1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 27.03.2006

S.H27 Mars 2006

Tri lande gjermane votuan të dielën për deputetët e parlamenteve të reja të tyre. Rezultatet dhe zhvillimi i këtyre zgjedhjeve janë temë dominuese e gazetave të sotme gjermane

https://p.dw.com/p/Arqi

Në gazetën "Westdeutsche Zeitung" nga Dyseldorfi lexojmë:

"Mbrëmë rezultuan të gjitha prognozat të gabuara. Partitë festonin me gëzim votat që kishin marrë dhe nuk kuptonin se në fakt kanë humbur të gjithë. Sigurisht që ka rëndësi se sa përqind të votave fitoi cila parti, por mesazhi kryesor i zgjedhjeve të djeshme është: Pjesëmarrja në votime ishte katastrofale. Kur si në Zaksen Anhalt, shumica e popullsisë nuk merr pjesë në votime, atëherë së shpejti dikush do të shtrojë pyetjen se sa legjitime është qeveria jonë. Ky është një zhvillim tepër i rrezikshëm për demokracinë. Pasi të jenë qetësuar gjakrat mbi ndarjen procentuale, do të kemi kohë të merremi me arsyet mbi pjesëmarrjen kaq të ulët në këto zgjedhje."

Në gazetën "Neue Westfälische" lexojmë:

"Fituesit kryesorë vijnë nga jugu i Republikës. Kurt Bek dhe Gynter Otinger ja arritën qëllimeve të tyre dhe fituan. Të dy kontët e landeve mbetën në krye dhe kundërshtarët e tyre politikë Christoph Bëhr und Ute Vogt u larguan kokëulur. Si në landin e Rajnland-Pfalc ashtu edhe në Baden-Vyrtenberg, kryetarët e qeverive, përfituan nga koalicioni i madh në Berlin. Nuk kishte asnjë arsye për një ndryshim në këto lande. Por fakt mbetet se pjesëmarrja e ulët në këto votime është një problem serioz për vendin."

Gazeta "Kölnische Rundschau" komenton:

"Në Rheinland-Pfalz dhe Baden-Vyrtenberg mbetet gjithçka siç ishte. Të tri kryeministrat do t´i mbajnë postet e tyre. Partitë e koalicionit të madh në Berlin duhet të gëzoheshin, por ato ankohen. Partia liberale FDP humbi thellë, ndonëse fitoi shumicën e votave në Stuttgart. Të gjelbërit arritën të konsolidohen me mundim në një nivel tepër modest. Ndërkohë politikanët e partive CDU dhe SPD kanë arsye të jenë të kënaqur. Koalicioni i madh i forcua edhe më shumë. Kancelarja Angela Merkel dhe kabineti i saj qeveritar kanë tani më shumë mundësi për të filluar reformat aq të domosdoshme. Viti 2008 po afron."

Gazeta "Main-Post" nga Vyrcburgu shkruan:

"Pas rezultateve të zgjedhjeve të djeshme, kancelarja Merkel, zëvendësi i saj Myntefering dhe shefi i SPD-së Placeck, mund të rrinë të qetë. Por të gjitha partitë politike duhet ta marrin seriozisht pjesëmarrjen kaq të ulët në zgjedhje."

Gazeta "Neue Rhein/Neue Ruhr" Zeitung shkruan:

"Kancelarja Merkel e kaloi me sukses ditën e parë të madhe të zgjedhjeve në postin e saj të ri. Socialdemokratët e landeve e dinë se Berlini nuk i provokon më. Votuesit kërkojnë stabilitet dhe jo eksperimente. Pra atdhe i dashur, rri i qetë. Do të ishte gabim të mendonim se tani do të zotërojë vetëm harmoni nga Berlini. Por do të ishte gjithashtu gabim të mendonin si sindikatat, se së shpejti do të kemi të njëjtat probleme në vend si Franca sot. Sjellja e votuesve flet për një mundësi të tretë: Kompetenca ekonomike e partisë CDU është po aq e domosdoshme sa siguria sociale dhe ajo socialdemokrate."

Dhe së fundi në gazetën General-Anzeiger nga Boni lexojmë:

"Angela Merkel mund të jetë e qetë: Dje ishte dita e zgjedhjes së qeverive, që në një farë mënyre janë pjesë e qeverisë së saj. Partia kristian demokrate CDU e kaloi me sukses provën e parë për unionin berlinez. Me Gynther Otinger dhe Volfgang Böhmer në krye të landeve të Baden-Vürtenbergut dhe Sachsen-Anhaltit, CDU-ja arriti një fitore të madhe. Zhgënjimi që pësoi kjo parti në Rajnland-Pfalc nuk është shumë i madh, sepse pa fitoren spektakulare të social demokratit Kurt Bek, koalicioni i madh në Berlin do të kish pësuar një dëm të lehtë."