1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman, 08.09.2005

VFB8 Shtator 2005

Temat më të komentuara në shtypin e sotëm: Replikat në Bundestag, Gjyqi i Sadam Huseinit, PNUD dhe qëllimet e mileniumit

https://p.dw.com/p/Artv

Nga komenti i "Frankfurter Allgemeine Zeitung" mbi debatin në Bundestag veçojmë: "Eshtë politika përgjëgjese për faktin që vendi ku merren vendimet politike ka mbetur në prapaskenë dhe në plan të parë të interesit ka dalë ekrani televiv. Në këtë janë pjesëmarrës deputetët, të cilët në pultin e parlamentit nuk bëjnë gje tjetër veçse ushtrohen për t´u paraqitur sa më në formë nëpër tryezat televizive. Pjesëmarrës në këtë janë edhe qeveritë, që politikën e parlamentit ua kalojnë komisioneve dhe rezultatet e tyre ua servirin deputetëve të zgjedhur si një meny të gatshme. Në dhomën e ulët të parlamentit britanik debatohet me theks retorik, gjë që ngjall zili. Atje ne mënyrë të vetëkuptueshme ministri i brendshëm njofton fillimisht parlamentin pas një nagjrjeje kombëtare dhe më pas reporterët. Rikthimi i imazhit Bundestagut gjerman nuk do të kushtonte asgjë, por do të sillte shumë. Parlamenti në radhë të parë duhet ta rivlerësojë veten me seriozitet", vëren "Franfkurter Allgemeine Zeitung".

"Leipziger Volkszeitung" nënvizon: "As kancelari dhe as sfidantja e tij nuk mundën ta fitojnë betejën verbale. Shrëder nxjerr një bilanc luftarak për punën e qeverisë së tij, gjë që në popull vlerësohet shumë më keq, se sa prej atij vetë. Pak para fundit të tij koalicioni i ftohur mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve po i mbledh forcat për unitet. Merkeli e hedh vështrimin shumë më me forcë drejt formësimit të së ardhmes krahasuar me Shrëderin. Ajo i përmbahet me vetëdije dhe vetbesim kursit të reformave dhe ndryshimit të sistemit, të cilit i trëmbet një pjesë e vendit", komenton "Leipziger Volkszeitung".

Gazeta "Die Welt" i kushton një koment procesit kundër ish-dikatorit të Irakut, Sadam Husein: "Vetëm pak janë ata që nuk besojnë në dënimin maksimal për njeriun, që ka vrarë mijëra vetë pa aktpadi dhe pa vendim gjyqësor. Por se deri në ç´masë vendi i dy rymave ka hyrë nërrugën e shoqërisë civile, këtë e tregon ndër të tjera edhe mënyra e qëndrimit ndaj armikut. Sigurisht që në diskutimin publik mbi fajin dhe ndëshkimin e Sadam Huseinit nuk kanë vend fjalët e presidentit Xhalal Talabani, se ish-diktatori për shkak të krimeve që ka kryer "duhet të ekzekutohet 20 herë në ditë". Sadam Huseinit i takon ajo që ua ka mohuar të tjerëve: një proces gjyqësor korrekt. Një proces i shtrembëruar, i manipuluar ose në një farë mënyrë i parregullt do t´i hidhte ne erë të gjitha përpjekjet e deritanishme për ndërtimin e një shoqërie të re", tërheq vëmendjen "Die Welt".

"Neues Deutschland" komenton samitin e OKB-së mbi programin qëllimet e mileniumit: "Ende nuk po duket asgjë konkrete për partneritetin ndërkombëtar për zhvillimin të shumëfolur qysh nga viti 2000, e që përsëritet veçanërisht pas 11 shtatorit 2001. Eshtë e sigurt që tendenca për ndihmën globale për zhvillimin është sërish drejt një rritjeje të lehtë. Por kundrejt 78 miliardë dollarëve të premtuara për këtë janë një trilion dollarë shpenzime për armatimet. Gati gjysma e kësaj shume i përket SHBA, që me iniciativën e tyre të vonuar për ndryshim po silurojnë edhe deklaratën e samitit. Bashkërendimi mes sigurisë dhe zhvillimit është evident në bazë të raportit të OKB-së. Eshtë mëse e pasigurt nëse ky pikësynim do të rezistojë deri në ditën e samitit", nënvizon "Neues Deutschland".

Indeksi gjerman i aksioneve, DAX, e tejkaloi dje kuotën e 5000 pikëve. Ky zhvillim jep shkas për komente në shtyp. "Badische Zeitung" analizon: "Dëshira për reforma ekziston, zgjedhjet e reja ngjallin shpresë për një ritëm të ri reformash. 5000 pikët në DAX sinjalizojnë se ekonomia pavarësisht nga nafta e shtrenjtë po e merr veten sërish. E pra gjendja në Gjermani nuk është aq keq sa e paraqesin shumë sipërmarrës dhe politikanë. Më shumë besim brenda radhëve mund të ndihmojë. Ekonomia dhe bursa tek e fundit jetojnë në pjesën më të madhe prej psikologjisë. Ndaj edhe akisonerët e vegjël gjermanë mund të kenë besim për të blerë sërish aksione. Jo vetëm kursi, por edhe kultura e aksioneve është pozitive. Kjo do të fitojë gjithnjë e më shumë peshë, sepse në të ardhmen askush nuk do t´ia dalë më pa sigurimin privat të pleqërisë", komenton "Badische Zeitung".