Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës | Studimi në Gjermani | DW | 23.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës

default


Për komentatorët e shtypit të sotëm gjerman tema kryesore e preferuar është ndërrimi i qeverive në Gjermani dhe zgjedhja e Angela Merkelit si kancelare të Gjermanisë.

Gazeta DIE WELT që del në Berlin shkruan:

"Tani nis punën një koalicion kundër dëshirës për të riparuar ekonominë dhe për të mënjanuar ato probleme, zhvillime të gabuara dhe humbje që janë grumbulluar në dekada. Të gjithë e dinë se kjo është një detyrë shumë e vështirë për t'u zgjidhur. Por vendi ynë nuk ka më kohë për të dhuruar. Ai është në një gjendje të tillë që i detyron elitat politike t'i thërrasin mendjes. Buxhetet publike thuajse kanë marrë fund, sistemet sociale kërcënojnë të shkatërrohen dhe koeficientët e rendimentit të trishtojnë. Në një shoqëri demokratike nuk mjafton t'i njohësh faktet. Në të është e nevojshme edhe dëshira për ndryshime dhe miratimi i zgjedhësve për këtë."


SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që del në Mynih shkruan për zgjedhjen e Merkelit kancelare:

"30 vjet pasi Kombet e Bashkuara shpallën vitin ndërkombëtar të gruas, ky vit fillon edhe në Gjermani. Me zgjedhjen e Angela Merkelit si kancelare federale, në librin e të drejtave të barabarta, i cili u fillua 56 vjet më parë nga Këshilli Parlamentar, nis edhe kapitulli i fundit i madh. Natyrisht, zgjedhja e Angela Merkelit nuk ishtë cështje juridike, por cështje pushteti. Por zbatimi i këtij pushteti dhe ushtrimi i ardhshëm i tij do t'i japë më shumë fuqi fjalisë së barazisë, se sa mund ta bënin këtë disa paragrafe të reja."

Ja edhe mendimi i komentatorit të FRANKFURTER RUNDSCHAU:

"Po të arrijë qeveria Merkel të bëjë kthesën e synuar politike dhe psikologjike, rezervat e 50 skeptikëve nga radhët e unionistëve dhe të socialdemokratëve e të majtëve, (që votuan kundër Merkelit) do të rrudhen në një madhësi për t'u neglizhuar. Nëse kthesa nuk do të arrihet, koalicioni do të dështojë gjithsesi për shkak të sëmundjes së tij, jo nga termometri i temperaturës. Edhe po të marrësh për bazë rezultatin ekzakt të shifrave, situata mbetet e njëjtë: kancelarja Merkel duhet të shtrëngojë dhëmbët e të çajë përpara. Ajo është (kancelare), por është (kancelare) me kusht.


Ndërsa FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e drejton vëmendjen në drejtim tjetër:

"Zonja Merkel duhet të ketë para së gjithash një interes për ta tërhequr krahun reformator të Partisë Socialdemokrate SPD në anën e saj. Nëse kancelarja do të arrijë ta fitojë socialdemokracinë në një aleancë reformatore për ripërtëritjen e Gjermanisë, e cila edhe ta meritojë këtë emër, atëherë ky koalicion mund të bëhet vërtet i madh. Ai do të kishte me vete shumicat në Bundestag dhe në Dhomën e Landeve, në Bundesrat "për të bërë reforma të thella". Por varësia nga vija e ardhshme e Partisë Socialdemokrate është edhe dobësia më e madhe e kancelares së re."

Nga artikulli i gazetës TAGESSPIEGEL të Berlinit shkëpusim:

"Pragmatizmi nuk është synim shtetëror, por dëm nuk bën. Vetëm se ai duhet të ecë në të njëjtin hap me deklaratën e duruar të asaj, se përse ia vlen të punohet; sepse puna nuk mund të bëhet vetëm nga qeveria. Për këtë, ky koalicion duhet të jetë një koalicion me njerëzit: majtas dhe djathtas, unionistë dhe socialdemokratë tani janë pajtuar, tani ata duhet të pajtohen edhe me ne, me popullin."

Ndërsa VOLKSSTIMME që del në Magdeburg vecon:

"Ja që është e vërtetë! Angela Merkeli u zgjodh kancelare e Gjermanisë. Vlerësimi i Edmund Shtoiberit se nuk mund të arrish gjë me një grua pa fëmijë të fesë protestane, tani u avullua. Shumica në zgjedhje, me 51 vota kundër nga kampi i vet, kuptohet që nuk është perfekte. Megjithatë, Merkeli zotëron një maxhorancë të gjerë, të parrezikuar, e cila nuk mund ta bëjë atë vazhdimisht të mendojë si Gerhard Shrëderin, të dyshojë për "besimin e qendrueshëm". Rezultati njëkohësisht tregon se brenda Partisë Socialdemokrate Gjermane vazhdon të ekzistojë një e carë. Tani duhet pritur duke vëzhguar nëse kjo e carë do të bëhet më e madhe apo më e vogël."

  • Data 23.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsi
  • Data 23.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsi