1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

DW25 Shtator 2006

Debatet për ndalimin e Partisë Nacional-Demokrate (NPD), parti kjo ekstremiste e djathtë, pas zgjedhjes së përfaqësuesve të saj në parlamentin e landit Meklenburg-Vorpomern. Mënyrat e luftimit të terrorit në botë dhe mungesa e mësuesve në Gjermani, gjendja në shkollat gjermane, janë temat që përzgjodhëm për pasqyrën e sotme të shtypit.

https://p.dw.com/p/Arnm
Mungesë mësuesish në Gjermani
Mungesë mësuesish në GjermaniFotografi: dpa zb

Zgjedhja e përfaqësuesve të Partisë Nacional-Demokrate (NPD), parti kjo ekstremiste e djathtë, në parlamentin e landit Meklenburg-Vorpomern ka ngjallur në Gjermani debatet për ndalimin e kësaj partie. Një sërë politikanë drejtues të federatës dhe të landeve kërkojnë, që të ndërmerret një hap i tillë, për të penguar përhapjen e propagandës antikushtetuese që synon kjo parti. Në lidhje me këtë temë "Ostsee-Zeitung" që botohet në Rostok shkruan:

"Kampi i djathtë qëlloi sërish dhe e goditi rëndë Gjermaninë. Para dy vjetësh NPD-ja hyri me 9,2% të votave në parlamentin e landit të Saksonisë. Që prej një jave fantazma e saj rrotullohet edhe në Shverin dhe ende vazhdon të mbretërojë mosdija se ç'duhet bërë pas kësaj. Me parrullat e saj bajate dhe gjoja afërsinë ndaj qytetarëve kjo parti arriti të fitonte në Meklenburg-Vorpomern votën e thuaj një ndër 13 qytetarë, kurse në Saksoni të një ndër 11. Ata që i lënë njerëzit masivisht pa punë, perspektivë dhe mbrojtje sociale, e humbasin besimin."


Gazeta "Berliner Morgenpost" trajton çështjen e luftimit të terrorit në botë:

"Me sa duket për momentin nuk ka rëndësi nëse nisemi prej suksesit apo mossuksesit të luftës kundër terrorit. Terrori duhet shuar. Lufta kundër terrorit është një çështje serioze, e cila nuk mund t'u lihet në dorë vetëm ushtarakëve. Këtë gjë e kanë thënë shumë njerëz që në fillim. Kjo luftë nuk ka fronte, sepse nuk bëhet fjalë për luftë kundër ushtrive, por kundër individëve. Kjo luftë bëhet për kokat e miliona njerëzve. Dhe ata i bën për vete në radhë të parë përmes argumentave dhe shembujve. Mirë që një gjë të tillë e kanë marrë të paktën vesh shërbimet sekrete."

Temë tjetër që vazhdon të preokupojë gazetat e sotme gjermane është mungesa e mësuesve në Gjermani dhe gjendja në shkollat gjermane.

"Mannheimer Morgen" shkruan:

"Para disa ditësh presidenti gjerman Këhler i quajti ata "heronj të jetës së përditshme". Po numri i tyre po vjen duke e pakësuar dhe në Gjermani ka mungesë për mësues. Shkalla e alarmit nuk është e re, por burokratët që merren me arsimin, nuk e kanë marrë ende seriozisht këtë problem. Në Gjermani nuk janë marrë masa për të verifikuar nevojat për mësues, për t'i paguar si duhet studentët praktikantë për mësues, për t'i lidhur studimet e degëve pedagogjike me praktikën. Në vend që të kujdeseshin për këto gjëra politikanët, si ish-kancelari Shrëder, bënin humor për mësuesit duke i quajtur ata "dembelë". Po mësuesve u duhet që të dalin për të dhënë mësim para klasash mbushur me të rinj, që nuk asnjë lloj perspektive, të merren me fëmijë zevzekë dhe tekanjozë që nuk lënë dy gurë bashkë, dhe të justifikohen përpara prindërve, se përse u kanë vënë fëmijëve të tyre nota të këqia. Në këtë nuk ka pse të çuditemi që nëpër shkolla, që po transformohen nga qendra për transmentimin e dijeve, në ofiçina sociale, po mungojnë gjithnjë e më tepër "heronjtë".

"Südwestpresse" (Ulm):

"Në shkollat e larta pedagogjia mësohet vetëm si shkencë teorike. Në jetë ajo është një art më vete, qoftë në bankat e shkollës, qoftë në familje. Ai që ka vetë fëmijë për të edukuar, e di mirë këtë. Sikurse prindërit, edhe mësuesit janë herë më shumë e herë më pak të të mbingarkuar. A kanë në këtë mes nevojë shkollat për mbështetjen e punonjësve socialë apo psikologëve. Në disa raste kjo mund të jetë e nevojshme. Megjithatë shumë mësues arrijnë ta bëjnë mësimin e tyre aq interesant, sa edhe zevzekët më të mëdhej bien në qetësi dhe e ndjekin mësimin me vëmendje. Pikërisht prej tyre duhet të mësojnë edhe kolegët e tjerë, duke përvetësuar metodat, idetë dhe qëllimet e tyre. Vetëm në këtë mënyrë profesioni i mësuesit do të bëhet sërisht tërheqës."