Pasqyra e shtypit gjerman- e martë 24 janar | Studimi në Gjermani | DW | 24.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman- e martë 24 janar

Tema qendrore e gazetave të sotme gjermane janë diskutimet e zhvilluara në parlamentin gjerman në lidhje me krijimin e një komisioni për shqyrtimin dhe zbardhjen e veprimtarisë së Shërbimit sekret gjerman, BND dhe vizita e kancelares Merkel në Francë

Joschka Fischer, Matthias Berninger dhe Jyrgen Trittin duke ndjekur ulur diskutimet për komisionin hetimor për BND.

Joschka Fischer, Matthias Berninger dhe Jyrgen Trittin duke ndjekur ulur diskutimet për komisionin hetimor për BND.

Citojmë fillimisht nga gazeta "Neue Osnabrücker Zeitung" e cila mendon se krijimi i një komisioni të tillë është i panevojshëm:

"Faktet tregojnë se një komision i tillë nuk është i domosdoshëm. Për shembull deri sot nuk ka asnjë të dhënë se punonjësit e BND-së kanë vepruar në Irak duke shpërdoruar detyrën. Për këtë sqarimi i kësaj çështjeje duhet t'i lihet në dorë qeverisë dhe instancave përgjegjëse parlamentare. Një procedurë e tillë është garanci për seriozitet dhe ruajtjen e sekretit. Tek e fundit luftimi i terrorizmit në Irak nuk është për Perëndimin një çështje akademike, e cila duhet të diskutohet në formë polemike, por një sfidë praktike tepër e rëndësishme. Le të kujtojmë këtu sulmet e mundshme apo furnizimin afatgjatë me naftë."

Shumë gazetarë komentojnë rolin e partive opozitare në diskutimet për krijimin e komisionit në fjalë. Ja se si shprehet për këtë "Cellsche Zeitung":

"Kaos në Berlin. Ekologjistët vazhdojnë të jenë pro krijimit të komisionit hetimor për BND, por vetëm në parim dhe vetëm në rast se përfundimet e punës së këtij komisioni nuk dëmtojnë veprimtarinë e ish-MPJ, Joshka Fisher. Partia ekologjike një herë për një herë është në pozicion pritjeje duke shpresuar se përmes sqarimeve të qeverisë problemi do të zgjidhet vetiu. Ndryshe mendon partia liberale. Ajo është patjetër pro krijimit të këtij komisioni, sikurse edhe partia e majtë. Që të dyja këto parti shohin në krijimin e një komisioni të tillë një rast të mirëpritur për të demaskuar koalicionin e madh."

Artikullshkruesi i "Braunschweiger Zeitung" analizon qëndrimin e ekologjistëve dhe motivet që i çojnë ata për të qenë më tepër kundër sesa pro krijimit të komisionit hetimor:

"Të gjelbërit e penguan krijimin e komisionit, sepse duan të mbrojnë veten dhe babain e tyre, Joshka Fisher. Ku i dihet se ç'do të dilte në dritë për politikën e qeverisë së mëparshme mes social-demokratëve dhe ekologjistëve në lidhje me Irakun. Ekologjistët janë sot në opozitë, por analizimi i detajuar i vepritarisë së tyre të viteve të fundit do t'i dëmtonte. Ata nuk janë të sigurt për gjërat që kanë bërë dhe nuk duan t'u hyjnë rreziqeve."

Një mendim të ngjashëm shpreh edhe "Badische Zeitung":

"Joshka Fisher mund të jetë i kënaqur. Me sa duket komisioni hetimor për veprimtarinë e BND-së nuk do të ngrihet. Sa keq, sepse transparenca në këtë mes është e domosdoshme. Askush nuk do që të pengohet veprimtaria e shërbimeve sekrete, por për të ruajtur kredibilitetin duhet që të bihet dakord për disa rregulla."

Gazeta "Tagespost" që botohet në Würzburg mendon se afera e BND-së, që çoi në diskutimet për krijimin e komisionit hetimor i vjen në ndihmë kancelares Merkel që të forcojë profilin e saj në fushën e politikës së jashtme.

"Angela Merkel i është ndoshta mirënjohëse koalicionit të madh. Ministri socialdemokrat i punëve të jashtme, Steinmeier nuk është përgjegjës vetëm për politikën e jashtme aktuale, por edhe për veprimet e koalicionit të mëparshëm, mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Natyrisht që pozita e tij e vështirë nuk i vjen në asnjë mënyrë në ndihmë kancelares, por nga ana tjetër demonstrohet më dukshëm se kurrë, se kush e kishte përgjegjësinë për punën e shërbimeve sekrete gjatë luftës në Irak. Dhe ndërsa një Steinmajeri të dobësuar i duhet të ngrejë llogore për t'u mbrojtur mbrenda vendit, kancelarja mund të skalsisë profilin e saj në politikën e jashtme."

Së fundi citojmë nga gazeta "General-Anzeiger" që botohet në Bon rreth takimit Merkel-Shirak.

"Duket qartë se Angela Merkel përpiqet që të mos i zhvillojë idenë e një ringjalljeje të partneriteti të privilegjuar, të cilin prezantonin dikur Gerhard Shrëder dhe Zhak Shiraku. Një qëndrim i tillë mund të konsiderohet i sinqertë në sfondin e faktit, se pas kësaj miqësie burrash të theksuar në mënyrë demonstrative, qëndronte vetëm pak përmbajtje. Përveç përbuzjes ndaj mikut në Shtëpinë e Bardhë, kjo miqësi përmbante fare pak gjëra që do të mund ta çonin Evropën përpara në vitet e ardhshme."

  • Data 24.01.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrk
  • Data 24.01.2006
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arrk