1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

21 Nëntor 2006

Tema qendrore në të përditshmet e sotme gjermane janë sulmi i një të riu në një shkollë gjermane dhe evitimi i një sulmi terrorist ndaj një avioni pasagjerësh, po ashtu në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Armt

Në një shkollë të qytetit Emsdetten një i ri 18 vjeçar në gjendje amoku plagosi nëntë persona dhe në fund vrau veten. Në një letër të publikuar në internet 18 vjeçari kishte sqaruar më parë se e urren këtë shkollë dhe mësuesit, andaj dhe do të hakmirret.

Fillimisht në «Mittelbayerische Zeitung» të Regensburgut lexojmë:

"T'i mbajmë sytë dhe veshët hapur, të tregojmë kurajo civile dhe të shtrojmë pyetje të pakëndshme, mundemi të gjithë. Por pse atëherë askush prej atyre që dinin apo dyshonin për planet e të riut nga Emsdeteni në gjendje amoku nuk i treguan të tjerëve? Përse guxon një i ri i cili për shkak të veprimeve të tij kundër ligjit të armëve do të duhej të jepte llogari para gjyqit të posedoj kaq shumë armë? Përse askush nga rrethi i këtij të riu i cili ka rënë në sy më herët me sjelljet e tij nuk doli me kohë të njoftoj një psikolog, një mësues apo policinë? Të gjithë dhe jo vetëm qytetarët e Emstedenit kthejnë kokën anash, mbyllin veshët ndërsa tani kapin kokën me duar. Detyrë e jona tani pas ndodhisë në Emsteden është që të mendojmë pak më gjatë për këtë çështje dhe pasojat e saj", thuhet ndër të tjera në «Mittelbayerische Zeitung».

Ndërkaq «Ostsee-Zeitung» e cila botohet në Rostock po për të njëjtën ngjarje shkruan:

"Ka kohë që shoqëria ka kapitulluar para brutalitetit dhe dhunës. Kanë rënë kufijtë moral, thyerja e tabuve është në rend të ditës. Njerëz potencial në gjendje amoku gjejnë sot idhujtë e tyre vrasës në kompjutera apo lojërat elektronike, në televizion apo gazeta", nënvizon «Ostsee-Zeitung».

Ndërrojmë temë. Në Gjermani sipas të dhënave të prokurorisë federale ka patur përgatitje për një sulm terrorist ndaj një avioni pasagjeresh. Së paku gjashtë vetë duhet të kenë kërkuar nepër persona të panjohur rrugë për të futur eksploziv në një avion, njoftoi prokuroria në Karlsruhe. Lidhur me këtë gazeta «Nordkurier» thekson:

"Ky rast tregon padyshim: nga njëra anë e bën të qartë se sa shumë Gjermania ndodhet në shënjestër të terrorizmit. Ata që deri më sot besonin se Republika Federative e Gjermanisë është më pak e rrezikuar përshembull sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Britania e Madhe të paktën tani e ka kuptuar se gjendja paraqitet pak më ndryshe. Edhe Gjermania po ashtu është në shënjestër të terroristëve. Nga ana tjetër suksesi i autoriteteve të hetuesisë tregon se po funksionin koncepti gjerman i sigurisë. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për shkak të rrezikut pasojnë reagime të tepruara dhe shkelen të drejtat e lirisë, modeli gjerman dëshmon për një balancë mes lirisë dhe sigurisë së nevojshme", lexojmë në «Nordkurier».

Po për të njëjtën temë nga «Allgemeine Zeitung» e Mainzit veçojmë:

"Tingëllon paksa e çuditshme ajo çfarë dje doli nga Prokuroria federale. Pjesetarë të panjohur të një organizate terroriste duhet të kenë kërkuar për persona të panjohur rrugë për të futur eksploziv në një avion. Eshtë vështirë që procedura të vlerësohet me siguri. Por megjithatë shtrohet pyetja përse bëhet kaq shumë bujë për këtë rast edhe pse nuk ekziston asgjë konkrete. Eshtë e vetkuptueshme që autoritetet duhet të reagojnë sapo të dyshojnë për diçka. Por sidoqoftë nganjëherë më e kuptueshme është që rrjedha e gjërave të vështrohet në qetësi dhe të ndërhyhet atëherë kur me të vërtetë ia vlen të intervenosh", thuhet në «Allgemeine Zeitung».

Ndërsa «Landeszeitung» e Lüneburgut lidhur me këtë çështje vëren:

"'Portat e Ferrit' mebeten të mbyllura ende. Fanatikët islamist edhe njëherë nuk arritën që të kryejnë sulmin e tyre terrorist. Ende jo - pasi Gjermania nuk mund të ketë fat gjithnjë. Shqetësues është fakti që përkundër të gjitha përpjekjeve nëpër aeroporte ende ka dobësi në aspektin e sigurisë. Edhe pse siguri absolute nuk mund të ketë asnjëherë. Por kontrollimet shkel e shko siç është vërtetuar së fundi në testimet e aeroporteve aspo bashkëpuntorë që marrin mito në vendet e ndjeshme të punës në epokën e terrorit nuk janë më të pranueshme. Një kualifikim më i mirë, paisje më të mira dhe paga më të mira të personelit të aeroporteve në vendet kyçe të sigurisë duhet t'ia lejojnë vetes shoqëritë në mbrojtje të lirisë së udhëtimit", shkëpusim nga «Landeszeitung».