Pasqyra e shtypit gjerman - 10.11.2004 | Studimi në Gjermani | DW | 09.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman - 10.11.2004

Gazetat gjermane trajtojnë gjerësisht shpërthimin e papritur të një vale urrjetjeje ndaj muslimanëve në vendin fqinjë, në Holandë, e cila deri shquhej si model tolerance. Vëmendje gazetat gjermane i kushtojnë natyrisht edhe operacionit ushtarak në Falluxha.

Pamje nga operacioni ushtarak në Falluxha

Pamje nga operacioni ushtarak në Falluxha

Në lidhje me aktet e dhunës ndaj muslimanëve, xhamive apo medreseve, që pasuan atentatin ndaj regjisorit Theo van Gogh në gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung" lexojmë:

"Shoqëria holandeze po përçahet. Vetëm pak ditë pasi u bë e njohur që atentati ndaj regjisorit Theo van Gogh kishte një sfond radikal-islamik, vendi është përfshirë nga një valë urrejtjeje ndaj muslimanëve. Pasojat e saj janë thirrjet kundër tyre dhe dhuna. Xhamive po u vihet zjarri, nëpër muret e tyre shkruhen parrulla radikale, një bombë e vënë para një medreseje. Ato që po ndodhin në Holandë, një vend që deri dje ishte krenar për maskën e tij miqësore dhe kozmopolite janë tepër shqetësuese. Ka kohë që është bërë e qartë që ky model nuk mund të përdorej më. Përshkallëzimi i dhunës i ka shkaqet tek dështimi i modelit të jetës paralele të kulturave. Kjo çoi në krijimin e botëve paralele, në vend që të sillte një bashkëjetesë homogjene, sikurse do të qe më mirë. Dhe në formën e tij aktuale ky është një problem holandez."
Ajo që të çudit është shpërthimi i papritur i urrejtjes. Kjo do të thotë se për vite të tëra në mendjet e njerëzve do të jetë grumbulluar një lloj potenciali në kërkim të një koke turku. Kuptohet kjo nuk mund të thuhet për çdo holandez, por për ata që janë të gatshëm të bien pre e parrullave të forta. Në këtë formë ky problem ka edhe një dimension evropian. Sepse frika prej një radikalizimi të konfliteve të ngjashme në vende të tjera është e ndjeshme dhe e justifikueshme. Në këtë mes nuk vihet në provë raporti i Evropës me islamizimin, por raporti i Evropës me ekstremizimin e çdo lloj ngjyrimi."


Kurse gazeta "Nordwest Zeitung" që botohet në Oldenburg shkruan:

"Si asnjë vend tjetër Holanda konsiderohej si mishërimi i tolerancës dhe iluminizimit. Për këtë vala e dhunës që ka shpërthyer pas vrasjes së regjisorit Theo van Gogh të trondit edhe më tepër. Ka kohë që në Holandë ka shpërthyer një debat, nëse shoqërisë tolerante holandeze i kanë kaluar pa vënë re bëmat e fanatikëve fetarë në vend. Në mënyrë tragjike van Gogh-u u hapi sytë shumë holandezëve. Mos duhet që edhe ne t'i shtrojmë vetes pyetjen se sa tolerancë është në gjendje të përballojë Gjermania? Në rast se presim që përgjigjen për këtë ta japim pasi të ketë shpërthyer dhuna, do të japim një përgjigje të gabuar."


Operacioni ushtarak në Falluxha konsiderohet prej komentatorve gjermanë si një test si për qeverinë e përkohshme irakiane edhe për atë amerikane. Fillimisht për këtë temë citojmë prej gazetës "Thüringer Allgemeine" që botohet në Erfurt:


"Askush nuk dyshon se operacioni amerikan në Falluxha do të dalë me sukses. Askush nuk po impresionohet prej hyrjes në qendër të qytetit të trupave këmbësore të mbështetura prej aviacionit luftarak. Po sa irakianë do të bëhen për vete me aksione të tilla? Presidenti Bush e ka me nxitim. Gjatë fushatës elektorale ai nuk lejoi që të ndërmerreshin aksione ushtarake që do të shoqëroheshin me të vrarë. Po tani po afrohet janari, dhe në janar irakianëve iu premtua se do të zhvillohen zgjedhjet e lira. Kjo do të bënte të mundur kalimin e pushtetit në duart e irakianëve. Merret vesh që kjo është e mundur vetëm në rast se qeveria e ka gjithë vendin nën kontroll. Po SHBA-ve nuk u bie ndër mend ndonjë mjet tjetër për ta arritur këtë, përveç se të qëllojnë me armë."

Gazeta "Westfälischer Anzeiger" që botohet në Ham shkruan:

"20 muaj pas bombave të para që ranë në Bagdad, goditja në shkallë të gjërë ndaj Falluxhës po shndërrohet në një test si për qeverinë irakiane edhe për qeverinë amerikane. Cinizimi i luftës është që rruga drejt saj sjell me vete edhe hapa prapa. Sërish do të ketë refugjatë që do të marrin arratinë, sërish ushtarët amerikanë do të duhet të luftojnë derë më derë, një strategji e cila e bën të harrohet shpejt fuqinë e tyre materiale. E kështu dy palë lufte të vëna përballë njëra-tjetrës po kërkojnë një fund plot tmerr, si rrugëdaljen e fundit prej dështimit të përheshëm".

  • Data 09.11.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxx
  • Data 09.11.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arxx