Pasqyra e shtypit gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 22.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman

Gazetat e sotme gjermane fokusohen tek vizita e ministrit të jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier në Moskën zyrtare.

Gazeta «General-Anzeiger» nga Boni komenton:

"Nuk ka asnjë dyshim: Ministri gjerman i mbrojtjes Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) u shpreh se Rusia duhet të angazhohet për të drejtat e njeriut, më shumë se kancelarja gjermane gjatë gjithë vizitave të saj në Kremlin. Por ky fakt ka të bëjë me ndarjen e zgjuar e diplomatike të përgjegjësive: Kancelarja praktikon "diplomacinë e qetë" dhe e kritikon Putinin vetëm pas dyersh të mbyllura. Ministri i jashtëm gjerman zgjedh rrugën e drejtpërdrejtë. Me Kremlinin lidhet ndërkohë një imazh, i cili gjatë viteve të Luftës së Ftohtë do të kishte qenë i pamundur. Por antipati të tilla mund t´i ngrijnë shpejt marrëdhëniet. Prandaj Moska nuk duhet izoluar, por duhet mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare."

Gazeta «Ostsee-Zeitung» nga Rostoku komenton:

"Shtajnmajer kërkoi me të drejtë zgjidhjen e vrasjeve të Politkovskajas dhe Litvinenkos. Për më tepër që kupa nuk mban më: Që kur Putini qëndron në krye të Rusisë, aty janë vrarë 13 gazetarë. Mos vallë perandoria ruse po humbet stabilitetin? Putini do t´ja marrë këtë frikë evropianëve. Në fillim ai akuzohej se kishte gjithçka në duar, tani po përhapet paniku se lufta e brendshme në Kremlin po e dobëson presidentin. Por Putini ka ende një pozitë shumë të fortë. Mbi 80% e rusëve e vlerësojnë pozitivisht punën e tij. Por çfarë do të ndodhë kur të largohet nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2008? BE-ja duhet t´i marrë masat që tani. Kush e di se kush do të vijë më vonë në pushtet?"

Gazeta «Handelsblatt» nga Dyseldorfi shkruan:

"Kremlini është i zhgënjyer nga Gjermania. Në fillim rusët u mësuan me vite të tëra të dëgjonin fjalët e ish-kancelarit, se gjithçka funksiononte në mënyrë fantastike dhe tani Moska është paksa e çorienturar nga tonet kritike që vijnë nga Berlini. Por mesa duket Putini nuk e ka mësuar ende se një partneritet i ngushtë e madje edhe miqësia politike, duron, e madje nganjëherë e ka të nevojshme që të kritikohet hapur nga të dyja palët. Edhe brenda rradhëve të BE-së zhvillohen shpesh debate të ashpra. Por askush nuk e vë në pyetje faktin se Evropa është e lidhur nëpërmjet miqësisë."

Gazeta «Leipziger Volkszeitung» komenton:

"Gjermania dhe Evropa nuk duhet të kenë frikë nga Putini, vetëm sepse mendojnë se janë të varura nga gazi rus. Edhe Rusia është të paktën po aq e varur nga Perëndimi, sa ky i fundit nga Rusia. Rusia ka nevojë për investime dhe teknikën e duhur për modernizimin e industrisë. Por sidoqoftë Gjermania duhet të ketë kujdes që të mos marrë rolin e një mësueseje, e t´i tregojë Putinit se si duhet ta drejtojë vendin. Sepse ai mund të reagojë fare lehtë kokëfortë e t´i shpallë vrasjet politike si një çështje të brendshme shtetërore. Prandaj Perëndimi duhet të tregohet më i matur."


Në gazetën «Mittelbayerische Zeitung» nga Regensburgu lexojmë:

"Nganjëherë një vizitë e shkurtër mund të jetë më efikase sesa një vizitë e gjatë dhe e komplikuar. Sidomos kur të dyja palët flasin me fjalë të qarta. Vizita e shkurtër e ministrit të jashtëm gjerman Frank Valter Shtajnmajer në kryeqytetin rus mund të ishte një takim i tillë, i shkurtër por efikas. Një turne në Moskë e kthim si edhe bisedime mbi të gjitha temat më të rëndësishme. Politika e jashtme ecën me hapa të shpejtë."

Dhe së fundi në gazetën "Nürnberger Nachrichten» lexojmë mbi kuartetin e Lindjes së Afërt, temë kjo që u diskutua gjatë mes ministrit të jashtëm gjerman Steinmeier dhe atij rus Lavrov:

"Rajonet autonome do të mbeten edhe në vitin 2007 të rrezikshme. Në rast se Al Kaida do t´ja dalë mbanë të zërë vend në Rripin e Gazës, atëherë konfliktet lokale do të shndërrohen në një zjarr të fuqishëm ndërrajonal. Pikërisht evitimi i kësaj situate është hapi më i rëndësishëm diplomatik që duhet hedhur tani. Perspektiva e paqes
është alternativa e vetme që mund të ofrojë ky kuartet."

  • Data 22.12.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmP
  • Data 22.12.2006
  • Autor S.H
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmP