Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 25.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Arrestimi i personit të dytë, që akuzohet si fajtor për vënien e bombave në trenat në Gjermani, komentohet me gëzim prej gazetave gjermane, të cilat vlerësojnë punën e organeve hetimore.

Jihad Hamad arrestohet nga hetuesit gjermanë

Jihad Hamad arrestohet nga hetuesit gjermanë

"Westfälische Anzeiger" (Hamm) shkruan:

"Edhe pse edhe fati luajti një rol në arrestimin e shpejtë të dy atentatorëve, organet gjermane të hetuesisë duhen lëvduar për punën e tyre. Policia dhe shërbimet bënë një punë të mirëfilltë pa rënë në sy dhe pa u kanosur me deklarata se po luftojnë terrorin."

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" kërkon që të mos merren masa vetëm për perfeksionimin e teknikës së përgjimit:

"Hetuesit gjermanë të grupit antiterror vetëm mund t'i urosh për shpejtësinë me të cilën arritën të sqarojnë atentatet e dështuara me bombat e fshehura në valixhe. Por suksesi nuk i dedikohet vetëm teknikës, ndërkohë që në arkitekutërn e sigurisë në Gjermani faktori njerëzor lihet pas dore. Kështu me ligjin plotësues për luftimin e terrorizmit mundësohet që zyrat e ndryshme të kenë mundësi të hyjnë pa problem në regjistrin e të dhënave elektrinike. Një gjë e tillë i bën të tepërta jo vetëm telefonatat mes njërës apo tjetrës drejtori policie a hetuesie, por madje edhe kontaktet personale mes zyrave të ndryshme. Të mrekulluar pas mundësive që ofron sot teknika, politikanët që merren me politikën e brendshme harrojnë, që çdo aparaturë mund të funksionojë aq mirë, sa mirë dinë ta përdorin njerëzit atë, dhe sa janë ata në gjendje të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin."

Gazeta "Märkische Allgemeine" (Potcdam) trajton sfondin e motiveve që fshihen pas personave të arrestuar:

"A erdhën këta persona me mendimin për të ushtruar akte terroriste në Gjermani? Në rast se po atëhere i takojnë me sa duket një organizate radikale, e cila hedh në erë gjithçka që mban erë perëndim. Apo u radikalizuan këtu në Gjermani? Në këtë rast duhen zbuluar mekanizmat e këtij indoktrinimi dhe personat që lëvizin fijet. Gjithsesi edhe në këtë rast kemi të bëjmë sërish me fenomenin, sipas së cilit terrorit nuk i drejtohen vetëm përfaqësuesit e shtresave të ulta myslimane, por edhe djem të rinj që vijnë nga familje në gjendje të mirë ekonomike dhe të cilët i kanë të hapura të gjitha dyert e shkollimit. Të gjitha këto flasin për faktin, se ajo që i shtyn për këto gjëra është fanatizimi i verbër."

"Nordbayerischer Kurier" (Bayreuth):

"Në fakt ne dimë shumë pak se ç'fshihet pas këtyre akteve terroriste dhe me gjithë kënaqësinë për arrestimet e shpejta, e gjitha vazhdon të mbetet shqetësuese. Papritur në Gjermani është e pranishme frika prej akteve terroriste, prej së cilave Gjermania dukej relativisht e sigurt, pas refuzimit për të marrë pjesë në luftën në Irak. Stacionet bllokohen kur në to gjendet ndonjë valixhe pa të zotin, në trenave njerëzve u bëhet thirrje përmes altoparlantët që të kontaktojnë menjëherë personelin e shërbimit, në rast se shohin ndonjë çantë apo valixhe që nuk i takon njeriu. Koha e udhëtimit të qetë me tren duket se ka marrë fund. Prej gjithë këtyre parlajmërimeve dhe thirrjeve për t'u treguar vigjilent, e ke të vështirë të rrish i qetë."


Temë tjetër e gazetave gjermane janë lajmet e mira për korrigjim për lart të shifrave për konjunkturën në Gjermani.

Gazeta "Münchener Merkur" thekson se edhe pse këto lajme duken si të pabesueshme, shumëkush duhet të gëzohet, sepse numri i të papunëve është duke rënë, arkat e sigurimeve mund t'i shlyejnë më shpejt nga sa parashikohet borxhet e tyre dhe madhe edhe pensionistët mund të gëzohen për një rritje të pensioneve.

Duke trajtuar prognozat për konjunkturën në Gjermani gazeta "Mittelbayerische Zeitung" (Regensburg) e vë theksin tek rënia e ritmit të konsumit në Gjermani në krahasim me vende të tjera:

"Me çmendurinë tonë pas çmimeve të lira, e cila nuk lidhet patjetër me nevojën, ne po e nxisim më tej globalizimin. Ne mundohemi t'i ulim aq shumë shpenzimet sa që një ditë për të ruajtur këto çmime të ulta, të gjitha mallrat do të duhet të prodhohen vetëm në vende të largta, ku rrugat janë të ulta. Ne i shkurtojmë pra edhe vetë vendet e punës dhe gënjejmë veten duke bërë sikur nuk e kuptojmë që ndikim ndaj mirëqënies sonë nuk kanë vetëm politika dhe ekonomia, por që pjesë e konjunkturës, jemi edhe ne vetë si konsumatorë."

  • Data 25.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroI
  • Data 25.08.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroI