Pasqyra e shtypit gjerman të së martës | Studimi në Gjermani | DW | 13.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së martës

Qipro kërcënon të mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe kjo ka qenë një nga temat e shtypit gjerman. Gazetat trajtojnë po ashtu çështjen e eksporteve të armëve në botë.

default


Në lidhje me temën e Qipros në gazetën "Landeszeitung" (Lüneburg) lexojmë:

"Edhe për një kohë Turqia do të vazhdojë të mbetet një pikë mosmarrëveshjesh në radhët e BE-së. Vërtet që Qiproja arriti të bindej në minutën e fundit që të mos vinte veton, por për momentin shtrohet jo aq pyetja nëse BE-ja është në gjendje të përballojë zgjerime të mëtejshme, sesa nëse është aq e fortë sa të ruajë atë që ekziston sot. Ende vazhdon të mungojë një kushtetutë e cila do të ishte baza e një bashkësie të madhe. Turqia bën pjesë në mënyrë perfekte në konceptin strategjik të politikës së jashtme të BE-së. Por ekonomikisht dhe nga pikëpamja shoqërore ndaj anëtarësimit të saj vazhdon të ketë rezerva. Kjo pasqyrohet në katalogun e gjatë të kërkesave të BE-së ndaj Ankarasë. Për këtë Turqia do të bënte mirë që ta njihte sa më shpejt Qipron edhe de facto."

Gazeta "Thüringsche Landeszeitung" (Weimar) e vlerëson qëndimin e Qipros e cila nuk vuri veton në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE:

"Politikanët qipriotë dolën nga vetja duke ofruar një shërbim paraprak. Sipas ligjeve të BE-së ata nuk ishin të detyruar ta bënin këtë. Duket se presioni prej BE-së duhet të ketë qenë i madh. Por tani duket se argumentat e Brukselit në drejtim të Turqisë deri tani nuk ishin formuluar me kaq këmbëngulje. Por dalëngadalë po ravijëzohet një figurë qesharake: Brukseli po vepron sikur të mos ishte Ankaraja që përpiqet për t'u anëtarësuar në BE, por sikurse të ishte e kundërta. Edhe ky qëndrim jep kontributin e vet për veljen kundrejt BE-së në radhët e qytetarëve të saj."

Kurse "Volksstimme" (Magdeburg) shkruan:

"BE-ja gjendet përpara një dileme. Duke hequr dikur dorë prej zgjidhjes së problemit të Qipros si parakusht për anëtarësimin e vendit në BE, Brukseli i ka dhënë në dorë Nikosisë mundësinë që të shërbejë si fren kur vjen puna për anëtarësimin e Turqisë në BE."

Temë tjetër e gazetave gjermane është çështja e eksporteve të armëve dhe armatimit në botë.

"Neue Presse" (Hannover) shkruan: "Në vitin 2005 në botë u shpenzuan mesatarisht 173 dollarë për frymë. Një grimëz e kësaj shume do të mjaftonte për t'i furnizuar të gjithë njerëzit e kësaj bote me ujë të pishëm dhe me ushqime. 173 USA janë 137 euro, por për të qenë të saktë kjo shifër jepet në dollarë, sepse gjysma e shpenzimeve botërore për armatimin janë bërë prej SHBA-ve. E megjithatë viteve të kaluara asnjë fuqi nuk ka dështuar në mënyrë më spetakolare sesa SHBA-të. Megjithë përpjekjet dhe teknikën më moderne, superfuqia nuk arriti ta vërë nën kontrroll Irakun."

Kurse "Badische Zeitung" (Freiburg) vëren: "Përgjithësuar mund të thuhet se vlen ky parim: sa më tepër vlerë i kushtohet anës ushtarake, aq më të vështirë e kanë idetë që nuk bazohen në forcën e predhave dhe të armëve. Kjo për shkak se për to nuk përdoren energji, para dhe përkujdes i mjaftueshëm. Në vitin 2005 SHBA-të shpenzuan për armatime aq shumë sa gjysma tjetër e botës së bashku jo për faktin se George Bush ka ndër mend të vërë nën zgjedhë botën, por sepse ai i hyri një lufte kundër terrorit të bazuar vetëm në forcën e armëve. Megjithatë edhe plani më i mirë i bazuar në një politikë paqësore zhvillimi nuk do të mund të arrinte që SHBA-të të mos shpenzonin për një periudhë afatshkurtër kaq shumë para për ushtarë dhe armatime në Afganistan. Idetë se kërcënimi prej terrorit radikal-islamik do të tretej në ajër në rast se perëndimi do të mbante vetëm një qëndrim pacifist, janë disi larg realitetit."

  • Data 13.06.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpT
  • Data 13.06.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpT