1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Deutsche Welle29 Gusht 2006

Temë qendrore në të përditshmet e sotme është misioni i ushtrisë gjermane jashtë vendit

https://p.dw.com/p/AroD
Bundeswehr në Kongo
Bundeswehr në KongoFotografi: picture-alliance/ dpa
Fillimisht lidhur me këtë në «Ostthüringer Zeitung» lexojmë:"«Në vorbullën thithëse të historisë botërore», ku FAZ dyshon të jetë futur qeveria federale gjermane, kancelarja Angela Merkel nuk i qëndron besnike planit: Ke parasysh fundin. Thënë më qartë: si e sheh Angela Merkel strategjinë e tërheqjes? Eshtë shumë punë e lehtë të futesh në një konflikt, por është e vështirë të gjesh dalje nga ai. Duhet gëzuar faktit se francezët dhe italianët po marrin përsipër rrezikun më të madh, atë tokësor. Qeveria në Berlin nuk guxon tu shmanget obligimeve. Por ajo duhet që të vlerësoj qëllimet, mjetet, kohëzgjatjen e misioneve dhe të peshoj rreziqet që bartin ato. Edhe publikisht. Kjo nuk guxon të jetë një aventurë", tërheq vërejtjen «Ostthüringer Zeitung». Shfletojmë gazetën «Reutlinger General-Anzeiger» ku ndër të tjera thuhet: "Politikanët me siguri që nuk e ndjejnë veten mirë kur duhet të vendosin për gjëra të tilla. Kushtetuta parasheh rastet e mbrojtjes dhe aleancave, por për mbrojtje të vendit në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk mund të flitet më kur diskutohet për disa prej misioneve ushtarake jashtë vendit. Kjo për faktin se shtrohet pyetja, dorën në zemër a mbrohet në të vërtetë siguria e Gjermanisë në Hindukush? Marrë parasysh numrin gjithnjë e në rritje të kërkesave që Gjermania të dërgojë ushtarë në misione jashtë vendit duhet pyetur se çfarë kuptimi ka kjo dhe çfarë i sjell kjo Gjermanisë. Ku në të vërtetë ndodhen interesat e Gjermanisë?", shtron pyetjen gazeta «Reutlinger General- Anzeiger». Ndërkaq «Wiesbadener Kurier» lidhur me misionin e Bundesvehrit në Afganistan shkruan: "Thirrja e mundshme për një angazhim më të madh ushtarak gjerman në Afganistan ka zbuluar në Berlin një gabim në sistem: për misionin e ISAF-it Bundestagu ka marrë një vendim që zgjerimet nuk kanë nevojë më për miratimin shtesë të parlamentit. Një praktikë e dyshimtë. Kjo faktin se sa çel e mbyll sytë Bundesvehri mund të ndodhet në mes të lufitmeve. Kritikët kanë tërhequr me kohë vërejtjen nga një zhvillim i tillë. Se një gjë e tillë do të ndodh herët a vonë kuptohet nga ambiciet gjermane për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", thekson «Wiesbadener Kurier». Po për misionin e ushtrisë gjermane në Afganistan «Märkische Oderzeitung» komenton: "Aleatëve do të jetë e vështirë të u sqarohet nëse gjermanët nuk do të jenë të gatshëm të marrin pjesë në këto luftime. Po ashtu do të jetë e pamundur që Gjermania ti lejoj vetes një tërheqje të plotë. Për të qëndruar larg jugut të Afganistanit, Gjermania nuk mund të thirret më në historinë e saj dhe atë prej se Berlini dërgon të dërgoj trupa edhe në Liban dhe kërkon një mandat robust për këtë mision", nënvizon «Märkische Oderzeitung». Ndërsa në «Mittelbayerische Zeitung» po për të njëjtën temë lexojmë: "Para se t'i futemi një rreziku të ri mund të parashtrojmë një pyetje me mend: a ka kuptim një angazhim ushtarak gjerman në tërë botën? A duhet që ne të dëshmojmë me armë në Afganistan se ne mund të qëndrojmë si të barabartë përkrah anglezëve dhe spanjollëve? A ia vlen rreziku në misionin e Kongos si aktrim politik? A janë gjermanët me historinë e tyre të predestinuar që të qëndrojnë para Izraelit me një mandat robust? Tërheqje ushtarake Gjermania ka treguar me dekada të tëra. Pse nuk e kemi guximin që sërish të themi jo?", pyet «Mittelbayerische Zeitung». Nga ana tjetër «Flensburger Tageblatt» sqaron: "Qysh vitin e kaluar Bundestagu i ka dhënë mandat Bundesvherit që të veprojë në tërë Afganistanin. Andaj një mision i ushtrisë gjermane në jugun e trazuar është i mundur në çdo kohë. Vetëm se për këtë deri tani nuk ka folur me dëshirë askush... Ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung u ka ndaluar deputetëve dhe gazetarëve që të vizitojnë trupat gjermane të dislokuara në Hindukush. Por si do të vendosin deputetët në mes të tetorit për zgjatjen e mandatit të Bundesvehrit në Afganistan pa patur më parë një pamje reale të gjendjes atje? Kur bëhet fjalë për jetën e ushtarëve tanë atëherë diskutimi i hapur duhet të jetë i pashmangshëm. Kjo vlen edhe për misionin paqësor në Liban", lexojmë në «Flensburger Tageblatt».