Pasqyra e shtypit gjerman të së martës | Studimi në Gjermani | DW | 13.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së martës

Flamuri i Turqisë dhe Qemal Ataturku

Flamuri i Turqisë dhe Qemal Ataturku


Komentatorët e gazetave të sotme gjermane trajtojnë temën e raportit të Turqisë me BE dhe debatin për reformimin e sistemit federal në Gjermani.

Në gazetën FRANKFURTER RUNDSCHAU për temën e parë ndër të tjera lexojmë:

"BE shkel terren të ri. Nëse Ballkani përfshihet ende nën rubrikën Bashkim i Evropës, pranimi i Turqisë përfaqëson një cilësi krejt të re. Këtu BE shtrihet shumë përtej Evropës. Kemi të bëjmë me një kapje hegjemoniale, e nxitur nga dëshira për të depërtuar drejtpërdrejt në botën myslimane. Kjo mund të jetë e arsyeshme. Por në këtë rast duhet të argumentohet më mirë. Nëse mund të argumentohet."

BADISCHES TAGBLATT që botohet në Baden Baden vëren:

"Fillimisht do të vendoset nëse do të nisin negociatat e anëtarësimit. Ato mund të përfundojnë në një anëtarësim ose të dështojnë. Cështja, nëse Turqia është e pjekur për t'u pranuar në BE do të vendoset vetëm pas përfundimit të negociatave, 10 ose 15 vjet më vonë. Deri atëherë, Turqisë i duhet dhënë shansi që të zhvillohet në përputhje me atë që pritet."

NEUE WESTFÄLISCHE që del në Bielefeld shkruan për debatin që ka lindur në Gjermani, nëse Turqia duhet të ftohet të´anëtarësohet në BE apo jo:

"Në Gjermani konflikti për këtë po avancon në një temë elektorale. Kundërshtarët kanë zënë pozicione të palëvizshme. Kundër, thonë unionistët. Qartë Pro është qeveria kuq e gjelbër. Edhe e prekura vetë, qeveria turke luan sipas parimit, ose të gjitha, ose asgjë. Të gjitha rregullat e diplomacisë duket se janë shpallur të pavlefshme. "Pacta sunt servanda" deklaroi dikur kryeati i kristjansocialëve, Franc Jozef Shtraus, dhe i shpalli me këtë marrëveshjet me Lindjen, të luftuara fort prej tij, si të nevojshme për t'u ruajtur pas marrjes së pushtetit. Në cështjen BE/ Turqi, pasardhësit e tij nuk e lënë të zbatohet këtë ligj të dikurshëm të së drejtës ndërkombëtare."

Ndërsa STUTTGARTER NACHRICHTEN konkludon për të njëjtën temë:

"Koalicioni qeveritar kuq e gjelbër, ashtu si edhe CDU-ja dhe CSU-ja luajnë me karta të gabuara. Nga njëra anë, premtimi i Angela Merkelit dhe Edmund Stoiberit se një qeveri e drejtuar nga unionistët në vitin 2006 do të bënte gjithcka për të penguar anëtarësimin e Turqisë në BE, nuk është i ndershëm. Jo Berlini, por Brukseli është ai që i zhvillon negociatat e anëtarësimit. Edhe Unionit do t'i duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, edhe Po-ja e vendosur e Gerhard Shrëderit dhe Joshka Fisherit është pak serioze. Koalicioni kuq e gjelbër vendosi vetëm pak kohë më parë që t'i zhvillojë negociatat me përfundim të hapur, edhe nëse para shumë zgjedhësve me origjinë turke të socialdemokratëve ai hiqet si mbrojtës i interesave turke. Momenti për një debat të sinqertë pro dhe kundër anëtarësimit të Turqisë në BE me sa duket ka kaluar. Fajin e kanë të gjitha palët. Jo vetëm në Berlin."

Ndërrojmë temë dhe kalojmë në debatin për reformën e sistemit federal në Gjermani.


SÜDDEUTSCHE ZEITUNG vëren:

"Organizimin e shtetit gjerman mund ta përfytyrosh si një lojë madhështore me pjesë mozaiku. Kryetari i PSDGJ, Franc Myntefehring dhe kryetari i Partisë Kristjansociale, Edmund Stoiber kanë
shtypur pjesë të reja dhe po u gjejnë vendin. Politika dhe publiku u nganë ngulur sytë vendeve ende bosh në pamjen e ardhshme të shtetësisë gjermane dhe grinden nëse vendet ende bosh do të marrin ngjyrat e landeve ose të federatës. Bëhet fjalë për shkollat e larta, për sigurinë e brendshme, për Evropën. Disa ndryshime duhet të bëhen. Por ideja që ndjekja penale të kalojë në kompetencën e landeve, ky është një budallallëk i rrezikshëm. Ai që shkatërron unitetin juridik të Gjermanisë, ai i bën dëm të madh Federatës."


Ndërsa TAGESSPIEGEL që del në Berlin konstaton:

"Propozimet e Myntferingut dhe të Shtoiberit sjellin lëvizje në politikë. Bllokada e veprimit politik përmes kufijve shumë të fortë të federatës dhe të landeve, zbutet dhe në disa raste eleminohet. Bundestagu do ta zbatojë në të ardhmen në shumë sektorë më me lehtësi mendimin e tij, sepse do të pakësohen të drejtat për aprovim të Këshillit Federal. Justifikimi, të cilin e shfrytëzonin me qejf të gjitha qeveritë gjermane për të shmangur propozime të papëlqyera nga fraksionet e tyre - se Këshilli Federal nuk jep mbështetje për këtë - nuk do të funksionojë më. Dhe qytetari? Përse duhet t'ia vlejë që ai t'i kushtojë vëmendje reformës? Sepse politika bëhet më transparente. Sepse rajoni ku jeton ai bëhet politikisht më i aftë për veprim. Por për këtë, deri në votimin e së premtes duhet të lëvizin ende gjëra. Kjo kërkon guxim dhe jo drojtje të pavendosur."


  • Data 13.12.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxa
  • Data 13.12.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxa