Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 03.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Temë qendrore në të përditshmet e sotme gjermane është kriza mes Rusisë dhe Ukrainës pas zënkave për çmimin e gazit dhe ndikimet e kësaj krize në vendet evropiane

Në gazetën «Landeszeitung» të Lynebergut lidhur me këtë lexojmë: "Bartësit fosil të energjisë janë resorët e fundit. Dita nuk duket e largët, kur ne do të duhet të gjendemi disi me shifra më të ulëta prodhimi. Njëkohësisht shtohet numri i rivalëve të uritur për energji. Evropa duhet të gjejë përgjigje se si do të siguroj pjesën dhe burimet e saj të reja. Në vitin 1973 nafta nuk e kishte peshën që ka sot. Kështu që me kalimin e kohës dhe shfrytëzimin e rezervave energjia mund të përdoret si armë. Investimet në zhvillimin e koncepteve alternative do të topisnin tehun e armëve të gazit dhe naftës në duart e carëve e sheikëve. Njëkohësisht ato do të siguronin bazat themelore të jetës për njerëzit", shkruan ndër të tjera në numrin e saj të sotëm gazeta «Landeszeitung».

Po për të njëjtën temë «Badisches Tagblatt» e Baden-Badenit thekson:

"Zënkat aktuale tregojnë qartë se Moska ka vendosur që përkundër ndikimeve negative për partnerët e tjerë tregtarë, siç është në këtë rast Evropa perëndimore, të mbetet e fortë në pozitat e saj në mosmarrëveshjet me fqinjtë. As paralajmërimet që në gazpërçues do të lëshohet më tepër gaz nuk ndryshojnë shumë gjendjen. Kjo ndodhi vetëm pas protestave masive të perëndimit, më parë sigurimi i furnizimit me gaz të evropianëve nuk i interesoi aq shumë Rusisë. Në këtë mënyrë shtrohet pyetja çfarë detyrimi ka një premtim rus për partnerët dhe këtë jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe në atë politik", pyet «Badisches Tagblatt».

Ndërkaq në «Thüringer Allgemeine» e cila botohet në Erfurt lexojmë:

"Rusia siç duket vuan nga dhimbjet fantome të mosqenit më superfuqi. Ndryshe nuk mund të sqarohet kriza ndërkombëtare e shkaktuar pas zënkave për çmimin e gazit mes Rusisë dhe Ukrainës. Rusia e ka ende të vështirë, sidomos udhëheqja e Kremlinit që të kuptojë rolin e saj të ri në bashkësinë e shteteve tashmë të pavarura. Sa vjen e bëhet më e qartë se palës ruse në të vërtetë nuk i intereson çmimi i gazit por sferat e ndikimit", thuhet ndër të tjera në «Thüringer Allgemeine».

Ndërsa «Berliner Kurier» po për këtë temë tërheq vëmendjen:

" Fjalia 'furnizimi ynë me energji është i sigurtë' nuk vlen më. Edhe pse ajo rregullisht përsëritet nga furnizuesit me gaz. Nga lufta e gazit në lindje mund të mësojmë një gjë: më shpejt se deri më tani të zhvillojmë programin e 'energjisë alternative' dhe të sigurojmë burime të reja të energjisë. Pra të shfrytëzojmë më tepër diellin, erën, ujin dhe bioenergjinë. Ende një pjesë e madhe e qytetarëve qesh kur dëgjojnë për këto plane. Por zënkat për gazin na bëjnë të kuptojmë se nëse nuk hulumtojmë burime të reja të energjisë nuk do të ketë as siguri energjetike", përfundon «Berliner Kurier».

Ndërrojmë temë dhe kalojmë në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e cila në numrin e saj të sotëm vëmendje të posaçme i kushton zhvillimeve të fundit në Siri. Lidhur me këtë në të lexojmë:

"Regjimi sirian, për të cilin komisioni hetimor i Kombeve të Bashkuara i drejtuar nga gjermani, Detlev Mehlis dyshon të jetë i implikuar në vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri është futur ngushtë. Kjo po ashtu tregon se vrasja e Haririt ndoshta ka qenë gabimi me pasojat më të mëdha i udhëheqjes siriane në dekadat e kaluara. Damasku i cili Libanin nuk e pa asnjëherë si vend tjetër, por gjithnjë si pjesë e 'Sirisë së madhe' u desh të tërheqë trupat e saj pas vrasjes dhe presionit të shtuar amerikan dhe libanez. Regjimi duket se është goditur aq rëndë saqë nga anija që po fundoset është i gatshëm të largohet edhe një burrë siç është zëvendëspresidenti i deritanishëm Çadami", lexojmë në «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

  • Data 03.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars5
  • Data 03.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars5