Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes | Studimi në Gjermani | DW | 19.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman trajtojnë deklaratën e presidentit amerikan Bush për të ndihmuar në rindërtimin civil të Irakut si dhe procesin kundër ish-manjatit rus të naftës, Kodorkovski

OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera shkruan për deklaratën e fundit të Xhorxh Bushit:

"Që presidenti amerikan Xhorxh Bush pranon tani të meta dhe bën të ditur një iniciativë e cila mban parasysh pikërisht rindërtimin ekonomik të vendit, ky është një hap përpara. Mendimi bazë, për të vënë në dispozicion specialistë civilë, të cilët nuk do të shfaqen si pjesë e fuqisë pushtuese ushtarake, është sigurisht i drejtë. Megjithatë, vendimtare për suksesin do të jetë nëse me këtë hap lidhet edhe një ndryshim gjykimesh në politikën e jashtme amerikane. Deri tani, Bushi dhe të tijët kanë besuar se demokracia sipas stilit amerikan mund të instalohet kudo. Që megjithatë edhe një invazion në emër të lirisë ndihet si imperializëm dhe luftohet si i tillë, deri tani këtë nuk kishin dëshirë ta pranonin në Uashington"

Ndërsa GENERAL ANZEIGER që del në Bonn kujton:

"Që qeveria amerikane marshoi dy vjet më parë në Irak pa ndonjë plan të menduar qoftë edhe jo deri në fund për rendin e pasluftës, ky ishte një gabim i rëndë. Ai ishte që në fillim pjesë e logjikës së brendshme të invazionit amerikan: ai që rrëzon një diktator të urryer dhe të frikshëm për popullin, kjo ka qenë logjika e atëhershme, mund të llogarisë mbështetjen dhe bashkëpunimin e të cliruarve. Naiviteti ku bazohej ky përfytyrim është bërë i qartë prej kohësh për të gjithë. Që presidenti Bush pranon tani të meta dhe shpall një iniciativë që mban parasysh rindërtimin civil, mund të konsiderohet përparim."


Ndërrojmë temë dhe kalojmë në procesin gjyqësor të ish-manjatit rus të naftës, Kodorkovski, i cili preokupon edhe më tej komentatorët gjermanë: TAGESSPIEGEL e Berlinit shkruan për këtë temë:

"Me dënimin e Kodorkovskit, Putini në vështrim të parë del si fitimtar nga lufta për pushtet. Ky proces farsë tregon se cfarë ndodh kur dikush synon të shpërthejë kufijtë e ngushtë të një demokracie të drejtuar. Por cfarë i duhet presidentit kjo fitore?
Kodorkovski nuk gëzonte edhe pa këtë simpati të mëdha në popull. Putini vec kësaj ka prej kohësh edhe një problem tjetër: në kohën që Kodorkovski rrinte në burg, u zbeh edhe ylli i tij. Sipas anketimeve, ai humbi në mënyrë dramatike mbështetje."

Ndërsa MÄRKISCHE ODER ZEITUNG konkludon:

"Procesi mban tiparet e proceseve farsa, me të cilat Stalini vepronte kundër opononentëve. I akuzuari paraqitet i futur në kafaz dhe në këtë mënyrë poshtërohet publikisht. Shpallja e vendimit zvarritet pafundësisht, sepse gjykatësja verdiktin prej 1000 faqesh e lexon vetëm tri orë në ditë. Prokurori kërkon dhjetë vjet dënim në kamp për oligarkun. Por dënimi në një inskenim të tillë është i dorës së dytë. Më i rëndësishëm është sinjali. Kremlini demonstron: ai që do të matet me pushtetin shtetëror, ai ka të bëjë me drejtësinë e manovruar politikisht."

Ja edhe SCHWÄBISCHE ZEITUNG po për këtë temë:

"Kodorkovski duhet të qëndrojë në arrest, sepse ndryshe del në pah pyetja e thjeshtë: nëse fajin nuk e ka sipërmarrësi, atëherë kush e paguan shkatërrimin e sanksionuar nga shteti të Yukosit? Shpallja fajtor e njeriut dikur më të pasur të Rusisë vjen krejtësisht e pritur. Në radhë të parë, sepse drejtësia e manipuluar në shtetin e Putinit i ka shërbyer gjithnjë etjes për hakmarrje të politikës së madhe. Së dyti, sepse sfiduesi i shquar duhet të nxirret nga qarkullimi të paktën deri në vitin 2008: për tri vjet presidenti rus ka ndërmend ta lerë postin në dobi të një pasardhësi besnik dhe të bindur. Manjati fin dhe orator i naftës me tendencë për bamirësi ishte si i krijuar posacërisht për rolin e kundërkandidatit potencial."

Dhe më tej SCHWÄBISCHE ZEITUNG vazhdon:

"Si nga të pasurit e rinj, Kodorkovski deri tani nuk ka qenë tepër i preferuar për popullin. Si drejtues ekonomik Kodorkovskij, pavarësisht nga dënimi, ka marrë tashmë fund. Por si figurë simbolike e një Rusie moderne ai po ngjit tani maja të reja.Por shumë rusë janë të impresionuar nga guximi dhe dëshira për të luftuar, që ka treguar në 19 muajt e burgut hetimor ish-shefi i Yukosit. Opozita demokratike e Rusisë duhet të kërkojë një figurë tjetër pararojë dhe simbolike."

  • Data 19.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvT
  • Data 19.05.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvT