1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman 07.10.2006

S.H6 Tetor 2006

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Turqi është tema qëndrore e shumicës së gazetave të sotme. Temë tjetër është marrëveshja mes BE-së dhe SHBA-s për të dhënat personale të pasagjerëve të avionave.

https://p.dw.com/p/Arnb

Gazeta MÜNCHNER MERKUR shkruan mbi vizitën e kancelares Merkel në Turqi:

"Nga pikëpamja e kryeministrit turk, data e vizitës së kancelares gjermane ishte një katastrofë e vogël: Mikesha e Ankarasë ishte një kancelare e dobësuar nga ana e politikës së brendshme. Merkel, e cila sapo theu një ndër premtimet kryesore që bëri gjatë fushatës së saj zgjedhore - më shumë konkurrencë në sektorin e shëndetësisë - duhet të mbronte me çdo kusht qëndrimin e saj, se Turqia duhet të rrijë ende larg BE-së. Ajo evitoi sërish gabime diplomatike. Por nga ana tjetër, ajo nuk e mbështeti aspak kërkesën e zjarrtë të Erdoganit."


Gazeta STUTTGARTER ZEITUNG shkruan:

"Po të kemi parasysh problemet që kanë marrëdhëniet e Turqisë me BE-në, Angela Merkel dhe Tajip Erdogan, bënë gjënë më të mirë: Gjatë vizitës dyditore të kancelares gjermane, Erdogan dhe Merkel u munduan të krijojnë një bazë për bashkëpunim politik. Fakti se Merkel theksoi që megjithë problemet që ekzistojnë, gjermanët vazhdojnë ta mbështesin antarësimin e Turqisë në BE, i kënaqi të zotët e shtëpisë në Ankara. Por nga ana tjetër Merkel sinjalizoi fare qartë, se bisedimet për antarësim mes Turqisë dhe BE-së do të zgjasin edhe shumë kohë."

Në gazetën ALLGEMEINE ZEITUNG nga Mainzi lexojmë:

"Kur 25 shtetet antare vendosin të integrojë Bullgarinë dhe Rumaninë, vetëm sepse kanë premtuar një datë të caktuar, atëherë me cilën të drejtë u themi ne gjermanët turqve, se duhet të presin akoma përpara derës? Ai që pranon Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë, nuk mund ta lërë mënjanë Turqinë. Në konfliktin e Qipros dhe në çështjet e të drejtave të njeriut, turqit janë partnerë të vështirë, por si aleatë të NATO-s, ata janë të besueshëm dhe bashkëpunojnë. Dhe mbi të gjitha: Ata mund të fitojnë një imazh krejt tjetër sikur të munden të ndërmjetësojnë mes botës islamike dhe asaj të krishterë."

Ndryshojmë temë. BE-ja dhe SHBA-s ranë më në fund dakord - pas bisedimeve që zgjatën disa muaj - për një marrëveshje mbi shkëmbimin e të dhënave personale të pasgjerëve të avionave. SHBA-s duan të kapim në këtë mënyrë të dyshuarit si terroristë sa më parë.

Gazeta BERLINER MORGENPOST analizon:

"Marrëveshja është një armë tjetër e vogël por e rëndësishme për luftën kundër terrorit. Kordinimi mes zyrave përkatëse do të jetë më i mirë, kontrolli i të dhënave më efikas. Tani u rritën shanset për të zbuluar edhe më shpejt pasagjerë të dhunshëm apo të tillë që e urrejnë demokracinë. "

Gazeta HESSISCHE/NIEDERSÄCHSISCHE ALLGEMEINE nga Kasel shkruan:

"Të gjitha shtetet kanë të drejtë të dinë se kush hyn në kufijtë e tyre. Pra nuk duhet të ketë ndonjë kundërshtim, kur SHBA-s kërkojnë të kenë të dhënat personale për vizitorët që vijnë me aeroplanë. Por sidoqoftë mbetet një shije e hidhur tani që evropianët ranë dakord me SHBA-s për shkëmbimin e të dhënave. Në fakt ministria amerikane për mbrojtjen e atdheut, nuk ka të drejtë t´i transferojë më tej këto të dhëna. Por kush e garanton mbrojtjen e të dhënave personale? Dhe a vlen ky rregull edhe për shërbin sekret amerikan CIA, i cili njihet tashmë për metodat e tij të dyshimta të punës. Evropianët duhet ta lexojnë me kujdes marrëveshjen. Çdo shtet ka të drejtë të vetëmbrohet në mënyrë efikase dhe çdo pasagjer ka të drejtë të arrijë shëndoshë e mirë në vendin ku po udhëton."

Dhe së fundi në gazetën NÜRNBERGER ZEITUNG lexojmë:

"Tani SHBA-s nuk mund të ndërhyjnë më në mënyrë direkte. Shoqëritë ajrore do t´i dorëzojnë vetë informacionet. Por si do të përdoren këto informacione, përveç luftimit të terrorizmit? Kjo pyetje do të mbetet e hapur. Por evropianët nuk duken shumë të kënaqur me marrëveshjen që bënë. Fundja nuk është sekret se për shembull shërbimi sekret amerikan CIA, noton në ujërat e turbullta të spiunazhit ekonomik."