Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 29.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Temat: Votëbesimi i kancelarit të premten dhe projekti bërthamor, ndërkombëtar miliardësh

Dje u bë e ditur se një prej projekteve më të mëdha e më të shtrenjta të kërkimit në botë, reaktori i provave për shkrirjen bërthamore do të ndërtohet në Cadarache pranë Marsejës. Si vend për ndërtimin e kësaj qendre kishte konkurruar edhe Japonia. Investimi në fjalë kap shifrën 9,6 milion euro.

Në lidhje me këtë Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan:

Marrëveshjet ndërkombëtare për ndërtimin e projekteve të mëdha nuk vendosen asnjëherë sot për nesër. Negociatat për vendin e ngritjes së fabrikës së planifikuar "Iter" për shkrirjen bërthamore kanë zgjatur afro dy vjet. Me "Iter"-in do të demonstrohet bërshmëria e një reaktori të shkrirjes bërthamore, me anë të të cilit nipërit e stërnipërit tanë mund të fitojnë thuajse pafundësisht energji. Por deri në realizimin e këtij përfytyrimi do të duhet edhe të paktën një gjysmë shekulli. Lëndët djegëse ekzistojnë në sasi thuajse të pakufizuara, shfrytëzimi i tyre është tejet efektiv dhe reaktori i shkrirjes bërthamore nuk mund të digjet. Mbeten mbeturinat radioaktive, por këto janë më pak të rrezikshme sesa ato të centraleve bërthamore dhe shpërbëhen më shpejt. Megjithatë kundërshtarët e furnizimit qendror me energji do ta paraqesin atë si gogol.

Për të njëjtën temë në gazetën Die Welt lexojmë:

Vendimi për të ngritur në Francë reaktorin e kërkimeve për shkrirjen bërthamore "Iter" është një prej investimeve më të rëndësishme në të ardhmen tonë. Kjo teknologji ka potencialin për të shmangur mungesën e energjisë për njerëzimin, për kombet e industrializuara, mungesë që po përvijohet në horizont. Për nga sfida teknologjike kjo ndërmarrje është sigurisht e krahasueshme me projektin Manhattan ose me programin Apollo. Veçanërisht në Gjermani ka edhe zëra kritikë, të cilët e konsiderojnë këtë kërkim harxhim parash. Sigurisht, ende nuk është e sigurt nëse centrali i shkrirjes bërthamore është i bërshëm teknikisht, por ne duhet ta provojmë. Kjo është thuajse mundësia jonë e vetme.

Kalojmë në një temë gjermane. Për të mbërritur në zgjedhje të parakohshme kancelari gjerman po përdor votëbesimin në parlament me shpresën që ta humbë atë. Kryetari i Partisë Socialdemokrate Franz Müntefering, i ka këshilluar deputetët socialdemokratë që të abstenojnë gjatë votimit në parlament ditën e premte.

Berliner Zeitung komenton:

Përgjigjja ndaj votëbesimit që do të kërkojë Schröder-i më 1 korrik në Bundestag është doemos e manipuluar. Ajo fiton domethënie vetëm si manipulim. Mundësia e vetme për t'i treguar kancelarit të tyre besimin qëndron për deputetët socialdemokratë në refuzimin e tij. E hapur mbetej deri tani se çfarë mjetesh manipulimi do të shfrytëzonte kancelari dhe shefi i fraksionit parlamentar socialdemokrat Franz Müntefering. Müntefering i ftoi dje anëtarët e fraksionit parlamentar që të abstenonin, pra as të mos ia mohojnë e as të mos ia japin Schröder-it votëbesimin. Me sa duket Müntefering po merr shembull nga miliona ish-zgjedhës të Partisë Socialdemokrate, të cilët prej vitesh reagojnë me abstenim ndaj pyetjes se a e meriton më kjo qeveri besimin e tyre.

Mbetemi në temën e votëbesimit dhe shfletojmë në Süddeutsche Zeitung:

Dikur ai premtoi të mos i bënte të gjitha gjërat ndryshe, por shumë prej tyre më mirë. Tani kancelari Schröder po e bën njëlloj si kancelari Kohl në vitin 1982. Pyetja e votëbesimit që bën Schröder-i të premten ka po aq dredhi sa edhe ajo e Kohl-it. Si edhe Kohl-i atëherë Schröder-i shikon sot domosdoshmërinë e zgjedhjeve të reja, e kësaj duhet t'i hapë rrugë e drejta kushtetuese. Ndryshimi politik në këtë mes është se atëherë Kohl-i kishte mundësi të shkëlqyera e më pas edhe konfirmuese për zgjedhje të reja. Në çastin e lajmërimit të manovrës së tij Schröder-i kishte e shumta shpresën e vagullt se atmosfera do të ndryshonte në favorin e tij, sipas motos: Njëherë të hidhem në betejë dhe pastaj do shoh. Por deri tani i është dashur të shohë se gjërat për të vetëm sa janë keqësuar. Kancelari i bëri llogaritë gabim.

  • Data 29.06.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aruu
  • Data 29.06.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aruu