1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman, 30.06.2006

S.H30 Qershor 2006

Arrestimi i politikanëve dhe deputetëve palestinezë, si edhe dhuna që po ushtron ushtria izraelite në Rripin e Gazës, janë tema qëndrore e shtypit të sotëm gjerman:

https://p.dw.com/p/ArpB
Ushtria izraelite para Gazës, 29 qershor 2006
Ushtria izraelite para Gazës, 29 qershor 2006Fotografi: AP

Gazeta »Handelsblatt» nga Dyseldorfi shkruan mbi arrestimin e politikanëve të Hamasit:

"Këto arrestime dëshmojnë për një strategji, që nuk është krijuar brenda një dite. Në fillim Hamasi duhej izoluar sa më parë nga ana ndërkombëtare. Ky qëllim u arrit, falë edhe ndihmës së Perëndimit. Por qëllimi i dytë dhe më i rëndësishëm është shkatërrimi i plotë i bazës së Hamasit. Por për t´ja arritur këtij qëllimi, izraelitët duhet të kapin udhëheqësit më të rëndësishëm të Hamasit. Politikanët në Jereuzalem nuk bëjnë asnjë dallim mes protagonistëve të Hamasit në Gaza, në Jordanin Perëndimor apo në Damask. Fakti se tani aeroplanët luftarakë izraelitë hynë në qiellin sirian, dëshmon se kryemnistri aktual izraelit Ehud Olmert, nuk ka asnjë problem për t´u matur me paraardhësin e tij Ariel Sharon."

Gazeta »Süddeutsche Zeitung» nga Mynihu shkruan:

"Ka shumë faktorë që e vështirësojnë zgjidhjen e konfliktit. Politikanët e Hamasit nuk kanë asnjë eksperiencë qeveritare, ata veprojnë si shefat e një bande, e cila fluturoi nga një kamp refugjatësh në skenën botërore. Dhe Izraeli duhet ta përballojë këtë situatë pa Ariel Sharonin. Pasardhësit e tij përpiqen t´i fshehin dobëtisë e tyre politike, pas sulmeve ushtarake. Shumë palestinezë votuan për Hamasin, por vetëm sepse ata nuk e duronin më Fatahun dhe korrupcionin, dhe jo se nuk dëshironin paqe me Izraelin."

Gazeta «Landshuter Zeitung» nga Straubing komenton:

"Ekziston vetëm një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve: Dy shtete autonome me marrëdhënie të mira fqinje. Këtë fakt e kuptoi pas eksperiencave të hidhura edhe vetë Ariel Sharoni, kur urdhëroi tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës. Ehud Olmert, pasardhësi i Sharonit, po ndjek sërish rrugën e dhunës. Sigurisht që hapa të tillë janë të vetëkuptueshme kur bëhet fjalë për një ushtar izraelit që merret peng nga palestinezë radikalë. Por Olmert nuk do të arrijë gjë me arrestimin e ministrave dhe deputetëve palestinezë. Situata në Lindjen e Afërt po acarohet sërish dhe mund të dalë jashtë kontrollit çdo çast."

Gazeta «Westdeutsche Zeitung» nga Dyseldorfi shkruan:

"Deklaratat se ministrat dhe deputetët palestinezë do të përgjigjen përpara gjyqit, hedh poshtë çdo vizion për një shtet që funksionon në mënyrë demokratike. Shkatërrimi i atyre pak objekteve infrastrukturore në Rripin e Gazës, është dëshmia e forcës ushtarake dhe e një politike të qartë izraelite. Një zgjidhje e konfliktit, ku të dyja palët mund të plotësojnë vizionet e tyre, nuk ekziston. Por pranimi i këtij fakti do të ishte hapi i parë drejt një zgjidhjeje të mundshme. Lindja e Afërt ishte dikur shumë pranë këtij hapi. Sigurisht që të dyja palët mund ta vazhdojnë lojën e deritanishme. Por me cilin rezultat?"


Gazeta «Mittelbayerische Zeitung» nga Regensburgu komenton:

"Mesa duket qeveria izraelite nuk beson se me marrjen përsipër të përgjegjësisë politike, Hamasi do ta ndryshojë kursin e tij të dhunshëm, si dikur Arafati që u konvertua nga terroristi në president. Por aksioni ushtarak, i cili ishte planifikuar deri në detajin më të vogël, i shkatërroi përgjithmonë iluzionet e Perëndimit. Normalisht demokratizimi i shteteve të Lindjes së Afërt, duhet ta përshpjetojë procesin e paqes. Qeveria e Hamasit në rajonet palestineze ishte rezultati i kutive të votimit."

Dhe së fundi në gazetën «Neue Westfälische» nga Bilefeldi lexojmë:

"Megjithë eskalimin e dhunës në Lindjen e Afërt, nuk mbetet zgjidhje tjetër përveç kthimit në normalitet. Pengmarrjet e fundit dëshmuan se edhe vetë Izraeli madh dhe i fuqishëm, ka dobësitë e veta. Reagimet e dhunshme izraelite, dëshmojnë për një brutalitet që nxit konfliktet në Lindjen e Afërt. Por zgjidhja ushtarake e këtij konflikti është e papërfytyrueshme. Që tani është derdhur shumë gjak nga të dyja palët, dhe gjithmonë janë të pafajshmit, gratë dhe fëmijët, ata që bëhen viktimat e para të dhunës."