Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 12.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe Presídenti francez Zhak Shirak pas një diskutimi për Kushtetutën Evropiane

Kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe Presídenti francez Zhak Shirak pas një diskutimi për Kushtetutën Evropiane


Komentatorët gjermanë të shtypit të sotëm ndalen ndër të tjera në miratimin e Kushtetutës Evropiane nga Parlamenti Evropian dhe në vendimin e Gjykatës Federale Gjermane për pavlefshmërinë para gjyqit të testeve të fshehta të atësisë.


NÜRNBERGER NACHRICHTEN ndër të tjera shkruan:

"Miratimi i Kushtetutës Evropiane nga Parlamenti Evropian ishte një moment emocionues. Shumë deputetë u prekën dukshëm nga rëndësia e momentit historik. Megjithatë, vota në Strasburg ishte vetëm një etapë. Testi i vërtetë është ende përpara: ratifikimi i Kushtetutës nga 25 shtetet e BE. Përfundimi është shumë i pasigurtë. Refuzimi edhe në një vend të vetëm teorikisht mund ta bënte të dështojë i gjithë projekti, edhe nëse politikisht kjo nuk është e mundur. Në vend që të bënte një hap të madh përpara, papritur Evropa mund të ndodhej para një krize të re."


Komentatori i DARMSTÄDTER ECHO është më optimist:

" Sinjali vjen në kohën e duhur: me shumicë dërrmuese votash, Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën marrëveshjen kushtetuese të BE dhe u kërkoi shteteve anëtare të BE që ta ratifikojnë tekstin deri në vitin 2006. Hapja e referendumeve do të pasojë rreth pesë javë më pas, më 20 shkurt në Spanjë. Me erën e mbarë në vela nga Strasburgu qytetarët e atjeshëm do ta kenë më të lehtë miratimin. Gjermania nga ana tjetër ka përvoja të mira në të kaluarën, kur vendimet e politikës evropiane ia ka lënë Bundestagut, parlamentit. Tek fqinjët, Berlini ka fituar emrin e partnerit të parashikueshëm dhe të besueshëm në veprimet e tij. Padyshim: BE ka dy vite vendimtare përpara, përpara se të jetë ratifikuar kushtetuta. Por nëse do të ketë vende anëtare që do të shkëputen nga grupi i entuziastëve, kjo nuk do të ishte e barabartë automatikisht me fundin e të gjitha ëndrrave. Projekti evropian ka mbijetuar tashmë kriza të tjera..."


Ndërsa DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN vëren për Kushtetutën Evropiane:

"Me po-në e qartë për Kushtetutën, Parlamenti Evropian e përcaktoi dje qartë drejtimin për shtetet anëtare. Sepse marrëveshja evropiane mund të hyjë vetëm atëherë në fuqi, vetëm kur të ketë marrë bekimin e 25 shteteve anëtare. Referendumet në Evropë mund të përdoren lehtë për të larë hesapet me qeveritë nacionale. Dhe nëse presidentë shtetesh si ai cek Vaclav Klaus do të votojnë kundër kushtetutës, kjo nuk do të ishte tamam në favor të klimës pro-evropiane. Nuk është për t'u çuditur atëherë që në Strasburg, pas perdeve po përgatiten skenarët e krizave në rast të një refuzimi: lojërat e mendimit arrijnë që nga mundësia e një votimi të dytë në vendin konkret deri në përjashtim nga BE"


Ndërrojmë temë: gazeta e Berlinit, TAZ ka një mendim të qartë
për vendimin e Gjykatës Federale gjermane, sipas të cilit testet e fshehta të atësisë nuk do të kenë asnjë vlerë në një proces gjyqësor:

"Mbështetësit e ndalimit të testeve të fshehta të atësisë janë frikacakë. Gjithnjë ata tërheqin vëmendjen në mundësinë që ka një gjyq në rast dyshimi për të urdhëruar një test atësie. Pse fshehtas, kur mund të bëhet edhe hapur, është argumenti i tyre. Ky argument është i gabuar. Thjesht me dyshime, askush nuk mund ta detyrojë një gjyq të urdhërojë një test atësie...Shumë baballarë shpresojnë se të paktën një test i fshehtë gjenetik do të hapë mundësinë për të testuar zyrtarisht. Por këtë Gjykata Federale Gjermane dje e përjashtoi - sic pritej. Kodi Civil niset nga premisa: njëherë baba, gjithmonë baba."


Gazeta DIE WELT është më kritike:

" A është një test gjenetik një dhunim personi? Natyrisht që ai ndërhyn në sferën intime të një fëmije. Por kjo ndodh vazhdimisht përmes veprimeve atësore e, edhe meshkujt, që kanë pranuar një atësi, janë gjithashtu prindër. Por ata, dhe kjo të çudit në këtë intepretim - duket se qenkan meshkuj të klasit të dytë. Në një kohë që e drejta e tyre për të mësuar duhet të qëndrojë pas asaj të fëmijës, nëna bëhet sundimtarja e vetme për dijen, meqenëse testi genetik varet nga miratimi i saj. Në këtë rast askush nuk pyet për të drejtat e fëmijës."


Ndërsa BERLINER KURIER konstaton:

"Të drejtat e fëmijës nxirren në plan të parë për shkakun e mbrojtjes së fëmijës. A do të bjerë një grua vullnetarisht dakord me një test gjenetik, kur ajo e di se bashkëshorti i saj nuk është babai i fëmijës së saj? Për këtë ka pak gjasa"

Dhe së fundi edhe STUTTGARTER ZEITUNG:

"E vërteta do të dalë në të ardhmen në dritë: nëse në Gjermani ndalohet testi i fshehtë, atëherë testet do të bëhen në vende të tjera...Nëse kjo është një rrugë më humane, për këtë mund të dyshohet. Një ligjvënës i mencur mund të paralajmëronte për rreziqet e testeve të fshehta, mund t'i vështirësonte dhe kufizonte ato, por ai do t'i toleronte ato në fund, edhe si objekt për t'u kundërshtuar. Sepse ai e di që njerëzit nganjëherë janë të dobët."



  • Data 12.01.2005
  • Autor AD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArxD
  • Data 12.01.2005
  • Autor AD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArxD