1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

13 Prill 2005
https://p.dw.com/p/Arvy


Shtypi i sotëm gjerman trajton ndër të tjera vendimin e Parlamentit Evropian për marrëveshjet e pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE. Temë tjetër është edhe kritika e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Franc Myntefering për pushtetin e kapitalit në Gjermani.

FRANKFURTER RUNDSCHAU ndër të tjera shkruan:

"Në aprovimin e Parlamentit Evropian për marrëveshjet e pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë ndodhet një paralajmërim, mosrespektimi i të cilit do të kishte pasoja për të gjitha zgjerimet e ardhshme të BE. Paralajmërimi është: mos na paraqisni më kurrë për diskutim marrëveshje të papjekura. Vetëm me dhënien e sigurisë se deputetët do të kenë të drejtë të bashkëvendosin përcaktimin e datës së anëtarësimit, arriti Komisioni dhe Këshilli Evropian ta blejë "po"-në. Me këtë mund të thuash se ata u ndanë mirë. Zakoni i keq, që të paraqiten për diskutim marrëveshje pranimi në BE, përpara se kandidatët të jenë me të vërtetë të pjekur për anëtarësim, do të kishte merituar një refuzim. Para së gjithash në rastin e Rumanisë",

vecon FRANKFURTER RUNDSCHAU dhe tërheq më tej vëmendjen:

"Eshtë koha më e përshtatshme, që bisedimet e anëtarësimit të shpëtojnë nga diktati i simbolikës politike. Gabimi i bërë me valën e parë të zgjerimit në Lindje të BE nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive, për t'u premtuar kandidatëve përcaktime kohore, në një kohë që vazhdonin diskutimet, të bën të ecësh me zikzake. Respektimi i datës së premtuar bëhet më e rëndësishme se sa diskutimi për një dokument solid."


Ndërsa gazeta MAIN ECHO që del në Aschaffenburg mendon:

"Debati për atë se sa janë pjekur Rumania dhe Bullgaria për t'u anëtarësuar në BE ka më shumë karakter simbolik. Sikleti i deputetëve buron më tepër nga parandjenja e errët se BE është futur në një lojë pa kufij, e cila është në kundërshtim me synimin për të pasur një BE më të thelluar politikisht. Në këtë kuptim, parlamentarët janë "përfaqësues të popullit". Në bazë, pikërisht tek shtetet themeluese të BE po zhduket gatishmëria për të besuar në automatizëm anëtarësimi, sipas të cilit liria dhe mirëqënia mund të eksportohen ku të duash dhe në këtë mënyrë të gjenerohen për të gjithë paqe, siguri dhe shanse të reja."


Ja edhe THÜRINGER ALLGEMEINE, e cila botohet në Erfurt:

"Nëpër të gjitha fraksionet, që nga konservatorët e deri tek të Gjelbrit, mbrëmë deputetët patën dhimbje barku. Kaq të vështirë sa në rastin e Rumanisë, ata nuk e kanë pasur të thonë "po"-në e anëtarësimit në BE për asnjë vend. Trashëgimia e diktatorit Caushesku peshon më shumë se sa të konsiderohet e kapërcyer për 15 vjet. Por a do të thotë kjo se rumunët duhet të dënohen në mënyrë të dyfishtë përmes lënies edhe më tej jashtë BE? Gjë që do të kishte pasoja edhe për linjat e lidhjes me Bullgarinë, e cila dëshiron të anëtarësohet në BE po në vitin 2007. Në një kohë që Sofia është në rrugë të mbarë, dhe si mangësore atje konsiderohen ende reforma juridike dhe mbrojtja e minoritetit rom, në Bukuresht nuk dinë se ku të fillojnë më parë."

Vëmendjen në Gjermani e ka tërhequr edhe kritika e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Franc Myntefering për pushtetin e kapitalit në Gjermani. Gazeta MANNHEIMER MORGEN që del në Manhajm shprehet skeptike për fjalimin:

"Ajo që tingëllon si një kthim pas në shekullin e 19-të, duket se është fjalim nga zemra për disa shokë të partisë. Zemërimi popullor për kapitalistët e kësaj republike nuk zien vetëm në anën e majtë të tavolinës së përhershme të diskutimeve. Kështu që mesazhi e kryetarit të SPD-së me siguri që dëgjohet. Por ky fjalim tingëllon pak i besueshëm përballë një kancelari socialdemokrat, i cili konsiderohet si kancelar i bosave jo vetëm që prej shpalljes së agjendës së reformave prej tij. Përballë një kancelari që preferon të shfaqet si përfaqësues tregtar dhe që i eleminon rezervat për respektimin e të drejtave të njeriut sipas metodës "basta". Jo, vetëm me parulla antikapitaliste, koalicioni qeveritar kuq e gjelbër nuk duket se mund t'i fitojë luftërat në frontet e zgjedhjeve në Nordrajn-Vestfali dhe Federatë."

Më ashpër shprehet KÖLNER EXPRESS për socialdemokratët:

"Popuj, dëgjoni sinjalet, ngrihuni për betejën e fundit...(Kryetari socialdemokrat)Myntefering bubullon si në kohët e shkuara të luftës së klasave. Madje edhe demokracinë ai e sheh të kërcënuar. Mos vallë ai synon t'ia kalojë Oskar Lafontenit? Apo mos vallë ushtari i vjetër i partisë beson se në këtë mënyrë mund ta kthejë nga vetja drejtimin e anijes për zgjedhjet në landin e Nordrajn-Vestfalisë? Por me një të futur të dorës në arkën e vjetërsirave të Parrtisë Socialdemokrate si zor që të arrihet kjo. Pa folur konkretisht, kritika në bllok kundër bosave "të këqij" nuk sjell asgjë, dhe aq më pak vende të reja pune. Natyrisht që në fushën ekonomike ka situata të patolerueshme, të cilat mund dhe duhet të goditen. Por me masë dhe me arsye."