Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës | Studimi në Gjermani | DW | 22.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës

default


Vëmendjen e komentatorëve të shtypit gjerman e tërheqin sot kryesisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani si dhe atentatet e Londrës.

Përsa u përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani, SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih vëren:

"Për partitë unioniste nën kandidaten e tyre për kancelare Merkel që në korrik fillon procesi i të bërit esëll. Fluturimi në lartësi i tyre, edhe nëse nuk është stopuar, është frenuar, sipas anketimeve. Konservatorët morën krahë nga erozioni i qeverisë kuq e gjelbër, e cila që prej zgjedhjeve në Landin e Nordrhein-Vestfalisë njohu vetëm rënie të përshpejtuar. Por pas vendimit të Këlerit, kjo qeveri ekziston vetëm de jure. De facto, partitë ndodhen përballë njëra-tjetrës në fushatë elektorale. Në këtë situatë nuk mjafton që të presësh vetëm gabimet e tjetrit."

Ndërsa në gazetën EXPRESS që del në Këln ndër të tjera lexojmë:

"Strategët e partive kanë përveshur mëngët, lufta për recetat më të mira dhe para së gjithash për zgjedhësit, dje shpërtheu plotësisht. Sipas anketimeve më të fundit megjithatë nuk është e qartë se cili koalicion do të fitojë në fund. Ende prin dueti Merkel/Vestervele, por për momentin ai po dobësohet në sytë e zgjedhësve. Po shanset për duetin Shrëder/Fisher? Në këto caste vetëm parimi i shpresës. Apo edhe Shrëder/Fisher me Lafonten dhe Gisi? Mundësia që të ndodhë kjo do të ishte e barabartë me atë që Papa të çanëtarësohet nga kisha. Rrallë kanë qenë kaq interesante zgjedhjet."

DIE WELT që del në Berlin është e mendimit:

"Kaq mirë nuk është ndierë presidenti federal kur mori vendimin për të lejuar zgjedhjet e reja. Kjo mund të shihej në fjalën e tij në televizion. Ai e vendosi seriozitetin e gjendjes mbi rezervat juridike kushtetuese duke shpallur në fakt një situatë të jashtëzakonshme. Po të na lejohet t'i bëjmë një vërejtje presidentit, atëherë kjo do të ishte: se e hapi shumë lehtë rrugën; se ai një pjesë i bën të besojnë se ende nuk kanë humbur asgjë, kurse të tjerët të besojnë se i kanë fituar të gjitha. Ky do të rezultojë përfundim iluzor. Kaq shumë fillim nuk kemi pasur kurrë.Fundi nuk duket."

Ja edhe mendimi i WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN që botohet në Mynster:

"Presidenti i Gjermanisë diti ta shmangë me aftësi përshtypjen se me sentencën e tij mori fund liria e gjykatësve kushtetues të Karlsruhes, se nuk ka më kthim pas. Por Horst Këleri iu përmbajt rreptësisht kërkesave juridike, të cilat i ka përcaktuar më 1983 Gjykata Kushtetuese Federale. Paditë, për të cilat duhet të pozicionohen gjykatësit më të lartë, në asnjë mënyrw nuk janë të tepërta."


Ndërrojmë temë:situata pas atentateve të Londrës është edhe sot në vëmendjen e komentatorëve të shtypit gjerman:

Në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG për këtë temë lexojmë:

"Në Britaninë e Madhe ka nisur një diskutim, i cili mund të bëhet i rrezikshëm për kryeministrin Toni Bler. Bleri sapo kishte filluar të ndërtonte një imazh të ri për veten, me angazhimin e tij për Evropën dhe Afrikën. Sepse ishte kryeministri britanik ai që në luftën e Irakut u quajt jo pa shkak si kone e presidentit amerikan Bush. Bushi dhe Bleri e nxitën me zell reciprokisht njëri-tjetrin në luftë. Prandaj Londra mbetet më e rrezikuar se qytetet e tjera."


MANNHEIMER MORGEN që del në Manhajm konstaton:

"Që shteti duhet të mbrohet kundër terrorit- kush do ta diskutonte këtë? Por sic e sjell rasti, pak para atentateve të Londrës autori britanik Jen MakIvan botoi një roman, në të cilin ai e feston "mënyrën britanike të jetesës" si lumturinë e vërtetë. Me këtë ai nuk do të ketë mundur t'i impresionojë terroristët. Ai që e lexon këtë libër, ai e di të paktën, se cfarë është në lojë, po të gërricej fytyra e bukur e demokracisë. Një cmim shumë i lartë për luftën kundër terrorit."

Dhe së fundi KÖLNISCHE RUNDSCHAU:


"Pamundësia për të ndaluar atentatorët e tjerë, përpara se të ndezin lëndë të tjera shpërthyese, e bën edhe më të madh probabilitetin e sulmeve të tjera. Bombarduesit janë midis nesh- me këtë ndenjë duhet të jetojnë tani e tutje britanikët. Në një kohë që rreziku i terrorit ka sjellë një solidaritet të ri midis udhëtarëve, - ata e shohin në sy njëri-tjetrin dhe komunikojnë me njëri-tjetrin- njëkohësisht rritet edhe mosbesimi ndaj bashkëqytetarëve të veshur dukshëm si myslimanët. Por në fund të fundit nuk mbetet alternativë tjetër,vec asaj që situata të pranohet ashtu si është..."



  • Data 22.07.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron DODI
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruX
  • Data 22.07.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron DODI
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruX