1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës

AUD19 Korrik 2005

Shtypi i sotëm gjerman analizon gjerësisht vizitën e kryetares së Partisë Kristjandemokrate Gjermane CDU, Angela Merkel në Paris.

https://p.dw.com/p/Arua
Merkel te Shiraku, 19.07.2005
Merkel te Shiraku, 19.07.2005Fotografi: dpa


Kandidatja për kancelare e unionistëve sinjalizoi thekse të reja në marrëdhëniet gjermano-franceze, në rast se partitë unioniste i fitojnë zgjedhjet parlamentare në Gjermani.

Për këtë në gazetën DIE WELT që del në Berlin lexojmë:

"Merkeli e shfrytëzoi vizitën e saj të shoqëruar me vëmendje të madhe buzë lumit Senë për t'i dhënë konture të qarta idesë së saj të një riorientimi të politikës evropiane. Një "kështu edhe më tej" të fuqive të Aksit Paris-Berlin dhe Berlin-Moskë me të nuk do të ketë më, po qe se me këtë del jashtë këndvështrimit kuadri gjithëevropian. Kjo është një premisë e zgjuar, në fund të fundit motori evropian gjermano-francez i vënë me dëshirë në punë nuk prodhoi më shumë se një miqësi të demonstruar qëllimisht burrash Shrëder dhe Shirac. Akset janë kapërcyer nga koha, Londra dëshiron dhe duhet të përfshihet më fort në lojë, si edhe anëtarët më të vegjël të BE."


WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN që botohet në Münster për të njëjtën temë shkruan:

"Nëse do të ketë sukses akti i planifikuar i ekuilibrit mbi tel midis Uashingtonit dhe Parisit, kjo mbetet e hapur. Një gjë është e qartë: me Sarkozinë si president të ardhshëm të Francës, Merkeli do të kishte një ndihmë të vlefshme. Sepse edhe ai dëshiron një afëri më të madhe me SHBA dhe nuk do të fyhej nga avancimet e Merkelit në drejtim të Bushit. Të dy sido që të jetë përfaqësojnë një stil pragmatik në politikë. Sepse ata e dinë: koha për programe me shkëlqim të politikës së jashtme ka kaluar prej kohësh. "Cifti ideal" Merkel dhe Sarkozi do të maten për suksesin e tyre në shkallën e realizimit të programit të detyrueshëm të reformave të vështira në politikën e brendshme."


Ndërsa MITTELBAYERISCHE ZEITUNG që botohet në Regensburg tërheq vëmendjen:

"Natyrisht që politika e jashtme gjermane kërkonte të gjente vetveten, pas fundit të botës bipolare në fillim të viteve 90 dhe të deklaratës së luftës ndaj terrorizmit ndërkombëtar më 11 shtator 2001. Por nga një llogari e ftohtë e fushatës elektorale Schrëderi u shkëput në vitin 2002 nga sistemi i sigurisë të Pax Americana, paqes sipas modelit amerikan. Gjermanisë ajo sidoqoftë i solli 60 vjet paqe dhe liri si dhe ribashkimin. Gjatë luftës së Irakut, Gjermanisë madje u përpoq të marrë një rol drejtues si kundërpeshë ndaj SHBA, me një mbivlerësim për të ardhur keq të mundësive të saj. Një kancelare Angela Merkel do të kalojë sërish në kurs afrimi ndaj SHBA. Por me kthesën e planifikuar të fortë, francezët sensibël nuk duhet të mospërfillen. Por edhe politika e lisharësit e ndjekur me dekada të tëra midis Parisit dhe Uashingtonit ka nevojë për aftësi të madhe diplomatike. Një star, mjeshtër i mbajtjes së ekuilibrit në politikën e jashtme gjermane si Hans Ditrih Genscher megjithatë nuk duket gjëkundi."

Ja edhe mendimi i komentatorit të së përditshmes KÖLNISCHE RUNDSCHAU:

"Ndoshta do të bëhet realitet. Ka mundësi që meklenburgasja e ftohtë do të kujdeset për praninë e një temperamenti të ri në kontakt me Shirakun, të ndryshëm nga ai që do të preferonte Shrëderi. Por që miqësia midis dy vendeve duhet të mbetet e paprekur, Merkeli sigurisht e di. Shrëderi kërkoi përvec aspektit politik edhe miqësinë personale, ngjashëm sic e bënë edhe Helmut Kohl-i dhe Fransua Miterani. Kjo mund të të ndihmojë, por parakusht për një bashkëpunim pa fërkime ky nuk është. Politika e interesave është më e rëndësishme. Që Merkeli ka një vështrim tjetër për botën, kjo nuk do t'i mbetet e fshehtë Chirakut. Por për ta shqetësuar, kjo gjë atë nuk duhet ta shqetësojë."


VOLKSSTIMME që del në Magdeburg është e mendimit:

"Patëm të bëjmë me më tepër se një vizitë të thjeshtë pune. Angela Merkeli kaloi nga Zhak Shiraku dhe dha siguri se marrëdhëniet gjermano-franceze mbeten "fundamentale", po të bëhet ajo kancelare. Po e qartë, anëtari i NATO-s Gjermania është e lidhur fortë tek Evropa dhe ka tradicionalisht marrëdhënie të mira me Francën. Edhe me Amerikën, Britaninë e Madhe dhe Rusinë...Kjo bën pjesë në linjat themelore të politikës së jashtme gjermane. Ndërrimi i qeverive nuk ndryshon gjë në këtë drejtim. Megjithatë, qeveritë vendosin akcente. Kështu që mund të konsiderohet e sigurtë që një kabinet i drejtuar nga Merkeli do t'i japë më shumë peshë botës anglosaksone, përballë asaj franceze, në dallim nga qeveria aktuale. Parisi nuk do të shpërfillet me këtë qëndrim. Edhe kjo duhet kuptuar midis rreshtave, kur Merkeli thekson në Paris vazhdimësinë e marrëdhënieve gjermano-franceze."