Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 17.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes


Në qendër të vëmendjes të komentatorëve gjermanë janë sot ndër të tjera gjendja ne Lindjen e Mesme e vrasja e themeluesit të organizatës Taizé, Frère Roger.

Për situatën në Lindjen e Mesme, në gazetën NÜRNBERGER ZEITUNG që del në Nyrnberg lexojmë:

"Tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës mund të jetë me të vërtetë një hap historik. Për një kohë shumë të gjatë nuk ka pasur lëvizje në këtë konflikt të përgjakshëm me fronte të ngurtësuara dhe protagonistë të fanatizuar. Që tani, kryeministrin e Izraelit, Sharon, e akuzojnë se u shndëruar nga skifter në pëllumb. Por e vërteta nuk është kështu. Sharoni ka shkaqe shumë egoiste për urdhërin e spastrimit: atij i nevojiten më shumë izraelitë në qendër të vendit, atij i duhen para nga SHBA, të cilave u pëlqen që në botën arabe të shfaqen si ndërmjetësues me dorë të mbarë. Atij i duhet të tërheqë vëmendje nga ndërtimi i murit, i cili u rrëmben palestinezëve territor tjetër dhe nga zgjerimi i kolonive në Jordanin Perëndimor"

NORBAYERISCHER KURIER që del në Bajrojt shkruan për gjendjen në Rripin e Gazës:

" Vetëm me dhunë mund të thyhet rezistenca. Sharoni e përdor atë. Ka shumë mundësi që me këtë ai të vërë në rrezik rizgjedhjen e tij, por ai i hyn këtij rreziku. Vendin në librat e historisë, ish-gjenerali buldozer me këtë e ka të sigurtë. Ai e di se Izraeli, për shkak të bombës së tij atomike dhe të mbështetjes së fortë amerikane nuk mund të humbasë, por ndoshta as të fitojë."

Ndërsa DIE WELT që del në Berlin kujton se tërheqja e kolonëve po bëhet kryesisht në paqe:

"Cfarëdo mendimi që të kesh për Izraelin dhe për Ariel Sharonin, tërheqja në pjesën më të madhe paqësore e kolonëve nga Rripi i Gazës meriton respekt të madh. Izraeli nuk shkëputet vetëm nga një copë tokë. Izraeli korrigjon, për herë të parë që prej vitit 1967 një pjesë të gabimeve, që nisi pas luftës gjashtëditëshe. Më shumë se kaq: e djathta nën kryeministrin Ariel Sharon braktis ëndrrën e një Izraeli të madh dhe njeh realitetin. Mesi laik i shoqërisë forcohet dhe më këtë edhe demokracia. Pushteti i lobit të nguluesve është dobësuar. Zbrazje të tjera territoresh në të ardhmen do të pranohen më lehtë."

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që del në Mynih e hedh vështrimin një hap më tej, në kohën kur kolonët do të jenë larguar nga Rripi i Gazës:

"Sapo izraelitët të jenë larguar nga Rripi i Gazës atje duhet të ndërtohet një ekonomi funksionuese. Por kufijtë e minishtetit kontrollohen nga izraelitët. Nëse dhuna dhe terrori shtohen, atëherë Izraeli do ta zërë frymën ekonomisë që do të lindë. Sharonin në një rast të tillë as mund ta dënosh: ai do të thotë se në Gaza janë strehuar nxitësit e terrorit të Bregut Perëndimor. Palestinezët do të jenë në sytë e botës si ata, të cilët sapo kanë marrë një "shtet", por që vazhdojnë të përdorin terrorin. Kur Gaza të jetë spastruar, palestinezët duhet të negociojnw në mënyrë konsekuente. Në mënyrë që të mos mbështeten me shpatulla pas muri nga izraelitët që mbështesin vijën e fortë, atyre u duhet shumë më tepër mbështetje ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund t'i marrin ata lëshimet e nevojshme në Bregun Perëndimor të Jordanit."


Ndërrojmë temë: gazeta WESTFALEN-BLATT që botohet në Bilefeld shkruan për atentatin ndaj themeluesit të organizatës TAIZE Frére Roge:

"Nëse në një ditë të largët do të ishte papritur e mundur që kisha katolike të shenjtërojë edhe pjesëtarë të konfesioneve të tjera, atëherë Frére Roger Schutz, të cilin e vranë në mënyrë mizore, duhet të qendrojë në rend të parë. Angazhimi i tij për priftërinjtë ishte jospektakular, por karizmatik: ai thjesht e ka jetuar atë angazhim. Nëntë qind vjet pas Klunit, nën drejtimin e tij nga Burgundi erdhi sërish një lëvizje reformatore. Bashkësia e Taizé-s u dha para së gjithash orientim shumë të rinjve, në një kohë kur kisha nuk qe në modë sa c'duket se është sot."

Dhe ja së fundi edhe FRANKFURT NEUE PRESSE po për këtë temë:

"Frère Roger u angazhua të gjithë jetën e tij për paqe dhe dashuri për tjetrin. Që pikërisht ai ra viktimë e një atentati dredharak, duhet të frikësojë të gjithë ata, që ndodhen rregullisht në mes të njerëzve. Por policinë duket se është me e lëhtë - si tani në Ditën Botërore të Rinisw- të marrë masa të suksesshme kundër terrorizmit, se sa të pengojë sulmin e një psikopati."

  • Data 17.08.2005
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruD
  • Data 17.08.2005
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruD