Pasqyra e shtypit gjerman të së hënës:vizita e Bush-it në Evropë e zgjedhjet në Schleswig-Holstein | Studimi në Gjermani | DW | 20.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së hënës:vizita e Bush-it në Evropë e zgjedhjet në Schleswig-Holstein


Shtypi i sotëm gjerman ndalet në vizitën e presidentit amerikan George Bush në Evropë dhe në humbjen e koalicionit kuq e gjelbër në zgjedhjet në landin e Schlesvig-Holstein-it.


Gazeta HANDELSBLATT shkruan për turneun e presidentit amerikan George Bush në Evropë:

"Nga këndvështrimi amerikan Natoja vazhdon të jetë shtylla mbajtëse e marrëdhënieve transatlantike; BE nga ana tjetër luan vetëm violinën e dytë, kur bëhet fjalë për luftë ose paqe ose cështje të tjera qendrore të politikës botërore. Por nga pikëpamja evropiane, raporti i forcave ka pamje krejt tjetër. Sepse, megjithë papërsosmërinë, BE në cështjet globale ka avancuar më shumë se Nato-ja. Ai është partneri më i mirë, edhe nëse jo ideali për dialogun transatlantik. Kancelari gjerman Shrëder ka të drejtë, kur ai rekomandon BE dhe vetëm në radhë të dytë Naton për një ripërtëritje të marrëdhënieve transatlantike."


Komentatorët gjermanë trajtojnë sot gjerësisht rezultatin e dobët të shënuar nga socialdemokratët gjermanë në zgjedhjet për landin e Schlesvig-Holstein-it dhe mundësinë që në krye të landit të vijnë forca të tjera politike.

RHEIN NECKAR ZEITUNG që del në Hajdelberg vëren:

"Humbës ka shumë: kryeministrja e landit, e cila në kundërshtim me atë që pritej nuk arriti ta bindë zgjedhësit për cilësitë e saja drejtuese të qeverisë. Pastaj partia e saj socialdemokrate, së bashku me kancelarin socialdemokrat. Dhe vetëkuptohet të Gjelbrit, fluturimi në lartësi i të cilëve u ndalua vetëm nga afera Fischer e vizave. Kanë humbur edhe fituesit: CDU dhe FDP. Vërtet që CDU-ja nën Peter Harry Carstensenin doli nga zgjedhjet partia më e fortë- por asaj i mungojnë pak vota për të qeverisur. Kështu që natën e zgjedhjeve në Kiel mund ta quash tragjike. Një natë që në fund lë shumë gjëra hapur. Para së gjithash të ardhmen e socialdemokratëve dhe të të Gjelbërve në federatë."

DIE WELT që del në Berlin tërheq vëmendjen:

"CDU-ja përfitoi në minutën e fundit nga një lëvizje zgjedhësish, së cilës nuk i turbullohet vështrimi nga mjegullnajat e javëve të fundit. Kështu që Schleswig-Holstein-i u shndërrua në një test para së gjithash kundër PSDGJ dhe politikës së saj qeverisëse në Berlin, politikë që duhet të matet me dhimbje në kuotën rekord të pesë milionë të papunëve. Zgjedhësit në veri panë me vështrim më të qartë, ata nuk u strukën si lepuri para gjarprit nga tema anësore si rreziku i Partisë Nacionaldemokrate ekstremiste të djathtë, por e vendosën gjendjen e landit dhe përgjegjësinë e partisë së kancelarit në qendër të votimit të tyre."

Ja edhe KÖLNER STADTANZEIGER:

"Ky rezultat zgjedhjesh do t'i sjellë qetësi Angela Merkelit në luftën e saj të brendshme për pushtet brenda partisë dhe do t'i forcojë kristjandemokratët. Në fund të fundit, CDU arriti që me një sfidues të dobët të dalë partia më e fortë. Por më e vonta kur të jetë avulluar pluhuri që ka ngritur afera Fischer e vizave, zgjedhësit do të pyesin se cilat janë përfytyrimet alternative për politikën e ekonomike dhe sociale. Dhe ato nuk do të mjaftohen me një kompromis burokratik në shëndetësi, i cili respekton para së gjithash vijat e brendshme të kompromisit midis CDU-së dhe CSU-së."

Ndërsa FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG konstaton:

"Zonja Simonis, kryeministrja socialdemokrate, qeveris landin me borxhet më të mëdha për frymë, me njërën nga kuotat më të larta të papunësisë në Gjermani dhe me një nga kuotat më të ulëta të rritjes. Edhe në krahasimet në cështjet e politikës së shkollave dhe arsimit, Schleswig-Holstajni doli me e shumta mesatar. Pra shkaqe nuk munguan për t'ia hequr asaj dhe koalicionit kuq e gjelbër mandatin e qeverisjes. Sido që të jetë: CDU-ja i tregoi vendin SPD-së dhe të Gjelbrit e përkëdhelur nga suksesi shënuan një rezultat të dobët.Pra shumica qeverisëse u shkri. Por edhe pemët e CDU-së dhe liberalëve të FDP-së nuk janë ngjitur deri në qiell. Vazhdojnë të qëndrojnë botë midis rezultatit të djeshëm dhe shumicës absolute të viteve 70. Kjo nuk mund të shpjegohet me një fushatë elektorale pjesërisht të cuditshme dhe me një sfidues kokë më vete."

Dhe së fundi VOLKSTIMME që botohet në Magdeburg:

"Zgjedhjet e landit të Schleswig-Holstein-it dhanë sinjale. Meraku se Partia Nacionaldemokrate Gjermane, (ekstremiste e djathtë) mund të përfitonte nga zhgënjimi i përgjithshëm në politikë doli pa baza. Por nuk u konfirmuan as prognozat, që i shihnin socialdemokratët dhe Të Gjelbrit si fitues të qartë. Nga dobësia e socialdemokratëve, të Gjelbrit këtë herë me sa duket nuk mund të përfitonin. Në fituesit e Kielit bën pjesë kryetarja e CDU-së, Angela Merkel. Roli i saj si kandidate për kancelare e partisë së saj me këtë duket i siguruar, të paktën deri në muajin maj, kur në Landin e Nordrhein-Westfal-isë do të ketë zgjedhje."

  • Data 20.02.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwb
  • Data 20.02.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwb