1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman rreth ceremonive përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Holocaust-it

28 Janar 2005

Nga shtypi i sotëm gjerman veçuam temën e përkujtimit të Holocaust-it dhe aktualitetin që fiton ajo në ditët tona me rifuqizimin në Gjermani të partive të skajit të djathtë:

https://p.dw.com/p/Arwz
Fotografi: dpa zb

Gazeta Sächsische Zeitung e Dresdenit komenton lidhur me ditën përkujtimore të Holocaust-it:

Edhe në qoftë se kujtimi sa vjen e bëhet më i vështirë, rëndësia e tij kuptohet pikërisht këto ditë: Trashëgimtarët shpirtërorë të nazistëve në parlamentin sakson përpiqen të zvogëlojnë përmasat e vrasjes së organizuar masive të hebrenjve dhe viktimave të tjera të çmendurisë racore të nazistëve. Kujtimi i Aushvicit nuk e përjashton përkujtimin e të vrarëve gjatë bombardimeve të Dresdenit dhe të qyteteve të tjera gjermane, as vuajtjen gjatë arratisë dhe dëbimit. Largësia kohore ndaj ngjarjeve e bën të mundur që gjermanët të mos perceptohen vetëm si keqbërës, por edhe si viktima të nacionalsocializmit. Por fakti që Holocausti është i vetëm nuk lejohet të vihet në pikëpyetje.

Gjithashtu në lidhje me përkujtimin në Aushvitz gazeta General-Anzeiger e Bonit shkruan:

Presidenti gjerman nuk qëndronte në listën zyrtare të folësve në ceremoninë përkujtimore për çlirimin e kampit të përqendrimit të Aushvicit. Përballë vuajtjeve të tmerrshme të miliona vetëve, të shkaktuara nga kampe përqendrimi si ai i Aushvicit, fjalë sado të mbushura me turp dhe keqardhje nuk mund çajnë atë mur të pikëllimit të pakufishëm që e karakterizoi ceremoninë përkujtimore. Heshtja, dëgjimi, kuptimi, pjesëmarrja në dhimbje, ngushëllimi: të gjitha këto ndihmuan. Ceremonitë e djeshme përkujtimore në Aushvic, Krakov u përshkuan nga dëshmitë e të mbijetuarve të Holocaust-it. Mesazhi i tyre autentik: "kurrë më" nuk duhet ta humbë vlerën e tij as 60 vjet pas mizorive.

Duke mos u shkëputur shumë nga tema e parë, në gazetën Die Welt lexojmë:

Që prej një jave Gjermania është trazuar për arsye të një paraqitjeje të llogaritur me ftohtësi nga deputetët e Partisë Demokratike Kombëtare në parlamentin e landit të Saksonisë. Ngadalë partitë me ndikim duhet ta kapin veten përsëri. Përndryshe do të dëmtohen vetë. Partitë demokratike duhet t'ia dalin me anë të një politike bindëse që të kapin simpatizantët e të djathtëve. Kjo nuk mund të ndodhë as me anë të ndalimit të Partisë Demokratike Kombëtare e as me anë të kërkesës për dënime me heqje lirie. Ndalimi i Partisë Demokratike Kombëtare ose ndjekja ligjore e deputetëve të saj do të prodhonin vetëm më shumë përkrahës për të djathtët. Shpërfillja e Partisë Demokratike Kombëtare nga njëra anë dhe nga ana tjetër përpjekjet serioze për ta shtyrë përpara zhvillimin në landet e reja lindore premtojnë më shumë sukses.

Ndërrojmë temë. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung i rikthehet pyetjes se ku kalojnë kufijtë e Evropës:

Nuk duket më se ku kalojnë kufijtë e Bashkimit Evropian dhe nuk është më e sigurt nëse anëtarët e saj zotërojnë ende vullnetin dhe fuqinë për t'i gërshetuar interesat divergjente. Wolfgang Schäuble (fjala është për ish-kryetarin e Partisë Kristiandemokrate), i cili së bashku me zëdhënësin e atëhershëm për politikë të jashtme të Partisë Kristiandemokrate Karl Lamers pati paraqitur njëherë një koncept që karakterizoi për një kohë të gjatë debatin politik mbi Evropën, i është rikthyer kësaj teme. Këtu bëhet fjalë për kufijtë e Evropës dhe për raportin me fqinjët e saj, për ushtrinë evropiane dhe për reformimin e institucioneve dhe të procedurave. Një pjesë e kësaj tingëllon si utopi, por mos vallë Evropa e ideuar prej atyre që nuk u përpinë nga humnera nuk ishte utopi?