Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes | Studimi në Gjermani | DW | 02.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

default

Analistët e shtypit të sotëm gjerman komentojnë ndër të tjera kalimin e misionit ushtarak ndërkombëtar në Bosnjë - Hercegovinë nga NATO-ja tek Bashkimi Evropian.

DIE WELT që del në Berlin, ndër të tjera shkruan:

"Para 13 vjetësh filloi vallja e përgjakshme në Ballkan, dhe evropianët qëndruan të heshtur dhe duarlidhur. Tani Ballkani, i rirregulluar dhe të paktën pjesërisht i paqëtuar po bie sërish në prehrin e Evropës. Një shans i dytë operacioni "Althea" nuk është, dhe nuk mund të jetë pas masakrave dhe shkretimeve. Por ai është ndoshta një shans, që përmes rindërtimit të rikompensohet në njëfarë mënyrë vendi i plagosur. Dhe një shans për Evropën vetë, për të kapërcyer traumën e saj të pasivitetit. Megjithëse të gjithë aktorët politikë në Ballkan kamnë interes që misioni i Evropës të përfundojë me sukses, starti i "Altheas" është gati i rehatshëm"

Gazeta RHEINPFALZ që del në Ludvigshafen, mendon:

"Dy misione të suksesshme ka pasur deri tani: "Concordia" në Maqedoni dhe "Artemis" në provincën e paqetë kongoleze Bunia. Por po të mendosh për misionin dhe numrin e trupave, të dyja mund të konsiderohen më tepër si testime. Detyra në Bosnjë është shumë më e komplikuar. Për shembull, dy të akuzuarit si kriminelë nga Tribunali i Hagës për krime lufte, Radovan Karaxhic dhe Ratko Mladic vazhdojnë të jenë në arrati. Mesazhi kryesor i dorëzimit të misionit është megjithatë një tjetër: raportet në Ballkan ndërkohë janë stabilizuar në një masë të tillë sa forca e paqes mund t'ia dalë mbanë edhe pa forcën luftarake të SHBA."

Ndërsa gazeta që del në Këln, KÖLNER STADT ANZEIGER vëren:

"Koncepti, për të integruar me njëri-tjetrin detyrimin për paqe, sigurimin e paqes dhe ndërtimin civil është një alternativë atraktive ndaj asaj të zakonshmes,kur nga njëra anë luftohet dhe pas kësaj mblidhen mbeturinat. Një rrjedhojë e kësaj metode është detyrimisht mbitheksimi i komponentit ushtarak. Atje ku aspekti civil dhe aspekti ushtarak trajtojnë prej fillimit një krizë, rritet shansi për të krijuar miksin e instrumenteve të nevojshme për një situatë konkrete. Kjo është idealja. Por në të vërtetë, shteteve evropiane vazhdon t'u mungojë ajo vendosmëri, pa të cilën nuk materializohen forca e nevojshme politike dhe forcat e domosdoshme praktike."

NEUES DEUTSCHLAND që del në Berlin tërheq vëmendjen:

"Po të bazohesh në shprehjet që dëgjon gjatë këmbimit të misioneve, të duket se arrestimi i kriminelëve të luftës Karaxhic dhe Mladic është edhe cështja themelore për misionin e EUFOR-it, mision që mban emrin kurioz "Althea", "Shëruesja". Shëndoshja e një vendi të sëmurë me anë të arrestimeve dhe sigurimi i një administrate të protektoratit, e cila në nëntë vjet nuk bëri thuajse asgjë për të krijuar një Bosnjë multietnike dhe të aftë për jetën- me një ceremoni hapjeje të suksesshme e demonstron BE bekimin e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes. Dhe Gjermania është e pranishme me 100 milionë euro në vit në këtë mision. Shërimi kushton shtrenjtë, edhe atëherë kur është shërim me magji."


Dhe së fundi gazeta HAMBURGER MORGENPOST e cila komenton debatin e djeshëm në Bundestag për patriotizmin në Gjermani dhe integrimin e të huajve:

"Atje ku nuk ekziston patriotizmi, atje nuk mund ta shpikësh atë. Dhe as të diskutosh për të. E parë me këtë sy, ajo që po zhvillohet në Berlin është një debat tipik budalla gjerman. A nuk u ka thënë njeri përfaqësuesit të CDU-së, Bosbach dhe atij të socialdemokratëve, Myntefering se patriotizmi ka nevojë për një atmosferë të caktuar kolektive? Një popull ose i ka ndjenjat patriotike ose nuk i ka. Shembulli i parë: Jugosllavia. Ndoshta ka ekzistuar vetëm një patriot jugosllav dhe ai quhej Tito. Dhe kur vdiq ai, vendi u copëtua në pesë republika të vecanta. Shembulli i dytë: Amerika. Patriotizmit të SHBA iu deshën 230 vjet rritje, dy luftëra të fituara, Mickey Mouse dhe Britney Spears derisa ka arritur dimensionet e sotme. A nuk kemi qenë edhe ne dikur më patriotë, madje super-patriotë? Dhe meqenëse kjo 60 vjet më parë përfundoi me një katastrofë, ne vuajmë nga një lloj alergjie ndaj flamurëve. Ne kemi nevojë për pak kohë- maksimumi 230 vjet," - përfundon HAMBURGER MORGENPOST

  • Data 02.12.2004
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxk
  • Data 02.12.2004
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxk