Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 01.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek deklarata e djeshme e kancelares Angela Merkel, mbi programin qeveritar për 4 vitet e ardhshme.

Gazeta Rhein-Neckar-Zeitung nga Heidelberg shkruan:

"Cili është mesazhi, me të cilin Angela Merkel do të shoqërojë qytetarëtt gjatë një rruge, që nuk e zgjodhi ajo, por që është i vetmi opcion? Asnjë shfaqje teatrale, asnjë inskenim i tepruar. Në vend të saj shumë hapa të vegjël, një përshkrim i duhur mbi qëllimet dhe mundësitë, si edhe pak optimizëm i përmbajtur mbi te ardhmen. Por kujdes, oferta e koalicionit të madh nuk është një pjatë e mbushur me ëmbëlsira, në të cilën mund të fusin duart e të zgjedhin të gjithë se çfarë ju pëlqen. Por ky solidaritet dhe kjo fuqi mund ta kthejnë koalicionin e madh në shpëtimtarin e shumë pikave, ndonëse tani për tani ky vizion është ende i largët. Por fakt mbetet se Angela Merkel, e cila nuk e ka shumë idenë e riteve politike, është ndoshta personi më i përshtashtëm për postin e kryetarit të Gjermanisë."

Gazeta Der Tagesspiegel nga Berlini shkruan:

"Ato që dëgjuam gjatë kësaj deklarate ishin shumë larg qëllimeve që kishte Angela Merkel, kur shpresonte ende në mrekullinë e krijimit të një koalicioni të zi e të verdhë dhe kur nuk e përfytyronte dot bashkëpunimin me social demokratët. Kancelarja foli dje mbi hapat e vegjël që do të ndërmarrë për të rindërtuar shtëpinë gjermane. Në rast se të gjitha pikat e përmendura në programin qeveritar do të plotësohen vërtet gjatë 4 viteve të ardhshme, atëherë kjo do të ishte një fitore e madhe, sidomos pas një qeverie, e cila humbi shumicën e votuesve për shkak të mungesës së solidaritetit dhe qartësisë në politikën e saj sociale."

Gazeta Berliner Zeitung shkruan:

"Zonja Merkel, duartrokitjet gjatë fjalimit tuaj zgjatën më pak se 45 sekonda. Unioni mezi duartrokiti dhe social demokratët pothuajse fare. Kjo nuk do të thotë se Ju nuk folët mirë mbi social demokratët. Ju u përkulët para Villi Brandt, Ju lavdëruat Gerhard Schröderin dhe madje folët me respekt mbi përpjekjet e social demokratëve gjatë diskutimeve mbi koaliconin e madh. Pra as unioni CDU/CSU dhe as partia SPD nuk mund të ankohen. Por Ju harruat t´i tregoni unionit, SPD-së dhe të gjithë opinionit publik gjerman përse doni të qeverisni? Hapat e vegjël nuk e zëvendësojnë dot planin e madh."


Gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan:

"Dukej sikur Merkel është ende e pikëlluar që nuk u realizua koalicioni i zi dhe i verdhë. Programi qeveritar i Merkelit flet me të vërtetë mbi papunësinë masive, mbi borxhet shtetërore dhe mbi reformat sociale, por fatkeqësisht jo mbi reformimin konkret të këtyre fushave. Kancelarja e di se ekonomia gjermane ndodhet në krizë, se qeveritë paraardhëse lanë pas tyre male me borxhe, të cilat duhet t´i lajnë tani brezat që pasojnë. Merkel e di gjithashtu se tani ajo duhet t´ja bëjë të qarta këto pika një populli, i cili dëshmoi hapur gjatë zgjedhjeve parlamentare në shtator, se nuk ka ndërmend t´i pranojë të gjitha hapat e qeverisë pa reaguar."


Gazeta Kölnische Rundschau shkruan:

"Angela Merkel kishte llogaritur me kritika ndaj deklaratës së saj qeveritare. Ajo e pranoi vetë se nuk flitet për një plan të madh, por për hapa të vegjël. Kancelarja tha se veprat e qeverisë së saj do të shoqërohen nga transparenca dhe jo patosi. Pragmatizmi si stil politik - hap inteligjet ky! Në fakt Angela Merkel nuk mbajti një deklaratë mbi programin qeveritar, por një delaratë mbi marrëveshjen brenda koalicionit të madh."

Dhe së fundi, në gazetën Braunschweiger Zeitung lexojmë mbi gjermanen e marrë peng në Irak:

"Politika në Irak ka marrë një drejtim aq konfuz, sa tani çdo pengmarrje konsiderohet si një vepër fundamentaliste. Por ekzistojnë edhe banda, të cilat janë të interesuara të marrin para për pengjet e tyre dhe jo të ushtrojnë hakmarrje ndaj perëndimorëve. Por kjo nuk do të thotë se pengjet kanë më shumë fat kështu, sepse momentan në Irak jeta e njeriut nuk vlen asnjë cent. Por një gjë është e qartë: Gjermanët muk mund të ndjehen më të sigurtë në Irak, vetëm sepse Gjermania nuk morri pjesë në luftën e Irakut."

  • Data 01.12.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsa
  • Data 01.12.2005
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsa