1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 22 mars 2006

Pandeli Pani21 Mars 2006

Sa më i mundshëm duket se po bëhet vendimi i parlamentit gjerman për dërgimin e ushtarëve gjermanë në Kongo, aq më të larta po bëhen tonet kritike në drejtim të Berlinit dhe aq më tepër vend i kushtohet kësaj teme në faqet e shtypit gjerman.

https://p.dw.com/p/Arqn
Trupat e BE-së së shpejti në Kongo
Trupat e BE-së së shpejti në KongoFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

"Përse vini me kaq lehtësi në rrezik jetën e ushtarëve? Kjo pyetje në drejtim të Berlinit është e drejtë, shkruan gazeta "Volksstimme" (Magdeburg), por kritika drejtohet në adresën e gabuar. Gabimin në të vërtetë po e bën OKB-ja. Në pyetjen drejtuar BE-së për të ndihmuar në misionin e helmetkaltërve në Kongo, OKB-ja ishte përqendruar shumë fort tek interesat e veta. Natyrisht që edhe evropianët duan që në Kongo të vendoset një paqe e qëndrueshme. Po a e justifikon kjo sakfrificën me jetën e ushtarëve nga vendet e BE-së? Jo! Në këtë mes nuk bëjnë fajde as shpjegimet për interesat ekonomike apo ato të politikës ndaj refugjatëve, të cilat padyshim janë me vend, por që në vetvete nuk e justifikojnë këtë aksion të rrezikshëm."

Po për të njejtën temë në gazetën "Dresdner Neueste Nachrichten" lexojmë:

"Vëzhgimi i zgjedhjeve, i lidhur ndoshta edhe me masa të mëtejshme detyruese për vendosjen e demokracisë- kjo është përmbajtja e urdhërit të çuditshëm për trupën e BE-së për Kongon. Ideja se prej zgjedhjeve të qershorit mund të krijohet një qelizë demokratike e përbërë prej vagabondëve të djeshëm tingëllon tepër e guximshme. Por një gjë e tillë mund të thuhet për shumë gjëra në Afrikë. Dakord, për ndërhyrjen në Kongo mund të sillen disa argumente më tepër sesa për një ndërhyrje në Darfur. Fizikantët e pushtetit e quajnë këtë si kërkim të minimumit stabël. Për një plan serioz mund të flitet vetëm atëhere kur të kemi përpara një skenar të sinqertë për periudhën pas tërheqjes së trupave paqësore. Të paktën sqarime të tilla kancelaria ua ka borxh ushtarëve."

Ndërrojmë temë duke shfletuar gazetën "Rhein-Neckar-Zeitung" e cila trajton problemin e dy inxhinierëve të marrë peng në Irak.

"Trajtimi i pengjeve nga vendet perëndimore si fitore në llotari, bën pjesë në çmendurinë e përditshme të një vendi pa din e pa iman, pa ligje e moral. Ndjenja e çlirimit që shkaktojnë tek shtabi i krizës në Berlin apo tek të afërmimit, lajme sipas së cilave kidnapuesit e dy inxhinierëve gjermanëve mund të jenë kriminelë ordinerë, tregon se sa jemi mësuar me këtë pervesion të të menduarit. Megjithatë në situatën e një lufte civile, në të cilën jeta e njeriut nuk vlen më tepër se sa një fishek pushke, lajmet se pas kidnapuesve qëndrojnë kriminelë, të jep një lloj shprese për zgjidhjen e fatit të dy inxhinierëve nga Lajpcigu."

Gazeta "Westfälische Nachrichten" (Münster) hedh një vështrim në zhvillimet tek fqinjët, duke trajtuar vazhdimin e valës së protestave në Francë:

"Kësaj radhe ndryshe nga vjeshta e 2005-s nuk po protestojnë ata që gjenden në periferi të shoqërisë dhe të qyteteve. Nëpër rrugë kanë dalë ata që vijnë nga mesi i shoqërisë dhe i qyteteve. Ata kërkojnë më tepër, sepse e konsiderojnë të gjithë brezin e tyre si humbës në luftën për ndarjen e privilegjeve dhe ndihmave gjithnjë e më të pakta nga shteti. Kjo bën që kapërcimi objektiv i këtij problemi të kalojë në plan të dytë. Kompromiset politike nuk mund të kontribuojnë për ftohjen e gjakrave. Kjo sepse të tjerë e kanë kuptuar tashmë se prej protestave mund të nxjerrin kapital politik. Në radhë të parë sindikatat, që po radikalizohen dhe po e nxitin ideologjikisht problemin të ndjekur prej socialistëve, që dëshirojnë që një vit para zgjedhjeve të rifitojnë peshë në skenën politike."

Së fundi citojmë nga gazeta "Landeszeitung" (Lüneburg) e cila nisur prej ditës ndërkombëtare të ujit trajton problemin e shterrimit të burimeve të ujit të pishëm si burim për konflite të ardhshme në botë:

"Lëngu numër 1 në Gjermani është aq i pastër sa thuajse në asnjë vend tjetër të botës. Hapja e rubinetit nga i cili rrjedh gjithmonë ujë, është shndërruar në një gjë të vetëkuptueshme, sa gjithkush mendon se rezervat e ujit të pishëm janë pa fund. Si rregullator shërben më tepër çmimi, sesa bindja se kjo lëndë e çmuar duhet kursyer. Për 1,3 miliardë njerëz në botë uji i pishëm nuk është një gjë e vetëkuptueshme. Në vendet në zhvillim prej papastërtisë së ujit vdesin çdo ditë rreth 4000 fëmijë, kurse në vendet e pasura në perëndim rezervat e ujit shpërdorohen pa pikë kujdesi. Në rast se nuk bëhemi të arsyeshëm dhe kursimtarë në përdorimin e ujit, padyshim një ditë do të kemi konflikte për këtë mall tepër të çmuar dhe të domosdoshëm për jetën."