Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës: fitorja e Prodit në zgjedhjet në Itali | Studimi në Gjermani | DW | 11.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës: fitorja e Prodit në zgjedhjet në Itali

Në zgjedhjet parlamentare në Itali fitimtar me një shumicë minimale votash doli ish-presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi. Një pjesë e madhe e komentatorëve të gazetave gjermane e sheh Italinë të përçarë politikisht dhe është skeptike për shanset e Prodit për ta bashkuar vendin.

Sipas mendimit të DARMSTÄDTER ECHO hija e Berluskonit do të ndihet ende për një kohë të gjatë në Itali:

"Romano Prodi premtoi "të qeverisë me hare, për ta bashkuar vendin". Pas kësaj fshihet më tepër se sa retorika e zakonshme pas një fitoreje me zemër të dridhur në zgjedhje. Rrallë i është dashur Italisë një pajtues më fort se sot. Silvio Berluskoni e ka përçarë vendin në pesë vitet e shkuara. Ai që ishte kundër tij, shpallej armik dhe shahej komunist ose tradhtar i atdheut. Atmosfera politike është e helmuar. Do të kalojë disa kohë, derisa ky vend i mrekullueshëm të çlodhet nga sundimi i Berluskonit."

Komentatori i HESSISCHE/NIEDERSÄCHSISCHE ALLGEMEINE është i mendimit:

"Largimi nga pushteti i Berluskonit është edhe një fitore për sistemin demokratik në tërësi. Që kjo fitore tani rezultoi shumë e ngushtë, kjo duhet parë megjithatë me shqetësim. Italia mbetet politikisht dhe nga ana sociale thellësisht e përçarë, atmosfera është e helmuar. Dhe duket se po justifikohen paralajmërimet, sipas të cilave sistemet demokratike rrezikohen jo vetëm nga skajet e majta dhe të djathta, por edhe nga mesi. Atje, ku qarkullojnë populistë të dyshimtë si Berluskoni."

Gazeta SÜDDEUTSCHE ZEITUNG e sheh me admirim luftën e Prodit kundër fuqisë mediale të Berluskonit:

"Me të vërtetë që Prodi ia doli t'i thotë ndal telekratit Berluskoni. Kryeministri e shfrytëzoi perandorinë e tij mediale pa frerë për fushatën elektorale, duke e treguar para çdo kamere fytyrën e tij dhe duke i imponuar para çdo mikrofoni slloganet e tij- megjithatë nuk arriti t'ia dalë mbanë. Ditën pas zgjedhjeve, profesori i thatë është në pozicion më të mirë se sa kavalieri karizmatik. Edhe në një demokraci televizive mund të fitojë përmbajtja mbi formën. Ky është një lajm i mirë nga Italia."

MÄRKISCHE ODERZEITUNG nga Frankfurti është skeptike për faktin nëse Prodi do të jetë në gjendje të ndërtojë një qeveri stabile:

"Kaosi i numërimit të votave, që edhe 24 orë pas mbylljes së lokaleve të zgjedhjeve nuk solli një rezultat të padiskutueshëm, mund të ketë shkaqet e tij të shpjegueshme, por bën pjesë në një atmosferë të rënies së moralit të jetës politike, e cila megjithë traditat në vend ka qenë një karakteristikë e viteve të Berluskonit. Romano Prodi, në shumëçka një kundërmodel i Berluskonit, e quajti numrin e vogël të votave më shumë që fitoi bazën stabile të aleancës së tij Mes-I Majtë. Në të vërtetë, vendi është i përçarë. Prodi do të qeverisë një koalicion, në të cilin bëjnë pjesë një dyzinë partish. Ky koalicion e ka bërë atë njëherë të bjerë. Commedia italiana vazhdon."

ABENDZEITUNG që del në Mynih shkruan:

"Drama e zgjedhjeve të Italisë çoi në pension një kryeministër, i cili e shkeli me këmbë demokracinë dhe të cilit i interesonte vetëm përfitimi i tij. Urime, Itali për këtë vendim, megjithëse të marrë me një shumicë minimale votash! Po tani? Vendi është i përçarë- këtë zgjedhjet e treguan qartë. Një kapërcim i kësaj përçarjeje është detyra e parë e Prodit. Dhe këtu punët fillojnë të vështirësohen."

WIESBADENER KURIER e sheh shumicën minimale të votave të aleancës Mes- I Majtë të Prodit si një pengesë për të arritur unitetin e Italisë:

"Qoftë në drejtim të rritjes ekonomike, të borxhit të shtetit, të tregut të punës ose të sistemeve sociale, kudo mjeshtri i kaosit i konfirmuar nga gati gjysma e votave të zgjedhësve në post, Berluskoni ka lënë kantiere të papërfunduara. Në mënyrë ironike tani do të jetë pikërisht aleanca e majtë ajo, së cilës do t'i duhet vërë në jetë ato reforma liberale, të cilat e djathta vetëm sa i shpalli. Si do të arrihet kjo vetëm me një shumicë minimale votash, këtë një perëndi e di. Në Dhomën e Dytë të parlamentit mjafton largimi një senatori të vetëm nga aleanca kaq heterogjene e Prodit, e pëbërë nga komunistët deri tek centristët socialliberalë, që qeveria Berluskoni të bjerë."

Edhe NEUE WESTFÄLISCHE që del në Bilefeld është e mendimit:

"Italianët nuk do të kenë mundësi të marrin frymë të lehtësuar pas fitores së Romano Prodit. Vërtet që tani timonin e mori në dorë një politikan profesionist pa shumë fjalë, i cili ka deklaruar se do ta integrojë më fort Italinë në BE. E diskutueshme është nëse ai do të ketë në dispozicion për këtë një shumicë politike stabile. Minimal është avancimi i sfiduesit të Aleancës Mes i Majtë. Veç kësaj atij do t'i duhet të mbështetet tek komunistët, të cilët e kanë lënë njëherë në baltë."

  • Data 11.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqT
  • Data 11.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqT