Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 09.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes


Vizita e Kondolisa Rajsit në Evropë, shëndeti i Papa Gjon Palit të dytë dhe akuzat e ndërsjella të politikanëve në të mërkurën e përhime janë disa nga temat që preokupojnë sot komentatorët gjermanë.

HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf konstaton:

"Dy javë para udhëtimit në Evropë të presidentit amerikan Xhorxh Bush, ministrja amerikane e punëve të jashtme Kondolisa Rajs përuroi kohën e shkrirjes së borës, të pritur prej kohësh. Thirrja e saj ndaj "evropianëve të vjetër" përmban pranimin e qartë të partneritetit me një Evropë të fortë. Fjalët tani duhet të mbushen me përmbajtje. SHBA duhet të vërtetojnë se e marrin vërtet seriozisht Evropën. BE duhet të tregojë se kostumi i ri i "lojtarit global" i përshtatet. Deri tani ky kostum duket më se i madh për të. Se sa seriozisht e kanë të dyja palët, duhet të dalë në pah fillimisht në NATO. Në Afganistan dhe në Irak BE është larg rolit që dëshirojnë amerikanët. Gjermania dhe Franca duhet të lëvizin, ndryshe do të ketë grindje të re."


Ndërsa BADISCHE ZEITUNG vëren:

"Politika është edhe inskenim. Kush e di këtë më mirë se amerikanët? Kështu, udhëtimi në Evropë i ministres së jashtme amerikane ndjek një plan të rafinuar. Në Berlin kishte rëndësi të bëhej e qartë se Gjermania, megjithë kritikat për luftën e Irakut, nuk konsiderohet nga amerikanët një partner aleance kaq joluajal sa Franca. Parisi nga ana tjetër u zgjodh si një vend për një fjalim parimor. Me këtë Rice u pranoi francezëve rolin drejtues politik në Bashkimin Evropian, kuptoi njëkohësisht se Uashingtoni duhet t'i bëjë për vete qeveritarët e Parisit, po të dojë t'i mbushë me jetë të re marrëdhëniet transatlantike."

Në lidhje me shëndetin e Papa Gjon Palit të Dytë, i cili ndodhet i shtruar i sëmurë në një klinikë në Romë, gazeta MÜNCHNER MERKUR vëren:

"Kisha botërore katolike pa një udhërrëfyes në krye, që të marrë vendime, të emërojë peshkopë, të shpallë besimin, të ngushëllojë njerëzit, paralajmërojë dhe inkurajojë ata, nuk është e përfytyrueshme. Pas kuintave, në Vatikan do të shpërthente një luftë, e cila vetëm mund ta dëmtojë kishën. Një Papë, i cili zgjidhet sipas besimit të kishës nga Zoti dhe nga kardinalët, nuk mund të shkarkohet. Por sipas së drejtës së Kishës, ai mund të heqë dorë nga posti i tij. Për të penguar dëmtimin e Kishës së tij, Gjon Pali i Dytë duhet ta ndërmerrte këtë hap revolucionar."

Ja edhe BAYERISCHE RUNDSCHAU:

"Nëse Papa do të tërhiqej vërtet në manastir, një Papë tjetër nuk do të mund ta shpaloste asnjëherë plotësisht aktivitetin e tij për aq kohë sa jeton Gjon Pali i Dytë. Polaku nuk do të shndërrohet sërish në Karol Vojtila po do të mbetet gjithmonë Papë. Ky post nuk mund të hiqet. Kardinal Sodano e qartësoi të gjithë seriozitetin e gjendjes, kur nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve drejtuar tij, por ja kaloi atij Papës së paralizuar. Nëse Papa do t'i përmbahet asaj që thotë tani se për të nuk diskutohet dorëheqja, atëherë ai mbështetet tek besnikëria e ekipit të tij drejtues, kur fuqitë ta kenë lënë plotësisht."

Ndërrojmë sërish temë. Për shkëmbimin e replikave politike në të mërkurën e përhime, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan:

"Mund ta kuptosh Shtoiberin, se ai pret prej kohësh që të marrë hak për sulmet, me të cilat konservatorët shahen si "përgatitës shpirtërorë të rrugës" së ekstremistëve të llojeve më të këqia. Por të gjitha përpjekjet për ta poshtëruar moralisht kundërshtarin janë gjithmonë një tregues i sigurtë për faktin se sulmuesit i kanë mbaruar argumentat. Edhe Shtoiberit. Thirrja e tij "Kuq e Gjelbër duhet të krijojë më në fund vende pune" vërtet që përshtatet për një tavolinë të madhe diskutimesh, por jo në një kohë, që kërkon të bëhet sërish esëll. Shtoiberi e di shumë mirë se vendet e punës që "krijojnë" qeveritë, janë më të shtrenjtat që mund të ekzistojnë."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND thotë përmbledhtazi:

"Amatorët e folkloreve politike këtë të mërkurë të përhimë morën ushqim agjërimi...Por megjithëse në sallat festive mungoi entuziazmi, konflikti midis partive gjeti një temë: papunësinë rekord në Gjermani. Unionistët dhe PSDGJ e kuptuan se ngritja e numrit të të papunëve në mbi pesë milionë ka prekur një nerv tek popullata."

Dhe së fundi BERLINER KURIER:

"Shyqyr Zotit që "lufta e birrës" e së mërkurës së përhime përfundoi...Mos i merrni kaq seriozisht të gjitha ato që u thanë. Kjo bën pjesë tek e mërkura e përhime. Që sot duhet bërë sërish seriozisht politikë dhe të mendohet si mund të zgjidhet kriza e vendeve të punës. Të shpresojmë!"

  • Data 09.02.2005
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwm
  • Data 09.02.2005
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwm