Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 02.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Temë qendrore e komenteve në të përditshmet e sotme gjermane është samiti për energjinë që sot zhvillon punimet në Berlin dhe premtimet e ish-qeverisë gjermane të drejtuar nga kancelari Shrëder për një garancë disamiliardëshe për koncernin rus Gasprom

Fillimisht shfletojmë gazetën «Frankfurter Neue Presse» në të cilën lexojmë:

"Rezervat e gazit dhe naftës janë në pakësim e sipër. Presioni që furnizuesi më i madh i gazit në Rusi ushtroi gjatë ndërrimit të motmoteve ndaj Ukrainës, tregoi se zotërimi i energjisë do të thotë njëkohësisht gjithnjë e më shumë edhe forcim politik. Kjo është edhe më dramatike kur dihet se rezervat më të mëdha të gazit dhe naftës ndodhen në Lindjen e Mesme dhe të Afërme, jostabile politikisht. Vendet perëndimore duhet të mendojnë urgjentisht se si do të sigurojnë energji alternative afatgjate me çmim të mirë dhe më së miri nën regjinë vetanake. Zgjidhja më e mirë në këtë mes, do të ishte përhapja e shfrytëzimit të burimeve të energjisë si asaj me erë apo ujë. Opcione tjera janë centralet bërthamore dhe thëngjilli. E logjikshme do të ishte kombinimi i të gjitha këtyre burimeve energjetike", thekson gazeta «Frankfurter Neue Presse».

Ndërkaq në «Nordsee-Zeitung» e cila botohet në Bremerhaven thuhet:

"Eshtë e padiskutueshme që teknika bërthamore gjermane prin aktualisht në botë. E padiskutueshme është po ashtu që inxhinierët gjermanë janë të parët në botë kur bëhet fjalë për shndërrimin e forcës së erës, masave biologjike dhe nxehtësisë së tokës, në energji të shfrytëzueshme. Sharmi i kësaj teknike është se atë mund ta financojnë edhe njerëzit në thellësi të Afrikës. Dhe thënë sinqerisht, bomba fekale në duart e mullave nuk frikëson me të vërtetë", lexojmë në «Nordsee-Zeitung».

Kalojmë në «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e cila sot vëmendje të veçantë, tani kur është hapur debati për energjinë, i kushton pranisë së ish-kancelarit gjerman Shrëder në kryesinë e Koncernit gjermano-rus të gazit. Në numrin e saj të sotëm ajo shkruan:

"Nuk bëhet fjalë për atë kur dhe çka ai dinte për garancën. Ai me siguri që nuk e ka nënshkruajtur personalisht atë. Për më tepër debatohet lidhja e politikës që ai ndiqte personalisht ndaj Rusisë, miqësia me Putinin dhe debati i zhvilluar për gazpërçuesin rus. Humbja e ndikimit dhe imazhit i dhemb politikanit dhe menaxherit më shumë se krejt paratë. Por kjo nuk është ende justifikim që një mandat politik të shfrytëzohet për nevoja personale. Drejtimi i Kryesisë së Këshillit Mbikqyrës nga Shrëderi nuk mund të krahasohet me atë të një banke. Ish-kancelari ka kryer një shkelje të rëndë të rregullave", nënvizon «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Me ish-kancelarin gjerman Gerhard Shrëder dhe Gaspromin rus mirret sot edhe e përditshmja bavareze «Abendzeitung». Në të lexojmë:

"Eshtë e mundur që premtimi për një garancë shtetërore për Gaspromin ka qenë një veprim rutinë për qeverinë e atëhershme. Në këtë mënyrë është po ashtu e mundur që vendimi i atëhershëm të mos ketë lidhje me ofertën e mëvonshme për punë nga Gaspromi, në adresë të ish-kancelarit Shrëder. Por tani, është i çuditshëm fakti, që Gerhard Shrëder dhe ministri i tij i financave Hans Eichel, thonë se nuk kanë patur as njohurinë më të vogël për procedurën. Përgjegjës për veprimet e atëhershme qeveritare ka qenë ministri dhe në fund të fundit vet kancelari. Që Gerhard Shrëder nuk e pranon këtë është të paktën diçka e rrallë dhe lë në fund një shije bajat", theksohet në «Abendzeitung».

Nga Mynihu kalojmë në Mynster ku gazeta «Westfälische Nachrichten» po për këtë temë shkruan:

"Ish-kancelari, i cili sipas pikëmpamjeve të shumicës së vëzhguesëve politik është bërë shumë shpejt nga shef i Gjermanisë në sipërmarrës për çështje personale, nuk guxon të çuditet nëse shpeshtohen kritikat ndaj tij për postin në Këshillin Mbikqyrës të Koncernit gjermano-rus të gazit. Përkundër përgënjeshtrimeve mbetet përshtypja se qeveria kuq e gjelbër në metrat e saj të fundit është përkujdesur që të mbështes projektin gjermano-rus", thuhet në «Westfälische Nachrichten».

Në fund shfletojmë edhe gazetën «Sächsische Zeitung» të Dresdenit nga e cila veçojmë:

"Eshtë e mundur që Shrëderi të mos ketë ditur asgjë që qeveria federale në ditët e saj të fundit i ka premtuar rusëve një garancë disa miliardëshe. Eshtë e mudnur po ashtu se Gaspromi nuk do ta pranoj fare kredinë e ofruar nga pala gjermane. Megjithatë ky rast tregon se Shrëderi nuk do të arrij asnjëherë që t'i heq qafe tërsisht akuzat se ka marrë vendime politike të cilat do t'i hynin në punë në jetën personale. Ish-kancelari është në rrugën më të mirë për të demontuar veten", konkludon «Sächsische Zeitung».

  • Data 02.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqb
  • Data 02.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqb