe federates duhet të reformohen. Ndër të tjera ata kërkojnë të arrijnë sa më shpejt miratimin e një ligji, sipas së cilit kryeministrat e landeve duhet te heqin dorë prej të drejtës për të bllokuar në Këshillin e Federatës ligjet që miratohen në Parlament. Po ashtu kërkohet që të vendoset një linjë e qartë në lidhje me përgjegjësitë e landeve dhe të federatës si dhe të futet në përdorim ideja e konkurrencës mes landeve federale. Edhe pse të gjithë thanë se bisedimet për reformimin e sistemit federal dështuan për shkak të mosmarrëveshjeve në fushën e arsimit, duhet thënë se idetë që ishin formuluar prej penash të ndryshme përmbanin në vetvete aq shumë zhgënjime dhe kërkesa të tepruara prej landeve federale, sa ato nuk mund t'i pranonin dhe për këtë iu erdhi për shtat ideja me politikën arsimore. Landet federale që kanë një ekonomi të zhvilluar kërkojnë reformimin e ligjeve për tatimet si dhe konkurrencën, gjë që nuk u shkon për shtat landeve lindore si dhe disa landeve të tjera të federatës ekonomia e të cilëve nuk është aq e zhvilluar. Nga ana tjetër kërkesat për t'u lejuar landeve që të shmangen prej ligjeve federale ishin të papranueshme për qeverinë gjermane, ndërkohë që përkrahësit e federalizimit, mendojnë se reformat nuk janë aq të thella sa duhet.
Që në fillim komisioni pati probleme me anëtarët e tij. Në kuadrin e tij zhvillonin bisedime 16 kryeministrat e landeve federale ne Gjermani me 16 deputetë, prej të cilëve vetëm Myntefering kishte pushtet të vërtet politik. Qeveria federale ishte ftuar vetëm si vëzhguese dhe për këtë i ndiqte me shumë shqetësim punimet e këtij komisioni. E kështu si edhe në periudhën paraprusiane kryeministrat e landeve e konsiderojne veten si përfaqësues rajonesh me cilësinë e shteteve të mëvetësishme dhe do të vazhdojnë të ndjekin interesat e tyre edhe në bisedimet në Bruksel. Bashkë me dështimin e konferencës dështoi edhe ideja për ta sanksionuar në Kushtetutë Berlinin si kryeqytetin e Gjermanisë."

Kurse në gazetën "Lübecker Nachrichten" lexojmë:

"Gjatë javëve të kaluara të gjithë shpreheshin unisono se suksesi apo dështimi i komisionit të federalizimit do të jetë dëshmi për aftësinë e Gjermanisë për të ndërmarrë reforma. Tani erdhi edhe përgjigjia. Rruga e reformave është tepër e largët. Kjo nuk është e mirë për të ardhmen. Problemet e politikës sonë e cila shtrëngon fort frenat e dorës në një botë e cila po ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme po acarohen gjithmonë e më tepër. Veç kësaj mekanizmi i komplikuar i organizimit shtetëror në Gjermani po ndesh edhe në pengesa të tjera. Pas dështimit të bisedimeve tensioni mes këshillit federal dhe qeverise federale gjermane do të shtohet më tej. Ata kanë filluar t'ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Kjo gjendje të bën të të ngrihen qimet e kokës përpjetë. Askush nuk na pengon që ta çajmë autobllokadën e vendit tonë. Por askush nuk e ndërmerr një hap të tillë.